“Trepça” e veriut shet mbi 8 mijë tonë zink, për 9.7 milionë dollarë

Prishtinë, 21 maj 2018 – Ndërmarrja Publike “Trepça”, pjesa që e ka qendrën në Leposaviq, pritet të kontraktojë shitjen e koncentratit të zinkut që do të prodhohet brenda një viti.

Kjo ndërmarrje, e cila zyrtarisht është pronë e Qeverisë së Kosovës, e ka shpallur fituese të tenderit për shitje të koncentratit kompaninë “Zaklady Gorniczo- Hutnicze “Boleslaw S.A” nga Polonia. Aksionar minor i kësaj kompanie është shteti i Polonisë, ndërsa pjesën dërmuese të aksioneve i ka kompania “Stalproduct S.A. Capital Group”.

“Trepça” planifikon që brenda një viti të prodhojë 8 mijë e 100 tonë koncentrat të zinkut.

Për këtë sasi të zinkut, kompania nga Polonia e rekomanduar për kontratë ka ofertuar me 9 milionë e 227 mijë dollarë amerikanë (në njoftimin për dhënie nuk është saktësuar nëse është euro apo dollar, mirëpo në dosje është kërkuar që oferta të bëhet në dollarë, bazuar në bursën “London Metal Exchange”).

Në dosjen e tenderit thuhet se xehja e zinku që do të shitet do të nxirret nga miniera e “Bellobërdës” dhe nga ajo e “Cërnacit”, ndërsa do të përpunohet në Flotacionin e Leposaviqit.

Qeveria e Kosovës është bërë aksionari kryesor i “Trepçës” me ligj të veçantë. Aktualisht 80 për qind të aksioneve të kompanisë i takojnë Qeverisë së Kosovës, ndërsa 20 për qind pritet t’u ndahen punëtorëve të saj.

Qeveria është vonuar me emërimin e bordit të kësaj ndërmarrje, i cili duhet ta hartojë statutin e saj.

Bordi i emëruar së fundmi, siç ka gjetur Gazeta Jeta në Kosovë, ishte emëruar në kundërshtim me ligjin. Hulumtimi i gazetës tregon se anëtarët e bordit të kësaj ndërmarrjeje kanë të kaluar politike, në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

/Kallxo.com/

Comment

*