“Trashëgimia Ortodokse në Shqipëri” me numër të posaçëm

Në dt. 6 Prill 2017, në orën 18:00, në mjediset e Qendrës Sinodike, pranë Katedrales së re Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, promovohet botimi i numrit special “Trashëgimia Ortodokse në Shqipëri”.

“Trashëgimia Ortodokse në Shqipëri” është numri i parë i një gjerdani të veçantë botimesh që revista kulturore periodike “Art & Trashëgimi” ia kushton trashëgimisë kulturore dhe historike të komuniteteve fetare në vendin tonë.

Ky botim u realizua falë bashkëpunimit të stafit të revistës “Art & Trashëgimi” me Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Shoqatën Shqiptare të Studimeve Bizantine.

“Është e vështirë të përshkosh historinë e trashëgimisë së krishterë ortodokse në Shqipëri në funksion të ngërçeve dhe nevojave të ndryshme politike, fetare, gjeografike dhe kulturore që ajo ka njohur.

Duke ndjekur këtë qasje, jemi munduar t’i prezantojmë publikut vlerat dhe trajektoren e Ortodoksisë nga origjina deri në ditët tona, si lindi, si u zhvillua, si I mbijetoi sundimit Osman, si për afro një çerek shekulli mbijetoi e fshehur nga regjimi komunist dhe si u ringjall pas ateizmit komunist?”, shkruan Ilda Mara, drejtoreshë e botimit.

Emra të njohur në fushën e historisë, religjionit, arkitekturës, restaurimit, arkeologjisë, arteve të zbatuara, muzikologjisë, paleografisë dhe kodikologjisë, historisë së artit dhe letrave, si Kryepeshkopi Anastas, Hirësi Joan Pelushi, Aleksandër Meksi, Pirro Thomo, Kostantinos Giakoumis, Dhori Qiriazi, Lida Miraj, Shaban Sinani, Andi Rembeci, Skënder Muçaj, Sokol Çunga, Vladimir Myrtezai, etj.

Kanë kontribuuar me penën e tyre, duke i ofruar lexuesit një botim të çmuar historik mbi trashëgiminë e Ortodoksisë në Shqipëri.

“Rëndësia e madhe e traditave bizantine dhe ortodokse për krijimin e kulturës dhe identitetit modern shqiptar shfaqet në përmbajtjen e këtij botimi.

Larmia e madhe të temave të përzgjedhura reflekton praninë e Krishterimit Ortodoks në jetën shpirtërore dhe kulturën materiale në Shqipëri.

Ky botim ilustron, si një të tërë, shqetësimin e tij në një mënyrë udhëzuese dhe të mirë strukturuar.

Shpresoj që do të jetë një gur themeltar për të tjera hulumtime mbi kulturën e krishterë në Shqipëri”, shkruan në parathënien e tij Akademiku Johannes Koder, anëtar i Akademisë së Shkencave të Austrisë.

“Art & Trashëgimi” është një botim dygjuhësh, në shqip dhe anglisht, që promovon trashëgiminë kulturore, historinë dhe artet e bukura në Shqipëri.

Përmban informacione, artikuj historikë, analiza, reflektime si dhe ese të penave më të njohura të fushës.

Comment

*