Tre shqiptarë dënohen me burg për vendosje gjobash në Astoria, Nju Jork

Besnik Llakatura, officer i NYPD-së

Një ish-oficer i Departamentit të Policisë së Nju Jorkut (NYPD) është dënuar me më shumë se 14 vite burg për pjesëmarrje në “një grup të dhunshëm të krimit të organizuar” që kishte në shënjestër pronarët që hapnin biznese, në “territorin e tyre”, në lagjen Astoria.
Sipas prokurorëve federal, nga maji në nëntor 2013, Besnik Llakatura, officer policie i Komisariatit të 120, në Staten Island, u përbetua që të gjobiste një pronar restoranti në Astoria, të cilit i kërkoi pagesa mujore, në shkëmbim të “mbrojtjes”.
Bashkëpunëtorët e tij, Redinel Dervishaj dhe Denis Nikolla u dënuan përkatësisht me 57 dhe 18 vite burg.
Sipas Zyrës së Prokurorit të SHBA-së, Dervishaj kërkoi $4,000 nga pronari shqiptar për hapjen e restorantit në Astoria. Ironia është se pronari në fjalë e njihte personalisht Besnik llakaturën dhe e kishte kontaktuar vetë për ta lutur që ta ndihmonte nga gjobëvënësit, duke qenë se ishte officer i NYPD-së.
Llakatura i tha që në asnjë mënyrë të mos lajmëronte policinë për atë punë, sepse Redinel Dervishaj do të hakmerrej shumë keq se kishte lidhje të forta me krimin e organizuar. Në atë kohë, vëllai i Redinelit, Plaurenti, ishte i kërkuari më i madh për krime i Shqipërisë.
Dervishaj dhe Nikolla e kërcënuan viktimën në një rrugë në Queens dhe e ndoqën me armë në dorë kur refuzoi të paguante. Viktima ia mbathi me veturën e tij dhe Dervishaj i tha se “kësaj here pate fat”. Gjatë pesë muajve në fjalë, secili prej të akuzuarve mblodhi gjoba që arrinin deri në 24 mijë dollarë.
Në një rast tjetër, ata u përpoqën t’i vënë gjobë dy klubeve sociale në Astoria. Kërkuan nga 1,000 dollarë në javë për “mbrojtje”, mirëpo viktima refuzoi të paguante. Hetuesit i kishin vënë në përgjim dhe kishin regjistruar sesi të tre të akuzuarit punonin së bashku për të identifikuar, gjurmuar dhe kërcënuar viktimat.
Në një rast, ata gjetën një shok të viktimës, e kërcënuan dhe e goditën me grusht, pastaj i treguan armën dhe i thanë që t’i çonte fjalë pronarit të klubeve. Në fund, ky i fundit, u detyrua t’i shiste klubet dhe të largohej nga Amerika për t’u shpëtuar gjobitësve.
“Në shkelje flagrante të detyrës për të cilën ishte betuar që do t’i shërbente dhe mbronte komunitetin, ish-oficeri i policisë Llakatura me ortakët e tij kriminelë përdorën drojën, frikësimin dhe kërcënimet për dhunë që të merrnin pagesa nga qytetarë punëtorë që guxuan të hapnin biznese në të ashtuquajturin territor të tyre, në Astoria, Queens”, tha Prokurori i Amerikës, Richard P. Donoghue. “Dënimi i sotëm jep mesazhin se askush nuk është mbi ligjin dhe nëse një officer police kryen krime kundër komunitetit të cilit i shërben, atëhere ai do të mbahet plotësisht përgjegjës për këtë”.
Llakatura u dënua me 171 muaj burg dhe pastaj do të mbahet nën vëzhgim për pesë vite. Ai ishte pezulluar pa pagesë që nga dhjetori 2013 dhe u përjashtua nga NYPD pasi pranoi krimin, në dhjetor 2015.

Comment

*