“Touch Me Not” fiton Ariun e Artë në Berlinale

Berlin, 24 shkurt 2018 – “Touch Me Not”, një film për intimitetin dhe seksin që tronditi disa shikues me skena eksplicite, e fitoi çmimin “Ariu i Artë” si filmi më i mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, të shtunën.

Regjisorja rumune, Adina Pintilie, tha se nuk ka pritur të fitojë çmimin për filmin e saj, i cili gërsheton realitetin dhe trillimin dhe ndjek disa karaktere që kërkojnë intimitet, por në të njëjtën kohë edhe i frikësohen.

“Ariu i Argjendtë” për regjinë më të mirë e fitoi regjisori amerikanin Wes Anderson për filmin “Isle of Dogs”, një film i animuar për një qytet japonez që i hedh qentë në një deponi bërlloku pas përhapjes së një sëmundjeje të qenve.

Anthony Bajon e fitoi çmimin për aktorin më të mirë, për rolin e tij si një person i varur nga droga që provon të lirohet nga kjo varësi me ndihmën e besimit, në filmin “La Priere” (Lutja) të Cedric Kahn-it.

Ndërsa fituese e çmimit për aktoren më të mirë e fitoi Ana Brun, për rolin e saj në filmin “Las herederas” (Trashëgimtaret.

Çmimi për skenarin më të mirë iu nda Manuel Alcalas dhe Alonso Ruizpalaciosas, për filmin “Museo” (Muzeu) që flet për disa studentë që vjedhin artefakte nga Muzeu Nacional i Antropologjisë në Mexico City.

Filmi “Twarz” i regjisores polake Malgorzata Szumowska, i cili portreton një burrë që bën transplant të fytyrës pas një aksidenti, u shpërblye me çmimin e jurisë “Ariu i Argjendtë”.

Çmimet u ndanë nga një juri prej gjashtë personash, e udhëhequr nga regjisori gjerman Tom Tykwer. Në festival, i cili mbahet nga 15 deri më 25 shkurt, u shfaqën rreth 400 filma. 19 prej tyre garuan për çmimin kryesor, “Ariu i Artë”, transmeton Koha.net.

Edhe filmi holandez “Kiem Holijanda”, me rrëfim dhe me aktorë nga Kosova, ka dalë fitues në “Berlinale”. Ky film i regjisores Sarah Veltmeyer, me Andi e Florist Bajgorën dhe Arbresha Grabovci-Nixhën në rolet kryesore, të premten mbrëma e ka fituar “Ariun e Kristaltë” për filmin më të mirë të shkurtër, të programit “Generation 14 plus”.

“Berlinale” është një prej festivaleve më të vjetra dhe më prestigjioze në botë. (r.m.)

Comment

*