Tri shtyllat e platformës së Albin Kurtit për udhëheqjen e Vetëvendosjes

Prishtinë, 14 janar 2018 – Kandidati i vetëm për kryetar të Vetëvendosjes, Albin Kurti, në prezantimin e platformës së tij për udhëheqjen e partisë, ka treguar se kjo platformë bazohet në tri shtylla.

Gjatë prezantimit të tyre, ai theksuar se për sa kohë i shtyn përpara këto tri ide, Vetëvendosje “është një organizim me rëndësi historike për shqiptarët, e jo thjesht një subjekt politik i radhës”.

Kurti ka shprehur keqardhje që ai është kandidat i vetëm për kryetar të partisë, por ka theksuar se kjo nuk do të thotë se në Vetëvendosje mungon demokracia.

“Ashtu sikurse që disa kandidatë nuk janë garanci për zgjedhje demokratike, edhe një kandidat nuk tregon mungesën e saj”, ka theksuar ai.

Pjesa e platformës së Kurtit që flet për tri shtyllat kryesore të Vetëvendosjes:

“Janë tri shtylla mbi të cilat qëndron si në themele subjekti ynë:

  1. Emri ynë jemi ne. Ne që lëvizim për të vendosur vetë qytetarët. Në parim, e drejta për vetëvendosje demokratike të popullit të Kosovës, është e drejta që ky popull të shprehet për shtëpinë e vet, se a e do Republikë a Monarki, a e do bashkë me Shqipërinë a jo. Brenda kërkesës për realizimin e kësaj të drejte pozicioni subjektiv i Lëvizjes VETËVENDOSJE! është për Republikë dhe për Bashkim me Shqipërinë, si e drejtë qytetare dhe njerëzore, në frymën e bashkimit të kontinentit tonë evropian, si nevojë ekonomike, e sigurisë dhe kulturës të të gjitha shtresave të shoqërisë sonë. Serioziteti ynë është vendimtar për t’i bindur partnerët ndërkombëtarë që të jenë bashkëpunues me neve në këtë projekt, i cili është edhe në të mirë të rajonit.
  2. Programi ynë e bën zhvillimin. Ai vazhdimisht është përmirësuar e përditësuar. Kështu do të jetë edhe në vijim. Një program jodogmatik por shumëdoktrinor, ku fokusi është te nevoja për zhvillim ekonomik, për mbrojtje të prodhimit vendor deri në mundësinë për të konkurruar (përparësia krahasuese), për luftim të pabarazisë me solidaritet dhe rishpërndarje, për sektor privat në të cilin konkurrenca dhe bashkëpunimi nuk mohojnë njëra-tjetrën, për të drejtat e njeriut dhe të pakicave, për ruajtjen e mjedisit, gjithnjë sipas modeleve të socialdemokracisë evropiane.
  3. Ne përbëjmë organizatën tonë. Zhvillimi i një organizate transparente, ku çfarë thuhet, bëhet, sipas statutit e me rregullore. Një organizatë që ka vend për njerëz me mendime të ndryshme, që nxit kritikat konstruktive dhe i dënon provokimet, shpifjet e sidomos abuzimet prej atyre me pozitë të lartë ndaj atyre me pozitë më të ulët, një organizatë që vlerëson faljen si dhe kërkim-faljen, një organizatë që promovon vetëpërmbajtje të aktivistit i cili duhet të jetë shembull për qytetarin. Dhe, për fund, një organizatë që i kushton rëndësi leximit e studimit e shkencës, pra dijes, artit e kulturës, pra edhe shijes përveçse dijes, sepse një aktivist apo politikan i pakulturuar, i paditur, zhvillon komplekse të cilat dëshpërueshëm orvatet t’i shërojë përmes pushtetit.

Këto pra janë themelet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! të cilat edhe nëse nuk i arrin, është gjithnjë në përpjekje për t’i arritur, edhe nëse nuk i përsos, është gjithnjë në përpjekje për t’i përsosur. Për sa kohë Lëvizja me efikasitet i shtyn përpara këto tri ide, ajo është një organizim me rëndësi historike për shqiptarët, e jo thjesht një subjekt politik i radhës.

Më vjen keq që nuk do të kemi edhe një platformë tjetër të ndokujt tjetër që më kundërshton. Kam shpresuar që do të ketë edhe kandidatë të tjerë për kryetar, por, kjo nuk varej prej meje. Ndonëse, ashtu sikurse që disa kandidatë nuk janë garanci për zgjedhje demokratike, njësoj edhe një kandidat nuk tregon mungesën e saj. Në njërën anë, vullneti dhe entuziazmi i anëtarësisë së VETËVENDOSJE!-s dhe organeve të Lëvizjes duhet të shprehet në përcaktimin e tyre të lirë, ndërkaq, në anën tjetër, statuti ynë demokratik e kërkon pikërisht një gjë të këtillë tash.

(r.m.)

One Response to “Tri shtyllat e platformës së Albin Kurtit për udhëheqjen e Vetëvendosjes”

Read below or add a comment...

  1. Veterinari per VV says:

    Qe po e thjeshtesoj kete shtyllizem:

    1. Bashkimi i shteteve apo themelimi i shteteve deri me sot , pra prej themelimit te shtetit te pare deri te i fundit eshte be…ekskluzivisht duke i falenderuar nje ligji qe quhet:

    LIGJI I FORCES………….PRA NESE KE FORCE BEN BASHKIM NESE JO NUK BENE.

    2. Shtylla per zhvillim qenka diqka abstrakte pa asnje spjegim…….sidomos per pronesi……private apo shtetrore.

    3. Shtylla tre…..eshte krejt pallaver.

Comment

*