Beograd, 5 dhjetor 2018 – Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq, ka deklaruar se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë duke punuar bashkërisht për ndarjen e Kosovës.
“Ata kanë kontakte pothuajse të përditshme, ata e bashkërendojnë aktivitetin e tyre, ndihmohen recoprokisht në mënyra të ndryshme dhe i shfrytëzojnë të gjitha mënyrat për të mbështetur njëri-tjetrin. Në fakt ky është një ekip në një mision”, ka thënë Trajkoviq në Televizionin serb “N1”.
Ajo e ka quajtur të rrezikshme idenë për ndarjen e Kosovës.
“Ky është një projekt i rrezikshëm që drejtpërdrejt kërcënon jo vetëm serbët nën Ibër, por të gjithë rajonin”, ka theksuar ajo.
Zonja Trajkoviq ka thënë se Vuçiqi i keqpërdor serbët e Kosovës për ruajtjen e pozicionit të tij.
Ajo e ka akuzuar Beogradin se mban nën kontroll të plotë përfaqësimin e serbëve në institucionet e Kosovës dhe zgjedhjet në komunat e Kosovës me shumicë serbe. Ajo ka thënë se nënkryetari i Listës Serbe, e cila kontrollohet nga Vuçiqi, Milan Radojçiq, vendos për çdo gjë në komunat me shumicë serbe.
Zonja Trajkoviq ka folur edhe për vendimin e Qeverisë për vendosjen e taksës për mallrat nga Serbia. Ajo ka thënë se ky vendim është më shumë politik se sa ekonomik.
“Nëse ne shikojmë nga prizmi ekonomik, taksa rrezikon të gjithë banorët e Kosovës, sidomos biznesmenët, veçmas shqiptarët”, tha ajo.
Trajkoviq ka hedhur poshtë deklaratat se serbët e Kosovës janë në prag të “katastrofës humanitare, siç trumpetojnë Beogradi dhe liderët serbë në pjesën veriore të Kosovës.
“Situata nuk është dramatike për ne serbët në Kosovë. Ende i kemi raftet plot me artikuj të ndryshëm”, ka thënë ajo.
Trajkoviq, e cila është mjeke me profesion, ka treguar se qendrat e mjekësisë familjare në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë furnizohen edhe nga Prishtina.
“Unë e di që Graçanica, sepse një kohë të gjatë e kam udhëhequr shëndetësinë, furnizohet me oksigjen nga Kosova”, është shprehur ajo
Zonja Trajkoviq ka thënë se taksa e Qeverisë së Kosovës i godet më shumë Beogradin dhe biznesmenët në Serbi.
“Unë mendoj se kjo është më shumë dramë për Beogradin. Më shumë do të godasë buxhetin e shtetit dhe biznesmenët në pjesën tjetër të Serbisë, se sa do të rrezikojë drejtpërdrejt stabilitetin e serbëve”, ka thënë ajo. (r.m.)