Udhëtimi

Qerim Vrioni, mars 2018

Djalit të ri nuk i kishte dalë ndonjëherë deti para syve. Qëndroi gjatë përballë tij në bankinën e portit dhe lëvizi shikimin nga e majta në të djathtë, duke e përfshirë të gjithë vijën e horizontit. I hoqi sytë nga deti dhe  vështroi si me habi anijet e mëdha të akostuara në mole, mandej i hodhi sytë rishtas nga horizonti, por tashmë më ngadalë. Kur po afrohej çasti i hipjes në anije nisi t’i shtoheshin emocionet, kaloi urën e drurit që lidhte tokën me anijen, duke i hedhur hapat me kujdes. Kur i mbështeti këmbët në kuvertë, sikur ndjeu se tanimë po fillonte për të një rrugë e re, e gjatë, natyrisht e panjohur, por edhe e paimagjinueshme.

Natyrisht ca drithërima të lehta e përshkuan të gjithin. Po fillonte një rrugë të ëndëruar nga mjaft njerëz nga shumë vende të botës, por gjithsesi të re dhe të panjohur. Rregullimi i tij në dhomën e gjumit i hëngri më shumë kohë se sa dëshironte, ai donte të shkelte sa më shpejtë të gjithë anijen që do të ishte banesa e tij gjatë udhëtimit shumëditor.

Sirena e trashë e transoqeanikut e përmendi nga mendimet dhe i kujtoi për hapin e madh që po hidhte në jetë. Lëvizjen e lehtë të shkëputjes së anijes nga bankina, djali ashtu si i ungji, e shoqëroi me bërjen e kryqit, veturim për udhëtim të mbarë. Mandej u mbështet në parmakët dhe vërejti largimin e ngadaltë të anijes nga toka. I nguliti mirë në kujtesë sekondat e para që shoqëroheshin me centimetra, më pas një metër, dy, tri…shtimi i shpejtësisë po zmadhonte  largësinë nga toka dhe zvogëlonte përmasat e objekteve të bregut. Qëndroi i palëvizur si për t’a përjetuar përsëmbrendëshmi e mos harruar kurrë ndarjen. Vetëtimthi e krahasoi me ndarjen e tij nga vendi ku ishte rritur dhe ishte bërë i vetëdijshëm, largimin nga e ëma, vëllai, motra, shokët e shkollës dhe lagjes. Diçka i sëmboi në zemër kur i kaloi rrëshqitas të gjithë para syve të mendjes. E kur metrat e  largimit të anijes po shtoheshin me rritjen e shpejtësisë, dhe bregu po zvogëlohej, ai nisi të ndjente më thellë ndryshimin e madh që e priste. Gjithsesi, djali kishte kureshtje dhe fantazi, gjera që natyrshëm i shtonin kurajën për të mos u tutur nga e ardhmja e panjohur.

Këshillat e vazhdueshme të të ungjit për të ngadalësuar lëvizjet e tij karakteristike të temperamentit të tij kolerik, herë herë e mërzisnin, por ai i zbatonte ato pa u ndjerë. Xhaxhai i kishte thënë se gjatë udhëtimit ata duhej që të praktikonin edhe anglishten me njeri-tjetrin e me të tjerë, por pa i besdisur e me mirësjellje. Ai shtonte se, në Amerikë njerëzit shquheshin për butësi në marrëdhëniet midis tyre, por edhe ndërmjet të panjohurve. Djali i ri, i gjatë, hollak e me syze optike, me natyrën e gjallë dhe kureshtare e mërziste të ungjin me lëvizjet e shumta, por edhe me pyetjet e shkurtra që kërkonin pëgjigje të gjata, çka i pëlqente, por edhe që tregonte se i nipi nuk ishte tip i vakët. Ndodhte që disa prej pyetjeve të të riut i moshuari nuk dinte t’u përgjigjej saktë, atëherë ai e kuptonte këtë dhe tërhiqej butësisht pa e vënë në bezdi të ungjin.

Pas ndonjë orë udhëtim, nga kuverta e anijes nuk shihej më toka, dukej vetëm deti dhe qielli. Vetëm këto dy hapësira të pamata mund të vështronte djaloshi, të cilat, ndonëse ishin të njëtrajtëshme, ndryshonin shpesh ngjyrat e tyre. Pas 2-3 ditësh kaluan dhe Ngushticën e Gjibraltarit dhe dolën në oqeanin Atlantik. Ditët ndryshonin, kishte me diell, por edhe me re e shi, me dallgë të mëdha, por edhe sikur udhëtonin në një liqen. Herë herë, nga ndonjë strehë në kuvertë ndiqte me sy vetëtimat, rrugën e shkurtër dhe të shpejtë të tyre dhe i vinte keq që nuk kishte mundësi që t’i ruante diku. Sidomos e hutonin ato që zhyteshin në det. Pyeste veten se ç’ndodhte kur vetëtima prekte detin…çfarë fotosh fantastike mund të bëheshin…Kur hapej moti, udhëtarët mezi çprisnin të dilnin jashtë në kuvertë dhe të shplodhin sytë me qiellin dhe detin.

