Uashingtoni përgatitet për akuzat e para penale lidhur me ndërhyrjen e Rusisë

Uashingtoni po përgatitet për akuzat e para penale lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Presidenti Donald Trump vazhdoi të pretendojë sot se hetimet janë një “Gjueti Shtrigash”.

Sipas disa mediave kryesore amerikane, një juri federale miratoi të premten akuzat për hetimin që drejtohet nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller. Akuzat mund të bëhen të ditura të hënën se një i dyshuar mund të arrestohet.

Nuk është ende e njohur se kush është në shënjestër apo për natyrën e akuzave. Ato janë të mbyllura me urdhër të një gjykatësi federal.

Por akuzat mund të shënojnë një arritje të rëndësishme në periudhën nëntë-mujore të presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë. Ai shpesh i ka hedhur poshtë hetimet, atë të prokurorit Mueller dhe tre të kryera nga kongresi për lidhje të mundshme mes fushatës së tij dhe Rusisë duke argumentuar se ato janë përpjekje nga demokratët për të shpjeguar humbjen e sfidueses së tij, ish sekretares së Shtetit Hillary Clinton.

Një një koment në Twitter javën e kaluar, Trump tha, “Është pranuar tashmë gjërësisht se pas disa muajsh hetimesh të kushtueshme, nuk ka patur bashkëpunim mes Rusisë dhe Trumpit. Bashkëpunimi ishte me Hillary Clinton.

Të dielën ai tha se nuk kishte “pare asnjëherë kaq shumë zemërim dhe bashkim mes republikanëve për mungesën e një hetimi mbi Clintonin” për financimin e fushatës së saj për kërkimet mbi lidhjet mes Trumpit dhe Rusisë, që u fillua nga një agjenci konservatore lajmesh, Washington Free Beacon, dhe më pas u vazhdua nga fushata Clinton dhe Komiteti Kombëtar Demokrat me një shumë që presidenti sugjeroi të kishte kushtuar për 12 milionë dollarë. Një ish oficer britanik i zbulimit u punësua për hetimin dhe realizoi atë që presidentit Trump thotë se ishte një “dosje e rreme” rreth lidhjeve mes biznesit të tij dhe Rusisë, si dhe akuza të pabaza për lidhjen e tij me prostitute ruse.

Presidenti Trump tha se republikanët janë gjithashtu të zemëruar për mungesën e hetimeve për një marrëveshje për uranium në vitin 2013 në të cilën Rusia mori kontrollin e 20 përqind të prodhimit amerikan dhe lidhjet e supozuara për financimin e fondacionit bamirës të zotit Klintonit, përfshirjen e ish drejtorit të FBI-së James Comey në hetimin e trajtimit të materialeve të klasifikuar në emailet në serverin e saj privat kur zonja Clinton ishte diplomatja më e lartë e vendit nga viti 2009 në 2013 “, dhe shumë më tepër.

“Në vend të kësaj ata kërkojnë për bashkëpunim të fshehtë Trump/Rusia që nuk ekziston”, tha zoti Trump. “Demokratët po përdorin këtë gjueti shtrigash për politikë të keqe, por republikanët po kundër-luftojnë si asnjëherë më parë”.

Në fillimin e vitit 2017-të, komuniteti i agjensive amerikane të zbulimit arriti në konkluzionin se Presidenti rus Vladimir Putin drejtoi personalisht një fushatë për të dëmtuar demokracinë amerikane dhe për të ndihmuar në fitoren e zgjedhjeve nga zoti Trump. Por, asnjë nga hetimet disa mujore nuk ka përfunduar ende dhe nuk janë nxjerrë konkluzione, në kundërshtim nga pretendimet e Presidentit Trump.

Përveç ekzaminimit të ndërhyrjes së Rusisë, zoti Mueller po heton gjithashtu nëse Presidenti Trump pengoi drejtësinë duke shkarkuar zotin Comey, i cili drejtonte hetimet e agjensisë për Rusinë, përpara se të caktohej zoti Mueller, i cili gjithashtu ka qenë më parë drejtor i FBI-së.

Presidenti Trump tha se po mendonte për “çështjen e Rusisë”, kur vendosi të shkarkonte zotin Comey në muajin maj të vitit të kaluar, dhe një ditë më pas iu mburr zyrtarëve rusë në një takim në Shtëpinë e Bardhë, se duke larguar zotin Comey, pati hequr “një presion të madh” ndaj presidencës së tij. Ai e përshkroi zotin Comey si një “i çmendur, krejtësisht i lajthitur”.

Por, pak ditë më pas, Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein emëroi zotin Mueller në krye të hetimeve, pasi Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions ishte vetëdorëhequr nga menaxhimi i hetimit të Rusisë, duke e lënë të zhgënjyer Presidentin Trump.

Ekspertët ligjorë thonë se akuzat fillestare mund të ngrihen ndaj një personazhi dytësor të çështjes, si një strategji e zakonshme e prokurorëve që ndërtojnë dosjen duke ia filluar nga zyrtarët e nivelit të ulët, për t’u fokusuar më pas tek emra më të rëndësishëm.

Kanali televiziv CNN njoftoi se juristë që punojnë si pjesë e ekipit Mueller u panë ditën e premte të hynin në një sallë gjykate federale në Uashington, ku mblidhet juria e madhe federale për të dëgjuar dëshmitarët.

Zoti Mueller mendohet se po shqyrton veprimtarinë e dy zyrtarëve kryesorë të fushatës elektorale Trump: ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare Michael Flynn, i cili u shkarkua nga zoti Trump në më pak se një muaj pas marrjes së detyrës, pasi gënjeu Zëvendës Presidentin Mike Pence dhe zyrtarët e tjerë, për konktatet e mbajtura me ambasadorin e Rusisë në Uashington; si dhe, Paul Manafort, i cili ishte për një periudhë të shkurtër vitin e kaluar menaxher i fushatës Trump, ndërkohë që kishte interesa të mëdha lobizmi në Ukrainë, si dhe lidhje me Rusinë.

Disa republikanë kanë filluar të bëjnë thirrje për përfundimin e hetimeve, por një ligjvënës kryesor republikan, Trey Gowdy, i tha sot kanalit Fox News se ai i inkurajon anëtarët e partisë së tij që t’i japin shansin zotit Mueller të bëjë punën e tij dhe se ai nuk ka bërë diçka që mund të dëmtojë besimin tek ai, si dhe se zoti Mueller është plotësisht apolitik. Ligjvënësi Gowdy u shpreh se ai është kundër prerjes së fondeve për hetimet e zotit Mueller.

Ligjvënësi Gowdy, si kryetar i komisionit të mbikqyrjes së qeverisë në Dhomën e Përfaqësuesve, filloi javën e kaluar një hetim për menaxhimin e procesit nga zoti Comey dhe FBI-ja, të përdorimit të një serveri email-i privat nga zonja Clinton. (VOA)

Comment

*