Tre muskëterë dhe “toreadori” i BE-së sfidojnë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Prof. As. Dr. Nikolin Paloka

Në librin “Mozaik shënimesh”, që kam botuar më 2008 (nëpërmjet ShB “Flesh”), një vend të veçantë zë problemi i identitetit kombëtar, shqiptar, i ilustruar dhe me vlerësimet tepër pozitive, të disa autoriteteve europiane “për karakterin e virtytet e shqiptarëve”, që kanë qenë shtypur mizorisht nga të huajt, gjatë pushtimeve, dëbimeve dhe keqtrajtimeve mizore. Europa dhe sidomos Franca e ndonjë tjetër, kanë heshtur e aprovuar ose dhe i kanë nxitur këto. Ne, si popull bujar e liridashës, përkundrazi, kemi qenë paqedashës e mikpritës, duke i hapur portat kujtdo, duke i zgjatur dorën e miqësisë, të tolerancës, të bashkëpunimit, bashkëjetesës, paqes e miqësisë së sinqertë (dhe jo të shtirur siç bën Franca, Hollanda, Spanja e Danimarka). Ne kemi pranuar edhe emigrantë nga “bota e tretë” (kurdë, arabë, afrikanë, izraelitë, romë, arumunë…..), megjithë vështirësitë tona ekonomike… (ne kemi ndarë me mikun edhe “kafshatën e gojës”, sidomos gjatë pushtimit fashist….).
Shqipëria, ky vend me popull kaq të lashtë (“puro europianë”) që ka “lindur” dhe është rritur në Europë, ka luftuar sidomos në kohën e “legjendarit Skënderbe”, për mbrojtjen e Europës dhe të “Krishtërimit”. Ndaj nuk ka pse, t’i lutet ”Makaronit” (Makronit) që të na fusë në Europë (BE), sepse ne në Europë kemi tokën e popullin tonë, i cili, jeton në harmoni, pa i rënë askujt “në qafë” (pa i hapur luftë asnjë vendi). Përkundrazi, janë të tjerët, që na kanë “sakatuar” në shumë drejtime, përfshi edhe Francën, që së bashku me Rusinë… na “grabitën” tokat tona (mbi gjysmën e territorit) duke ia dhënë Jugosllavisë e Greqisë. Ndaj me të drejtë i madhërishmi AT GJERGJ FISHTA (personalitet i shquar i krishterë: letrar, historian, politikan… shkencëtar i vërtetë) e mallkon Europën (sidomos Francën, që kriminelin “Bonapart” e mban si heroin emblemë të saj, megjithë krimet monstruoze që bëri edhe ndaj popullit të tij me gijotinën “e famshme”. Ai, së bashku me kriminelin Fushe, “korrte”, në ditë të tëra, kokat e qindra mijëra francezëve (lexo “Fusheta” i Stefan Cvajkut). Po ato europiano – veriorët (me vikingët e tyre) pak kanë vrarë, plaçkitur, djegur… duke grabitur një pasuri të madhe të popujve të tjerë? Ne, si shtet i vogël bujar e paqedashës, që luftuam edhe bishën fashiste përkrah forcave aleate, pa na u dridhur qerpiku. Ndërsa francezët ia dorëzuan vendin kryekasapit të Europës e botës (Hitlerit) pa bërë njëherë “bam”. Edhe çlirimi i Francës i erdhi nga “forcat aleate” dhe jo nga dy-tre të shtëna, si “kofini pas të vjelave” të tyre.
Shqipëria dhe shqiptarët duhet të hynin në Europë (BE) që në vitet e para të vendosjes së demokracisë sepse: u çlirua vetë nga bisha fashiste; tregoi bindje pro-perëndimore; si shtet paqedashës (që nuk sulmoi asnjë vend të huaj), si vend që e përkrahu lëvizjen për “liri e demokraci”, duke rrëzuar regjimn monist; si vendi i vetëm në botë me harmoni të plotë të të gjitha besimeve fetare (muslimanë, katolikë, ortodoksë dhe bektashianë)…. si vendi ku rreth 93 për qind e popullit ishte dakord të futeshim në BE, si dhe në NATO (Franca e pati zbuar selinë e kësaj organizate, ndoshta për të treguar”trimëri” apo dinakëri e pabesi).
Kështu që ia vlen të citoj vargjet e Fishtës:
“Uh! Evropë, ti kurva e motit
Që i re mohit besës e Zotit.
Po asht ky sheji i qytetnisë,
me da tokat e Shqypnisë:
Për me “mbajt” klysht Rusisë?
