TV “Kultura Shqiptare” festoi me madhështi 20 vjetorin e krijimit të tij

Nga Keze Kozeta Zylo

Në sallën e koncerteve në Symphony Space në Manhattan një vend drite i artit dhe kulturës, qindra shqiptarë erdhën dhe festuan së bashku 20 vjetorin e krijimit të TV “Kultura Shqiptare” me themelues dhe producent z.Adem Belliu.  Sigurisht pas një burri te suksesshëm thuhet se në krah qëndron një grua po aq punëtore dhe e sukesshme siç është zonja Mimoza Belliu e cila së bashku me dy fëmijët Gertoldin dhe Verën arritën që të realizonin ëndrrën e tyre të bukur në Amerikë.  20 Vjetori i krijimit të TV “Kultura Shqiptare” është një histori suksesi, është një punë sa me sakrifica, por po aq dhe e bukur.

Të shkosh me kamera në dorë, të ndjekësh aktivitetet e ndryshme kulturore, artistike, festat kombëtare që zhvillojnë organizatat e ndryshme në diasporë është një pune jo fort e lehtë, është një punë që do pasion, durim dhe profesionalizëm, të cilat ata i kanë si një trinom të pandashëm.

Kremtimi i 20 vjetorit ishte konceptuar me realizimin e një koncerti të larmishëm si natë çmimesh ku debutuan artiste të mirënjohur shqiptarë dhe disa prej tyre kanë dhënë shfaqje në skenat botërore, çka e bënte dhe më interasante dhe më tërheqëse këtë natë magjike artistike.  Regjisor i këtij koncerti ishte artisti Andis Gjoni.

Mbrëmjen e ka hapur z.Gertold Belliu bashkëthemelues i TV “Kultura Shqiptare” i cili ka përshëndetur gjithë pjesëmarrësit.  Në sfond u shfaq dokumentari rreth historisë 20 vjeçare të TV “Kultura Shqiptare”.

Prezantueset e kësaj mbrëmjeje ishin zonjushet bukuroshe Meryl Hila, Dea Elezaj dhe djemtë simpatike Vasilio Mosko dhe Klaudio Rroku.

Koncerti u hap me “Fjalët e qiririt”, “Mësonjëtorja” që janë interpretuar nga tenori Riad Ymeri i cili bashkë me zërin dukej sikur sillte pakëz dritë, dritëz shqipërie.

Në këtë natë jubilare që u quajt dhe nata e çmimeve u nderuan disa organizata dhe aktivistë që kanë pasur një bashkëpunim të ngushtë me TV “Kultura Shqiptare”.  I pari që u nderua me çmim ishte shoqata “Vatra”, shoqata më e vjetër dhe me jetëgjatësinë më të lartë në botën shqiptare.  Në emër të shoqatës “Vatra”, çmimin e mori z.Dritan Mishto kryetar i Vatrës dhënë nga z.Adem Belliu.

“Vjeshta” me lluksin aristokratik u interpretua nga tre instrumentistë me plot elegancë si Gjilberta Lucaj, Akiko Chiba dhe Anat Almani.

Fiorela Miria një vajzë që premton shumë me zërin e saj të bukur interpretoi këngën “The laughing song” nën shoqërimin e pianistes së talentuar Hermira Gjoni.

Z.Richard Lukaj “Nderi i Kombit” i dorëzoi çmimin e nderit shoqatës së mirënjohur “Motrat Qiriazi”.  Në emër të kësaj shoqate çmimin e mori presidentja e saj zonja Beti Beno Esq.

Zonjusha Elona Muça dhe Youn –hee Kim kanë interpretuar “Libertango”, A.Piazolla, ndërsa Klajdi Cerriku ka interpretuar “Rini e qeshur” nga A.Krajka.

Sopranoja e mirënjohur Dëshira Ahmeti Kerliu solli shenjtëreshën shqiptare në skenë Nënë Terezën me Hymnin e saj “Valsi Hyjnor” nën shoqërimin e artistëve Mialtin Zhezha dhe Ida Tili Trebicka.

“Albanian American Civic League me president ish kongresistin Joe Dio Guardi u nderua me çmim në emër të së cilës e mori z.Agim Aliçkaj dhënë nga Kozeta Zylo bashkëthemeluese e TV “Alba Life” dhe e Shkollave Shqipe.

Artisti i shquar Frederik Ndoci ka performuar “Balada e Gurit” këngë fituese e Festivalit dhe që hyri në konkurrim në Festivalin europian.

Lorivert Cobo interpretoi “Sabre Dance” nga A.Khachaturian shoqëruar nga pianistja e njohur Ida Tili Trebicka.

Ish gazetari i Zërit të Amerikës z.Gjekë Gjonlekaj Publishing Co. është nderuar me çmim dhënë nga zonjusha Vera Belliu bashkëpunëtore e TV “Kultura Shqiptare” qysh në moshën 4 vjece, vajza bukuroshe që drejton me aq kulturë dhe mirësi.

