Trump kërcënon me mbylljen e qeverisë, nëse Kongresi s’e miraton Murin e Meksikës

Uashington, 29 korrik 2018 – Presidenti Donald Trump sot kërcënoi se do ta mbyllë qeverinë, në se Kongresi nuk miraton financimin për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit me Meksikën, me synimin për të penguar imigracionin e paligjshëm.

Udhëheqësi amerikan tha se “demokratët e opozitës duhet t’i japin votat e nevojshme për sigurinë në kufi, ku përfshihet Muri!” dhe për ndryshime të tjera të politikës së imigracionit.

Por, ligjvënësit republikanë kanë qenë të ndarë për ndryshimin e politikave të imigracionit, duke i hedhur poshtë dy herë javët e fundit propozimet e presidentit për këtë çështje, sikurse edhe opozita e unifikuar demokrate.

Në një koment në Twitter, Trump bënte thirrje që Shtetet e Bashkuara “më në fund të kenë një sistem imigracioni mbi bazën e meritave. Duhet që në vendin tonë të hyjnë njerëz të mirë”, shkruante në twittin e tij të së dielës Presidenti.

Ndërtimi i Murit ndarës me Meksikën ka qenë një premtim i fushatës së zgjedhjeve presidenciale të zotit Trump. Muri kushton 20 miliardë dollarë, por Kongresi deri tani ka miratuar vetëm 1,5 miliardë dollarë për sigurinë në kufi.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*