Trump: Rezultatet e vaksinës anti-COVID-19 nuk u publikuan, që të më mohohej fitorja

Uashington, 10 nëntor 2020 – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nuk e ka pritur mirë njoftimin për gjetjen e vaksinës efektive kundër koronavirusit.

Trump e ka akuzuar Administratën e Ushqimeve dhe Ilaçeve (FDA) dhe demokratët se e shtynë njoftimin për gjetjen e vaksinës, me qëllim që ta pengonin atë t’i fitonte zgjedhjet presidenciale.

“FDA dhe demokratët nuk donin që ta më jepnin fitoren për vaksinën para zgjedhjeve, kështu që rezultatet dolën pesë ditë më vonë. Siç e kisha thënë prej kohësh. FDA duhet ta kishte shpallur më parë, jo për arsye politike, por për të shpëtuar jetë”, ka shkruar Trump në Facebook.

 

Trump ka thënë gjithashtu se “nëse  Joe Biden  do të kishte qenë president, vaksina nuk do të kishte dalë edhe për katër vite të tjera”

Kompania “Pfizer“ njoftoi të hënën se vaksina e saj është treguar e suksesshme te 90 për qind të të testuarve. Këto të dhëna do të analizohen nga FDA për të filluar edhe programin e vaksinimit masiv.

Trump kishte thënë vazhdimisht se vaksina do të dilte para zgjedhjeve presidenciale, por nuk ndodhi kështu.

Më parë, “Pfizer“ kishte paralajmëruar se në muajin tetor do të mësonte rezultatet e testimeve të vaksinës së saj, por e ndryshoi datën e shpalljes së rezultateve me arsyetim se nga FDA e priste miratimin për përdorim emergjent të vaksinës, në javën e tretë të nëntorit.

(r.m.)

Comment

*