Tirana pas 2-0 në Tbilisi, përballë Yllit të Kuq të Beogradit në Ligën e Kampioneve

Tirana u kualifikua për të 12-ën herë në kupat europiane kur mposhti në Tbilisi, Dinamon vendase në raundin e Ligës së Kampioneve

Tirana mori një fitore impresionuese 0-2 ndaj Dinamos së Tbilisit, e bashkë me të edhe kualifikimin e merituar në Ligën e kampioneve.

 Në transfertën e sikletshme në kryeqendrën gjeorgjiane, kampionët e Shqipërisë shfaqën një lojë kompakte dhe arritën të shënojnë nga një gol për cdo pjesë, mjaftueshëm për të kaluar vendasit e për të siguruar një duel të nxehtë shqiptaro serb në raundin tjetër, me një rival të fortë në fushë dhe në financa, si Crvena Zvezda.

Pas 45 minutash të kujdesshme, Tirana prishi ekuilibrat në shtesën para pushimit, kur një pakujdesi e portierit Kvaskvadze, solli dhe golin me shumë fat të Agustin Torasës. Ngulmimi i argjentinasit i dha bardhebluve avantazhin, që nuk e lëshuan më.

Në fraksionin e dytë rastet nuk munguan në të dy portat, madje Dinamo e Tbilisit arriti të barazonte, por goli u zhvlerësua për pozicion të parregullt. Ata që vulosën kualifikimin, ishin talentet e rritur në shtëpi.

Goditje e bukur e Muçit dhe përgjigje e Ismailgecit në vendin e duhur në kohën e duhur, gati për të kapitalizuar në rrjetë grushtimin dëshpërues të portierit. 0-2 për Tiranën që meriton veç bonusit kualifikues të UEFA-s, edhe 100 milionë Lekë nga bujaria e presidentit Halili.

Tani në raundin tjetër është Yllin e Kuq (Crvena Zvezda), rival më i fortë por edhe ego më e madhe për shqiptarët, në një përballje që do të mbushet pashmangshmërisht me doza politike e nacionaliste, përtej kufirit sportiv.

Top Channel

Comment

*