Tre brezat e trimave kosovarë

 

Sinan Kamberaj

Sinan Kamberaj

Nga Sinan KAMBERAJ
_______

_______

 

I Pari nis nga Dy Vëllezër

Mustaqepërdredhur

Kallushanë si Arusha t’Malit

Që ishin zënë fytafyt

Për një bagël nē udhë –

Nëse ishte e Lopës a e Kalit …

 

Dhe, sakaq e kishin lënë fshatin

Po atë natë, tërë inat …

Pa lamtumirë!

 

E hajt – hajt, e hajt – hajt!

 

Mbas pesëdhjetë vjetësh

Na ishin takuar sërish

 

Për ta përsëritur marrinë

Secili në të vetën:

– E lopës ka qenë! – çartej njëri

– Jo e lopës, po e kalit! – tjetri!

 

Po, tashmë s’kishin takat për luftë

 

Kishin vdekur Vëllezërit e Marrë

Pa lënë gjë kryeshpirti

Përveç Anekdotës …

 

E hajt – hajt, e hajt – hajt!

 

Erdhi Brezi i Dytë –

Bijtë e vëllezërve legjendarë

Të varfër e të rrjepur

Gjithë ditën në hije t’ dardhës

Rronin me të vetmën drojë

Të mos i mundte Qyqja

Ditën e Shëngjergjit

Dhe të mos i hynin n’hak hyqymetit!

 

Mbrëmjeve mbas iftarit

Kur binte Tupani i Ramazanit

I Madhi mësyente drejt Xhamisë

Tjetri që shquhej për shkrim çirilicë

Çante udhën nëpër dritë hane

Drejt Stacionit t’Milicisë …

 

E hajt –  hajt, e hajt – hajt!

 

***

Erdhi koha e Nipërve

E “kumandantëve” – Brez i Tretë

Që i konvertojnë toskërisht

Nazalet e gegnishtes

Kur e rrjepin serbisht

KosovëNënën e tyre

Që e kanë çliruar

Me magji prej ‘Rognerit’

Larg – larg fronteve tê luftës!

 

As troku i Kalit të Anekdotës

Së Gjyshërve ahmakë

S’ua vret ndërgjegjen

 

Breza sojsuzësh!

 

______

 

30 Dhjetor 2016

 

Comment

*