Shiun e parë në anije e priti me kënaqësi dhe kureshtje, madje edhe u squll pak në kuvertë.  Ishte një lagie kënaqësie që djali i ri e krahasoi me ato të fëmijërisë së tij, kur e qortonte e ëma sa herë kthehej i lagur në shtëpi. Filloi sërish duke menduar për atë, e cila ishte perëndia e tij duke kaluar nëpër mend këshillat e saj të mençura. Sidomos, ajo “bëje çdo gjë me masë“ që djali i rikthehej shpesh për të vërejtur se a e kishte zbatuar apo shkelur këtë çelës suksesi  për njerëzit kudo e kurdo. Madje, këtë e kishte filluar qysh kur ishte pranë saj. Gjerat ishin të thjeshta, caktohej masa që nuk duhej kaluar, caku që nuk duhej shkelej dhe…këshilla e nënës sendërtohej. Shpesh harronte kur luante me shokët dhe e kalonte orën e caktuar pët t’u kthyer në shtëpi. Ato minuta që kalonin masën ishin ndoshta më të ëmblat, por ai atëherë ishte fëmijë dhe nuk arrinte të kuptonte se shpesh në jetë, këndellja e shpirtit vinte pikërisht nga ai kalim i cakut ose i masës. Bubullimat dhe vetëtimat, po ashtu e zhytën në mendime  e përsiatje të ndryshme që e sëmbonin disi në shpirt.

Ashtu, si përgjithsisht për të gjithë udhëtarët, edhe për djalin, ditët filluan të bëheshin njëngjyrshe, nga mënyra se si kalohej dita. Ndërkohë ai ndiqte me kujdes këshillat e xhaxhait të tij për anglishten dhe marrëdhëniet me të tjerët. Po ashtu, përveç librit të anglishtes, ai kishte marrë me vete edhe diçka tjetër për t’a shfletuar gjatë udhëtimit. Një mbasdite ai i lut të ungjit që t’a lejonte të qëndronte në kuvertë për të shikuar perëndimin e diellit, zhytjen e tij të butë dhe të qetë në oqean. E vështroi uljen e ngadaltë të diellit mbi oqean dhe iu kujtua betimi i të ëmës mbasditeve vonë “Për at diell që vete (perëndon) lodhur”, mendoi se kishte pasur të drejtë, ja ai mezi po futej në ujë.

Fjetja e diellit e mahniti, atij iu duk sikur disku i diellit duke u ulur mbi horizont, po zmadhohej, madje kur ai ciku ujin i kujtoi gjeometrinë që kishte bërë në gjimnaz, kur një drejtëz (horizonti) prek një rreth (dielli) në një pikë, ato quhen tangente me njera-tjetrën.  Sa do të dëshironte që ta rishikonte këtë pamje sa herë të donte. E kjo mund të bëhej nëse në anije do ishte edhe ndonjë nga fotografët e qytetit të tij që e kishin fotografuar kur e kishte çuar e ëma. Vërtetë gjë interesante fotografimi, sikur të mundte edhe ai…sa gjera të bukura do të kishte përngrirë me aparatin e tij, perëndime dhe lindje dielli, dallgë të buta por edhe të çmendura plotë shkumë, sidomos vetëtimat me format e tyre magjike…ah sikur.

Gjithsesi, perëndimi i diellit i shtoi edhe një pyetje tjetër, po  zgjimi  nga gjumi i diellit ose si përdoret më shpesh, lindja e tij si do të ishte në oqean ? E sipas betimit të së ëmës, ndryshe nga mbrëmja, tani në agim dielli duhet të ishte i fresktë si një kalorës, siç e krahasonte një këngë e vjetër. Kureshtja nisi menjëherë që t’a gryente e t’i punonte imagjinata, të cilën, siç i a kishin vënë në dukje edhe të tjerët, e kishte mjaft të zhvilluar.

