Turizmi kosovar prezantohet në panairin e Berlinit

Berlin, 9 mars 2017 – Tetë operatorë turistikë të Kosovës po marrin pjesë në panairin e turizmit “ITB Berlin 2017” që po mbahet në Berlin të Gjermanisë.

Kosova në këtë panair prezantohet në mesin e mbi 180 vendeve pjesëmarrëse.

Në shtandin e Kosovës së bashku me përfaqësuesit e KIESA-s, ofertat turistike po i promovojnë këta tour operatorë dhe agjenci turistike: : “Kosova Holidays”, “Altavia Travel”, “Traveks”, “Vas Tour”, “Outdoor Kosovo”, “Fibula”, “Eurokoha” dhe “Catun”.

Gjatë panairit, operatorët turistikë po prezantojnë ofertat e tyre individuale dhe mundësitë që i ofron Kosova në fushën e turizmit. Ofertat të cilat po prezantohen në Berlin janë të larmishme. Ato përfshijnë aktivitete të ndryshme në natyrë, ecje, çiklizëm, vizita në vende me trashëgimi kulturore dhe historike, etj.

Pjesëmarrja e Kosovës në panairin “ITB Berlin 2017”, synon të forcojë lidhjet ekzistuese me sektorin e turizmit në Gjermani dhe me tregje të tjera ndërkombëtare, të prezantojë paketat e reja turistike për sezonin e vitit 2017 dhe të ndajë informata të përgjithshme për Kosovën.

Pjesëmarrja e Kosovës në panairin “ITB 2017” është organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), me mbështetje nga Swisscontact – Promoting Private Sector Employment dhe USAID EMPOWER Private Sector.

Panairi do të jetë i hapur deri më 12 mars 2017. (r.m.)

Comment

*