Trump bën përsëri marrëveshje me Demokratët: Siguron të rinjtë e programit DACA

Ruben Avxhiu

Presidenti Donald Trump ka shtangur edhe njëherë tjetër aleatët e tij Republikanë, duke u takuar dhe bërë marrëveshje me opozitën demokrate.
I pakënaqur nga përçarjet mes Republikanëve në Kongres ai ka gjetur mënyrën për të mbledhur një shumicë me Demokratët dhe Republikanët e krahut më liberal.
Kësaj here në qendër të bisedës kanë qenë “ëndërrimtarët” (Dreamers) emigrant pa dokumente që kanë sjellë në Amerikë nga prindërit kur ishin fëmijë e që nuk njohin ndonjë vend tjetër në botë.
Presidenti Barack Obama nxori një urdhër presidencial për programin DACA që i ndan këta emigrantë, praktikisht amerikanë, nga të tjerët që nuk kanë dokumente. Trump kishte kërcënuar se do ta anullonte programin, por tani është tërhequr.
Udhëheqësit demokratë (Chuck Schumer, në Senat) dhe Nancy Pelosi (në Dhomën e Përfaqësuesve) biseduan gjatë me Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë, ku ishin ftuar për darkë. Ata thanë se kishin rënë dakord që të çimentonin mbrojtjen për këta emigrant rinj duke nxjerrë shpejt një ligj posaçërisht për ta. Ligji do të përmbajë edhe një zgjidhje për sigurinë e kufirit por pa përfshirë Murin që ka premtuar Presidenti Trump.
Shtëpia e Bardhë ka reaguar shpejt duke sqaruar se Presidenti Trump nuk ka rënë dakord që të heqë dorë nga Muri.
Republikanët kanë filluar të shqetësohen nga këto lëvizje të Presidentit Trump.
Po Presidenti duket i pashqetësuar nga kjo: Legjislavionet më të mëdha në historinë e amerikës janë bërë në mënyrë dypartiake. Prandaj edhe ne ashtu do të përpiqemi që ta bëjmë”, u tha ai gazetarëve.
Disa opinionistë konservatorë kanë reaguar me nervozizëm ndaj lajmit sonte duke i kujtuar Presidentit Trump që të mos harrojë premtimet që ka bërë në fushatë. (Ruben Avxhiu)

Comment

*