U varros, sot, në Shkodër, akademiku Kolec Topalli

U varros sot, në varrezën e Rrëmajit, në Shkodër, Akademiku Kolec Topalli. Nga ora 10.00 deri në orën 11.00, trupi i tij i pajetë u vendos në një nga sallat e Akademisë për homazhe. Në orën 11 u nis për udhëtimin e mbramë nga Tirana, në Varrezën e Rrëmajit, në Shkodër.

 

U varros sot, në varrezën e Rrëmajit, në Shkodër, Akademiku Kolec Topalli. Nga ora 10.00 deri në orën 11.00, trupi i tij i pajetë u vendos në një nga sallat e Akademisë për homazhe. Në orën 11 u nis për udhëtimin e mbramë nga Tirana, në Varrezën e Rrëmajit, në Shkodër. Trupi u vendos në kapelën e Varrezës, i rrethuar nga një turmë e madhe përcjellësish, për t’u varrosur, pas shërbesave të fundit fetare, në varrin e familjes së fisme të Nush Topallit.

Personalitet i shquar i shkencave albanologjike, bir i njërës nga familjet më fisnike e më të persekutuara të Qytetit të Veriut, Akademik i dalë nga baltrat e fshatrave të humbura, u detyrua të punonte për bukën e gojës, pa e lëshuar kurrë penën nga dora. Arriti të bëhej, kështu, figurë poliedrike, model i intelektualit të ndershëm, me vizion evropian, në një vend të mbyllur për botën.

Në vitet e para të demokracisë në Shqipëri, qe këshilltar i Presidentit të parë demokrat, dr. Sali Berishës. Në cilësinë e kësaj detyre, Koleci priti disa herë Shën Nënë Terezën në Shqipëri në Presidencën e Republikës, e po kështu u interesua nga afër për vizitën historike të Papës së parë që shkeli në Shqipëri, Shën Gjon Palit II, para 25 vjetësh.

Si redaksi shqipe e Radio Vatikanit e sot Vatican News, kujtojmë me mirënjohje pritjen që përgatiti pranë Presidentit të Republikës për Drejtorin e Përgjithshëm të Radio Vatikanit, Atë Pasquale Borgomeo e përgjegjësin e redaksisë shqipe, në vitin 1994.

Kolec Topalli i mbylli sytë mbasi arriti të shikonte të realizuar ëndrrën e gjithë jetës: e pa të botuar Fjalorin etimologjik, kurorëzim i një pune të nisur në vitet ’70. E, pak para se të mbyllte sytë, fitoi edhe Çmimin e parë akademik për Gjuhësinë, për këtë pjesë, më e rëndësishmja, të punës së tij 45-vjeçare, përfunduar më 2017. Nuk mund të mos e kujtojmë këtë periudhe kohore prej gati një gjysmë shekulli, gjatë së cilës Kolec Topalli është marrë me fusha të ndryshme të historisë së gjuhës, si fonetika, morfologjia, sintaksa, dialektologjia e onomastika, duke qenë e pranishme në të gjitha këto, edhe etimologjia, jo vetëm si disiplinë ndihmëse për të zbërthyer fushat e tjera, por edhe si fushë e veçantë me studime të mirëfillta e të drejtpërdrejta. Nëse rrokim me një vështrim të vetëm botimet e tij 45- vjeçare prej 12.000 faqesh, ku përfshihen 15 monografi dhe 250 artikuj e kumtesa shkencore (f. 1983 e Fjalorit), bie në sy përqendrimi në mënyrë shteruese në një fushë studimi, në etapa të caktuara kohore.

Nga kjo anë mund të dallohen lehtë katër periudha studimore dhe botuese, prej të cilave e fundit është etimologjia, që përfaqëson edhe shkallën më të lartë të pjekurisë së tij shkencore.

Periudha e parë përfshin studimet më të hershme të viteve 1972-1982, ku autori merret kryesisht me probleme të shqipes së sotme, me inkursione të herëpashershme në historinë e gjuhës, në veçanti në fushën e etimologjisë.

Periudha e dytë, më e gjata në aspektin kohor, përfshin vitet 1993-2007, ku vendin kryesor e zënë studimet për fonetikën historike, që përfshijnë 9 monografi e disa dhjetëra artikuj. Me këtë punë Topalli i ka prirë me guxim “Fjalorit” të ardhshëm etimologjik të gjuhës shqipe.

Periudha e tretë e punës shkencore të Topallit, që përfshin vitet 2008-2011, i kushtohet kryesisht gramatikës historike, morfologjisë dhe sintaksës, ku përsëri nuk mungojnë inkursionet etimologjike, madje në disa raste, ato zënë vendin kryesor.

Periudha e katërt, që përfshin vitet 2012-2017, i kushtohet kryesisht etimologjisë.

E pamë të arsyeshme të bëjmë këtë retrospektivë të krijimtarisë shkencore të Topallit për të vënë në dukje se kjo vepër nuk ka lindur rastësisht dhe as në një terren të zbrazët. Përkundrazi, ajo është mbrujtur e piketuar që në hapat e parë të studimit të historisë së shqipes nga ana e autorit dhe ka ardhur duke u pasuruar sa më shumë kalonin vitet dhe sa më tepër rritej puna e tij. Ndryshe, nuk mund të shpjegohet hartimi i kësaj vepre me afro 2000 faqe nga një njeri i vetëm. Brenda harkut kohor të gjashtë viteve, ku gjithçka është mbledhur, studiuar, argumentuar, shkruar e korrigjuar prej mendjes dhe dorës së dijetarit i cili, duke ndërruar jetë, la pas këtë monument gjuhësie, që do të vijojë të na flasë… (Radio Vatikani)

One Response to “U varros, sot, në Shkodër, akademiku Kolec Topalli”

Read below or add a comment...

  1. Thanas L. Gjika says:

    Jeta dhe vepra e Akademik Kolec Topallit eshte model per cilindo qe enderron te punoje ne fushat e Studimeve Albanologjike. Jeta e tij ishte plot mungesa e vuajtje, por perkushtimi, mprehtesia dhe kualifikimi i tij bene qe te arrinte atje ku nuk mund te arrijne studiuesit e zakonshem.
    I lehte i qofte dheu te Vorrezat e Rrmait, ku prehen dhe shume shkodrane te tjere te shquar!

Comment

*