Tritan Shehu: ”Ndryshimi i kufijve, skenar i hershëm i Beogradit”

Tiranë, 10 gusht 2018 – Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Tritan Shehu, tani deputet i PD-së në Kuvendin e Shqipërisë, ka thënë se ndryshimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor është një skenar i hershëm i Serbisë dhe disa aleatëve të saj.

Në një intervistë për Report Tv, Shehu ka thënë se ky ka qenë një plan i hershëm i Beogradit, për t’i lënë jashtë BE-së vendet e Ballkanit.

“Unë këtë ide të shkëmbimit të territoreve e kam dëgjuar më përpara, realisht si produkt të politikave të Beogradit për të mbajtur rajonin si një zonë të pastabilizuar. Për ta destabilizuar, lëshojnë të tilla ide që nuk janë vetëm të tyre, por edhe të disa aleatëve të tyre që duan ta shikojnë rajonin në trazira, rrëmujë, mungesë stabiliteti”, ka thënë ai.

Shehu ka theksuar se ndryshimet e kufijve midis Kosovës e Serbisë do të kishte pasoja për paqen e sigurinë në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ish-ministri i jashtëm shqiptar e ka cilësuar si “kështjellë në rërë” idenë e Presidntit të Kosovës  për bashkim me Kosovën të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.

“Tingëllon shumë bukur, por është si një kështjellë e ndërtuar në rërë, si një megaplatformë e ndërtuar në boshllëk. Çka do të shkëmbesh në lidhje me këtë gjë? Nëse dikush mendon se Serbia është kthyer në një lepurush të butë dhe është gati të japë çdo gjë, unë mendoj se gabon. Pas Serbisë qëndrojnë të tjera fuqi, të cilat synojnë të krijojnë destabilizim në rajon”, është shprehur ai.

Sipas Shehut, e rrezikshme është dhe ideja e hedhur nga ministri shqiptar i Diasporës, Pandeli Majko, për heqjen e kufirit mes Shqipërisë e Kosovës, prej 1 janarit të vitit të ardhshëm.

“Hedhin fishekzjarre atje, duke kaluar në një ekstrem, i cili, po të merrej seriozisht nga të huajt, do të konsiderohej si një deklaratë e rrezikshme”, është shprehur ai. (r.m.)

Comment

*