Tusk: Shqipëria e ka vendin në BE, do të bëhet anëtare

Bruksel, 13 korrik 2018 – Vendi i Shqipërisë pa asnjë dyshim është në Bashkimin Evropian dhe Shqipëria do të bëhet një anëtare e BE-së. Kështu ka deklaruar të premten në Bruksel, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Por, ai ka theksuar se Shqipëria duhet të vazhdojë me këtë temp reformash dhetë jetë në gjendje që t’i përmbushë të gjitha rezultatet e kërkuara deri në qershorin e ardhshëm, për të arritur këtë objektiv.

Presidenti i KE-së, Tusk, e ka falënderuar kryeministrin Rama për një punë të shkëlqyer.

“Kanë kaluar vetëm pak javë, që kur Këshilli vendosi të përcaktojë rrugën drejt hapjes së negociatave me Shqipërinë, në qershor 2019 dhe Komisioni ka nisur që tani punën përgatitore. Ky është një vendim që ka qenë unanimisht i miratuar nga të gjithë krerët dhe qeveritë e BE-së. Ky progres nuk do të kishte qenë i mundur pa progresin e qëndrueshëm dhe të pakthyeshëm në rrugën e reformave që ka bërë Shqipëria”, ka thënë Tusk, përcjell Koha.net

“Pa dyshim kjo nuk do të kishte qenë e mundur edhe pa angazhimin personal të kryeministrit Edi Rama dhe energjinë e tij pozitive, prandaj shumë faleminderit kryeministrit të Shqipërisë që ka bërë një punë të shkëlqyer”, ka shtuar ai.

Presidenti i KE-së ka shprehur dëshirën dhe shpresën që të gjitha forcat pro perëndimore në Shqipëri të punojnë drejt të njëjtit qëllim dhe i ka vlerësuar përpjekjet e Qeverisë shqiptare dhe të kryeministrit Rama për të sheshuar divergjencat me Greqinë si prova më e mirë për angazhimin e Shqipërisë ndaj BE-së, dhe ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore, si dhe për partneritetin lidhur me sigurinë e migracionin.

“Më lejoni të ritheksoj se Shqipëria mbetet një partner i mirë dhe një mik i BE-së në lidhje me sigurinë e migracionin, ku kemi një bashkëpunim të fuqishëm dhe të qëndrueshëm. Sot, gjithashtu, biseduam dhe ramë dakord për nevojën për të rritur përpjekjet në lidhje me çrrënjosjen e migracionit të jashtëligjshëm në Shqipëri”, ka thënë presidenti i KE-së, Donald Tusk.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka përshëndetur vendimin e Këshillit Evropian që në qershor të vitit të ardhshëm të hapë negociatat me Shqipërinë, në qoftë se shqipëria i përfundon deri atëherë reformat e filluara.

“E di që nuk ishte i lehtë, por në fund është shumë e rëndësishme që tani Shqipëria ka një datë për të hapur negociatat formalisht dhe ka dritën e gjelbër për të filluar menjëherë punën përgatitore, që zakonisht është ajo që ndodh pas hapjes së negociatave”, ka thënë Rama.

“Ka shumë rëndësi për ne që të futemi në këtë proces dhe gjatë këtyre 12 muajve të punojmë fort për të arritur rezultat të mirë, që kur të futemi formalisht në negociata të kemi fituar kohë dhe të ecim më shpejt”, ka theksuar ai.

Rama ka thënë se Shqipëria është e angazhuar të zgjidhë sa më parë problemet e vjetra me fqinjët.

“Jemi përsëri shumë të angazhuar ndaj rrugës evropiane dhe zgjidhjes së problemeve të vjetra me fqinjët e jugut dhe kemi bërë progres të mirë. Shpresoj se do ta përfundojmë me sukses këtë dialog të vështirë, të hapur, por të sinqertë, siç jemi të angazhuar njëkohësisht ndaj bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal”, ka thënë Rama.

Ai ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të arrijë në Tiranë komisari për Zgjerim, Johanes Hahn, për të biseduar me të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces. (r.m.)

Comment

*