U botua “Ditari i Parashqevi Qiriazit….”

Shkup, 11 nëntor 2020 – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup posa pasuroi fondin botues me librin më të ri. Kësaj radhe për lexuesit vjen “Ditari i Parashqevi Qiriazit –  Ditët e mia në Konferencën e Versajës”, tërësisht i panjohur për opinionin  e gjerë, i cili botohet më rastin e 50 vjetorit të vdekjes së Parasheqevi Qiriazit si dhe në vigjilje të Ditëve të Alfabetit që fillojnë më 14 nëntor të këtij viti, me ç’rast temë bosht do të jetë roli i gruas shqiptare në emancipimin shoqëror e kulturor.

Ky ditar i lënë në dorëshkrim, dëshmon për punën  e palodhshme të kësaj ilumniniste shqiptare, e cila kësaj radhe na paraqitet si dëshmitare e gjallë e një prej ngjarjeve më vendimtare për fatet e popullit shqiptar, siç ishte Konferenca e Versjajës e vitit 1919/20.

Figura emblematike e Parashqevi Qiriazit këtu ndriçohet dhe plotësohet me detaje fare të panjohura, përms të dhënave autentike që ajo na i prezanton në ditarin e saj dhe ajo përligj zërin më përfaqësues të gruas së shquar shqiptare, e cila, siç mund të shihet nga dëshmitë e ofruara, del të jetë edhe themeluese e diplomacies shqiptare. Parashqevi Qiriazi ishte delegate e Konferencës së Versajes dhe ditari i saj zbulon dritë-hijet e kësaj konference përmes syrit vëzhgues dhe mjaft aktiv të saj.

Ditari i Parashqevi Qiriazit nuk është thjeshtë kujtim personal i një gruaje që spikati shumë anë të njohura e të panjohura të kësaj Konference, por është edhe fryma dhe konteksti i kohës, të shqiptarëve në raport me Fuqitë e Mëdha, sidomos me SHBA-të, ku shqiptarët, me të drejtë kishin varur të gjitha shpresat.

Pjesëmarrja e saj në Konferencën e Paqes në Paris shpërfaq fuqinë dhe zotimin e saj intelektual e kombëtar në arritjen e qëllimeve madhore, për të cilat Rilindësit tanë ishin përpjekur dhe flijuar. Ishte pikërisht Parashqevi Qiriazi që gjithë synimet dhe ëndrrat e Rilindësve i barti në sallonet diplomatike të kohës dhe u bë zëdhënëse e denjë e kauzës shqiptare në momentet më dramatike.

Ditari i Parashqevi Qiriazit vjen në kohën kur figura e kësaj iluministe të shquar ka frymëzuar edhe drejtuesit e UNESCO-s për ta përfshirë atë në kalendarin e jubileve të mbështetur nga kjo organizatë për vitin 2020.

(e.a.)

Comment

*