Ansambleisti i shtetit të Nju Jorkut z.Mark Gjonaj ka nderuar me proklamatën e mirënjohjes TV “Kultura Shqiptare” dhe ka vlerësuar lart punën e palodhur të drejtuesve dhe të gjithë stafit të tij.

Motrat Enesa dhe Jona Dedinsa veshur me kostum kombëar interpretuan plot dashuri këngën “Brezi me kapuc të bardhë”.

Shoqata “Atlantiku” u nderua nga TV “Kultura Shqiptare” në emër të së cilës e mori kryetari i saj gjenerali Gani Shehu dhënë nga veterani i Luftës z.Gjocaj

Mjaft prekëse ishte vidioja e shfaqur në nderim të atyre që janë larguar nga kjo botë dhe që kanë qenë aktive në TV “Kultura Shqiptare”.

Me duartrokitje të stuhishme u mirëprit artisti i skenës shqiptare Mirush Kabashi i cili kishte udhëtuar nga larg ardhur nga Shqipëria jonë e dashur.  Mjeshtërisht dhe me një nivel të epërm interpretoi poezinë nga  “Ah, moj Demokraci”!…shkruar nga poeti i mirënjohur i ndjeri Pano Taçi ish i persekutuar politik.

Artistja e vogël dhe shumë e dashur për publikun Valentina Veizaj intepretoi “Këndoj për Shqiptarinë”.

Editori i gazetës “Dielli” z.Dalip Greca u nderua me çmim nga TV “Kultura Shqiptare” dhënë nga znj.Flora Nikolla presidente e Albanian Excellence.

Një buqetë me lule nga të gjitha trevat shqiptare solli sopranoja e mirënjohur shqiptare Lindita Mezini Lole nën titullin “Jehonë Shqiptare” me orkestracion nga Alfred Kaçinari.

Me çmim u nderua dhe z.Beqir Sina anetar i stafit i cili nuk ndodhej fizikisht në sallë.

Skena u mbush plot me instrumente shqiptare të interpretuara nga studentë të huaj të drejtuar nga Maestro Raif Hyseni dhe kanarina e këngës shqiptare Merita Halili.

Leart Ajeti interpretoi “Një lule që m’ka çel tash”.

Festivali i “Zërave të rinj” ëshë nderuar me çmim në emër të së cilës e ka marrë Pranvera Cobo dhënë nga Bora Balaj, fashion designers.

Zonjusha Erijona Balaj interpretoi “Going Crazy”.  Ansambli i valleve “Epos” kërceu “Valle me motive të Shqipërisë së mesme”.

Një vidio përshëndetëse u shfaq për bashkëpunëtorët e TV “Kultura Shqiptare”.

Zonja Marjana Bulku moderatore e emisionit “Një jetë disa histori” është vlerësuar me çmim dhënë nga znj.Mimoza Belliu bashkëthemeluese e TV “Kultura Shqiptare”.

Intrpretimi i lartë artistik i mjeshtrit të skenës Mitrush Kabashi me poemën “Shpresë” të Naim Frashërit u mirëprit me ovacione nga pjesëmarrësit, sepse janë vargjet lapidar që ngrenë peshë zemrat e popullit si:

Ti, Shqipëri më ep nder, më ep emrin Shqipëtar/ Zemrën ti ma gatove plot me dëshirë e me zjarr.

Është kjo poemë që çliron vetëm energji të pashterrshme dhe ndez zemrat e mërguara të shqiptarëve anë e mbanëbotës…

Koncerti dhe festa jubilare e 20 Vjetorit të TV “Kultura Shqiptare” u mbyll me një kor të përbashkët të të gjithë artistëve që morën pjesë në koncert.  Eshtë kënga që s’shuhet kurrë në gjokset e shqiptarëve të cilët në sallë shoqëruan artistët si: Po nga gjith’ ato më parë/ dua më shumë Shqipërinë/ që të vejë puna mbarë/ edhe përjetë të ketë Lirinë.

Pjesëmarrësit kaluan një natë magjike që do të ngelet gjatë në kujtesën e tyre dhe njëkohësisht do të jetë frymëzim i mëtejshëm për TV “Kultura Shqiptare” një televizion që ka hedhur themelet për të mos u rrëzuar kurë!

29 tetor, 2017

Manhattan, New York

 

One Response to “TV “Kultura Shqiptare” festoi me madhështi 20 vjetorin e krijimit të tij”

Read below or add a comment...

  1. Lek Gjoka says:

    Urime dhe suksese të mëtejshme stafit dhe drejtuesve të ketij televizioni që i sherben vetvetes dhe shqiptareve të New Yorkut (jo të gjithë shqiptarëve të Amerikës sepse aq force financiare kanë tv shqiptare në Amerikë ku kanë mbirë si kërpudhat dhe me vështirësi të madhe mbijetojë.) .

Comment

*