Udhëheqësit e Kosovës e ngushëllojnë familjen Kelmendi

Prishtinë, 12 Janar 2017 – Presidenti i kosovës, Hashim Thaçi, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe Kryeministri Isa Mustafa e kanë ngushëlluar familjen Kelmendi për vdekjen e shkrimtarit ramiz kelemdni.

Presidenti Thaçi, në një mesazh në Facebook, e ka quajtur Ramiz Kelmendin “një intelektual që la fërkemë shumëngjyrëshe në pejsazhin e letrave shqipe”.

“Me keqardhje dëgjova se Ramiz Kelmendi ka ndërruar jetë. Autor, poet, publicist, profesor por mbi të gjitha një intelektual që la fërkemë shumëngjyrëshe në pejsazhin e letrave shqipe. Ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe miqve”, ka shkruar Thaçi.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në mesazhin e tij në Facebook, ka theksuar se Ramiz Kelmendi “ka lënë shenja dalluese në ngritjen kulturore dhe arsimore të Kosovës”.

“Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të njërit prej intelektualëve më të shquar të vendit tonë, Ramiz Kelmendit. Profesor, shkrimtar, gazetar, shqipërues i shumë veprave kulmore të letërsisë botërore, Ramiz Kelmendi, ka lënë shenja dalluese në ngritjen kulturore dhe arsimore të Kosovës. Do t’i mbaj të paharrueshme takimet që kisha me të në kohë dhe rrethana të ndryshme. Transmetonte aq shumë energji, shpresë dhe inspirim. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!”, ka shkruar Veseli.

Ndërkaq, Kryeministri Isa Mustafa, e ka vlerësuar kontributin e ramiz kelmendit në gazetari, në letërsi dhe në fusha të tjera të kulturës në Kosovë.

Mustafa ka thënë se ndarja nga jeta e Ramiz Kelmendit është humbje e madhe për gazetarinë, letërsinë dhe kulturën kosovare në përgjithësi.

“Ramiz Kelmendi do të mbahet mend si një intelektual erudit, i cili dha kontribut të shquar në zhvillimin e gazetarisë, krijimtarisë letrare dhe fushave të tjera të kulturës në Kosovë. Kosova ka humbur një mendje të ndritur i cili do të përkujtohet përherë”, thuhet në mesazhin e kryeministrit Mustafa.

Familjen Kelmendi e kanë ngushëlluar edhe ministri i Kulturës, Rinisë e Sporteve, Kujtim Shala, ministri i Arsimit, Shkencës e teknologjisë, Arsim Bajrami, udhëheqës të institucioneve të shumta shtetërore, kulturore e publike dhe drejtues të medieve të Kosovës. (r.m.)

Comment

*