Trump, nuk ka ndihmë për “Brexit” nëse nuk e ftojnë në dasmën e Princit Harry

Një marrëveshje historike tregëtare mes aleatëve tradicionalë Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shpresa më e madhe e mbështetësve të Brexit.
Ata kanë argumentuar që nga fillimi si lidhja historike britaniko-amerikane është e penguar nga kufizimi i Mbretërisë brenda Bashkimit Europian.
Mirëpo, kjo marrëveshje mund të jetë në rrezik nëse Donald Trump nuk merr një ftesë për dasmën mbretërore mes Princit Harry dhe aktores amerikane Meghan Markle.
Kështu ka thënë Michael Wolff, autori i librit më të shitur të ditës, “Zjari dhe Inati: Brenda Shtëpisë së Bardhë të Trumpit”, duke shpjeguar se mënyra se si Presidenti i trajton marrëdhëniet me jashtë është e thjeshtë.
“Nëse ju britanikët i bëni lajka dhe i bashkoheni në çfarëdo fantazi gjeopolitike që zhvillon, atëhere ai do t’ju japë çdo gjë që dëshironi – sa kohë që nuk i prish punë atij”.
Në këtë prizëm, nëse nuk e ftojnë në dasmën e vitit, atë mbretërore në Londër, ai nuk do ta gëlltisë injorimin, aq më shumë nëse në dasëm do të jetë ish-presidenti Barack Obama me të shoqen. Britanikët nuk mund ta injorojnë në dasmën mbretërore dhe pastaj të kërkojnë ndihmën e tij për një marrëveshje tregëtare post-Brexit.
Ka në fakt, kohë që flitet se mbretërorët nuk do ta ftojnë në mënyrë të qëllimshme.
Aktorja Meghan Markle e ka përshkruar Presidentin Trump si përçarës dhe misogjinist. Nga ana tjetër, Princi Harry ka miqësi me ish-presidentin Obama me të cilin është takuar disa herë.
Bashkimi në martesë i një princi anglez me një aktore amerikane shihet si ngjarje përrallash nga media. Meghan do të jetë edhe nusja e arë në historinë e kurorës që nuk do të jetë e racës së bardhë. Interesi është i jashtëzakonshëm. Sipas Michael Wolff, Trump do ta marrë mungesën e ftesës si një fyerje personale.
Vetë Presidenti Trump e ka quajtur “mashtrues” autorin ndërsa librin më të fundit për të si një grumbull gënjeshtrash. (Ruben Avxhiu)

Comment

*