Dhe këto para së gjithash ia “përkushtoi” Francës, që si atëherë edhe sot nuk e do Shqipërinë, megjithë elozhet dredharake që na “shet”, kohë pas kohe se gjoja “na do”. Ujku qimen e ndërron por jo vesin.
Ndërsa përsa i përket europiano – veriorëve, po më kujtohet se: në ato vende, në fillim të viteve 90; kur u hodh idea e përfshirjes së Shqipërisë në BE, u pat bërë një sondazh, ku shtrohej pyetja: “A duhet përfshirë edhe Shqipëria në BE?” (Botuar në gazetën “Koha Jonë”). Përgjigjia ishte “Jo”, sepse (renditeshin 5 – 6 arsye “të rëndomta”) ka korrupsion, burokratizëm… dhe është shtet musliman (pavarësisht se ka mbi 30 për qind kristianë, që jetojnë në harmoni të plotë me fetë e tjera). U revoltova shumë, sepse e kuptova që ishte kjo arsyeja kryesore (ndoshta edhe sot, sepse shihet qëndrimi i tyre edhe ndaj Turqisë), sepse korrupsion, emigracion, krim ….etj, ka në të gjitha shtetet e botës (në përmasa të ndryshme). Ndaj edhe sot s’kemi pse çuditemi, që ato nuk duan në Europë (thonë që në vitrinat e “supermarketeve” të këtyre shteteve, “reklamohen” femra nudo, që “shesin trupin e tyre” në mes të ditës për disa euro. A ka turp më të madh? Pastaj, mos vallë krimet më të mëdha në këto shtete i bëjnë shqiptarët dhe jo vetë shtetasit e tyre apo të tjerë? Turp, i logjikës infantile!
Unë si patriot i vjetër, shqiptar, i kam mbushur 83 vjeç dhe të dy vajzat e mia jetojnë në Amerikë e Kanada. Kuptohet, që nuk do ta shijoj hyrjen në BE (pas 10 – 15 vitesh), por më vjen keq për vendin tim, kaq të dashur, të bukur e bujar, që fati i tij varet nga ndonjë “homo” inaktiv, që në moshë të re martohet me një “plakaruqe”, që mund të ishte edhe “gjyshja” e tij. Megjithatë dihen shijet e bëmat e francezëve (me “Pigolonë” apo “Mullirin e Kuq”…). Puna e tyre! Janë “revolucionarë e demokratë” të vjetër me koncepte të çuditshme. Ata, kur e çliruan “Bastijën” (sipas disa historianëve) nuk hasën asnjë rezistencë, sepse të burgosur aty ishin vetëm 4 – 5 veta. Për këtë “heroizëm”, thonë se e kanë shpallur “çlirimin e Bastijës” festën e tyre kombëtare.
Është për të ardhur keq për këto dredhi e marrëzi, por më erdhi shumë keq edhe për Maqedoninë, që e bënë kurban, pas shumë premtimeve boshe, të cilat e detyruan të japë dorëheqjen kryeministrin Zajev. Ai bëri një gabim trashanik, historik, kur pranoi që për hir të futjes në BE, të ndryshojë emrin e shtetit të tij: nga Maqedoni, në Maqedoni të Veriut (marrëveshja hileqare e Prespës). Përse në BE nuk kërkoi nga Greqia që, krahinën e saj të Maqedonisë ta emërtonte: “Maqedonia greke”?
Fakt pozitiv është se shumica e udhëheqësve prestigjiozë të organizmave serioze, europiane, së bashku me 25 vende anëtare të BE-së, votuan pro nesh dhe tani shprehin haptas keqardhjen, që vetëm katër (“spurdhjakë”), pa dinjitet, u shprehën kundër. Këtë fakt duhet ta shënojnë me gërma të mëdha, anuarët prestigjiozë të HISTORISË BOTËRORE, duke damkosur me turp “kuartetin”: Francë, Hollandë, Danimarkë dhe Spanjë. Janë këto katër shtete që me veton e tyre po i hapin rrugën Ballkanit të “përqafohet si vëllezër” me Kinën, Rusinë …. e mjaft të tjerë, që na presin “KRAHË HAPUR”.
Shqiptarët patriotë, me “azil” në Francë, e kuptuan gabimin që kanë bërë dhe menjëherë, brenda ditës, 120 prej tyre, u rikthyen në ATDHE. Kështu duhet të bëjnë edhe të tjerët, që janë azilantë, sidomos, në vende të tilla, si: Franca, Hollanda, Danimarka apo dhe Spanja e ndonjë “pinjoll” tjetër ekuivalent me ata. Jo vetëm që “feja e shqiptarit asht shqiptaria”, por edhe vendi i shqiptarëve është “VETËM TE SHQIPËRIA”.

Nikolin PALOKA
Prof. As. Dr. (në pension)

Comment

*