Si me turp, i kërkoi sërish të ungjit leje që të ngrihej herët në mëngjes, madje që t’a zgjonte nga gjumi ende pa zbardhur mirë dita. E brente kureshtja se si do të ngrihej dielli i palagur nga uji i oqeanit duke ndriçuar hapësirën e pakufishme të qiellit dhe të ujit. Ashtu bëri, qëndroi në parmakët e anijes, po nuk dinte nga do lindte dielli, për këtë lëvizi shikimin në katër anët e horizontit. Diku vërejti se ndriçimi i qiellit ishte më i madh. Andej e përqëndroi vështrimin, nuk u gabua, në fillim qielli u zbardh, pastaj doli një vizë e vogël e verdhë, mandej ngadalë duke u zmadhuar e ngritur mbi vijën e ujit, duke u rrumbullakosur, ndërkohë edhe duke ndriçuar ose si thuhet rëndom, zbardhur ditën.  Vuri re se edhe në agim dielli ngrihej ngadalë, bash siç betohej e ëma, i lodhur. , u habit pak, por iu drejtua mësimeve të gjimnazit, sidomos rrotullimit të tokës rreth diellit me një shpejtësi të caktuar.

Pak çaste më pas, disku i diellit u shkëput nga uji, duke përfunduar lindjen e diellit dhe fillimin e ditës së re. U mahnit nga sa shikoi, por rishtas i mbeti mendja në çastet kur dielli dhe uji takoheshin (ashtu si edhe gjatë perëndimit) në një pikë, donte që ato të zgjateshin sa më shumë, por si e qysh, nuk mund të imagjinonte. Ndërkohë i lindi pyetja disi e veçantë, se kur niste llogaritja e fillimit të ditës, në çastin kur dielli ishte vetëm një shenjëz mbi det apo kur ai sapo shkëputur plotësisht nga vija e horizontit. Nuk mundi t’i jepte përgjigje, e la për më vonë të pyeste më të diturit. I shpjegoi të ungjit, ashtu si edhe për perëndimin, emocionet që përjetoi gjatë zbardhjes së ditës, si edhe dëshirën për t’i pasur para syve sa herë të donte në rast se do të kishta pasur një aparat fotografik dhe dinte ta përdorte, por…

Kështu, me lexime, biseda me të ungjin dhe me ndonjë udhëtar të rastit, vazhdoi rrugëtimi i djalit nga vendi ku banonte deri afër Nju Jorkut (ShBA), ku ishte dhe mbërritja e anijes, njëkohësisht për të edhe prekja e parë e tokës së ëndrave, Amerikës. Kur i ungji i tha se pas disa orësh do mbërrinin në Nju Jork, djali pati sërish një drithërim të brendëshme dhe u ngjit pas parmakëve për t’a prekur sa më shpejtë me sy Amerikën. Si nëpër mjegull dalloi majat e qiellgërvishësve të larta të Nju Jorkut, e sa më shumë afrohej anija, aq më tepër i punonte imagjinata e më pak kujtesa për të shkuarën.

Sirena e trashë e anijes e lajmëroi se toka nuk ishte larg. Afrimi i anijes në portin e Ellis Island të Nju Jorkut, me gjithë imagjinatën e ndihmuar nga leximet dhe bisedat e ndryshme, e habiti shumë djalin, por dhe i a shtoi padurimin e zbritjes në tokë. Shikoi me çudi ndërtesat e larta buzë detit, të quajturat qiellgërvishëse dhe nisi të përhumbej në mendime. Jo më shumë se dy shekuj më herët aty ishin vetëm disa kasolle midis pemëve dhe shkureve, tani kjo mrekulli…Çfarë pune e madhe ishte kryer dhe sa djersë ishte derdhur aty nga të ardhurit prej Europës për ta ndryshuar atë vend…Madje edhe çfarë mendjesh të ndritura ishin shtrydhur për projektimin, organizimin dhe realizimin e saj. Te kjo e fundit djali qëndroi pak më shumë, e nisi t’i mendonte amerikanët si njerëz me shumë dije, vullnet të fortë dhe rregull të përsosur në punë. Pra edhe atij i duhej të merrte shembull nga vendasit për të pasur sukses në këtë botë të madhe e të re…

   Pas përfundmit të procedurave në zyrën e emigrimit, ai shkeli në tokën e imagjinuar kaq shumë e në mënyra të ndryshme. Në mendjen e tij kishte tashmë shumë mbresa të pashlyeshme nga udhëtimi rreth 3 javor nëpër dete dhe oqean. Ndoshta edhe këto mbresa do ndikonin që ai, pas dy dhjetëvjeçarësh të bëhej një nga fotografët e njohur, jo vetëm të Amerikës, sepse djali quhej johan milidi e pak vite më vonë e përgjithmonë, gjon mili.

 

(Botuar fillimisht në gazetën “MAPO”, 23 dhjetor 2020)

 

 

Comment

*