Gazetari serb: Hetimet për vrasjen e Ivanoviqit çojnë në zyrën e Gjuriqit

Beograd, 11 korrik 2018 – Gazetari serb, Stefan Cvetkoviq, i cili është marrë me rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, në Mitrovicën Veriore, ka thënë se dyshimet e bazuara flasin për lidhje të autorëve të vrasjes me Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Cvetkoviq, i cili ka shkruar shumë herë lidhur me vrasjen e Ivanoviqit, ka thënë se vrarësit e Ivanoviqit kishin kontakte të ngushta me disa persona në Zyrën për Kosovën, në Beograd.

“Ivanoviq është ekzekutuar. Hetimi tregon për ekzistencën e dyshimit të bazuar se organizatorët e vrasjes së Ivanoviqit kishin kotankte të ngushta me individë nga zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë”, citohet Cvetkoviq nga lajmi.net.

Në një konferencë për media, gazetari Cvetkoviq ka bërë të ditur se ai ka qenë disa herë në Kosovë, ku ka pasur edhe kontakte edhe me prokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Cvetkoviq është paraqitur në konferencë me fashë në kokë, pasi dy netë më parë është sulmuar brutalisht, në një kafene në qytetin e tij, në Bela Crkva.

Ai ka thënë se emri i personit që ka tentuar ta vrasë është më pak i rëndësishëm se sa të mësojë se kush ka dhënë urdhër për vrasjen e tij.

Nga fotografitë që qarkullojnë në rrjetet sociale dhe në medie Cvetkoviq shihet i përgjakur me një të çarë mbi sy.

Gazetari Stefan Cvetkoviq ishte rrëmbyer më 13 qershor, por ishte gjetur nga policia pas disa orësh kërkimesh. Autoritetet e Serbisë nuk kanë dhënë informacion të plotë lidhur me rastin e rrëmbimit, ndonëse këtë rast e ka përdorur për qëllime propagandistike edhe vetë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. (r.m.)

Comment

*