U NDA NGA JETA FILIP UKË DEDAJ, NJOHËS I FILOZOFISË SONË POPULLORE

Filip Ukë Dedaj ka ndërruar jetë në Stamford në Connecticut. Ai ishte njëri ndër njohësit e filozofisë sonë popullore, sidomos është shquar për njohje të traditave të odave të Dukagjinit. I ndjeri ka qenë një personalitet shumë i respektuar, një zotëri në kuptimin e plotë të fjalës, dhe kudo që ka shkuar e me këndo që ka pasur rast të ndejë e të bisedojë, ka lënë një përshtypje të jashtëzakonshme. Njihte mirë të kalurën tonë, ndërsa rrëfimet e tij për vuajtjet e shqiptarëve nën regjimet e huaja, sidomos nën Serbi ishin tema shumë të prekshme. Ka qenë përkrahës i rezistencës shqiptare dhe i UÇK-së për liri dhe pavarësi të Kosovës. Ka njohur shumë burra të traditës dhe kanunit.
Filip Ukë Dedaj nga natyra ishte gjithmonë optimist dhe kishte një burrëri dhe një hare të theksuar. Ai, odën shqiptare e ka pasur idol dhe nga ajo ka mësuar shumë nga historia jonë kombëtare, nga e kaluara e largët dhe e afërme e saj.
Vdekja e Filip Ukë Dedajt ka lanë një zbrasëti të madhe në komunitetin tonë shqiptaro-amerikan. Lindi në Zhebel të Gjakovës, kur në vitin 1968 vjen në SHBA.
Familjes dhe farefisit të tij, me këtë rast, i shprehu ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjen e të dashurit të tyre.

Zoti e past çue në parajsë!

Harry Bajraktari,
New York, 2020

Comment

*