Trump refuzon të marrë pjesë në debat virtual me Bidenin

Uashington, 8 tetor 2020 – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha sot se nuk do të marrë pjesë në një debat me rivalin e tij, demokratin Joe Biden, nën një format të ri, në bazë të të cilit kandidatët do të debatonin virtualisht në distancë.

Në një intervistë me televizionin Fox Business Network, Presidenti Trump tha se formati i ri virtual i shpallur nga Komisioni për Debatet Presidenciale nuk është i pranueshëm për të.

“Nuk do të harxhoj kohën me një debat virtual”, tha ai.

Komisioni i debateve tha të martën se kishte vendosur që debati i dytë mes kandidatëve për president,  i planifikuar për 15 tetor, me pyetje nga votuesit dhe moderatorët, të zhvillohet në mënyrë virtuale, pas diagnostikimit të Presidentit Trump me COVID-19.

Sipas planit të komisionit, Presidenti Trump dhe rivali i tij Joe Biden do të flisnin nga distanca, ndërsa votuesit dhe moderatorët do të bënin pyetje nga Majemi i Floridës, ku ishte planifikuar fillimisht debati.

Presidenti Trump tha se nuk e ka ndërmend të ulet përpara kompjuterit për të debatuar, duke e quajtur “qesharake” këtë formë debati.

Fushata e tij tha se Presidenti do të japë prova të testimit negativ përpara debatit, prandaj nuk është e nevojshme që debati të zhvillohet virtualisht.

Nga ana e saj, fushata e zotit Biden tha sot se e pranonte ndryshimin e rregullave.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*