UEFA jep shpresë për krijimin e ligës së përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë

Nyon, Zvicër, 7 janar 2021 – Kosova dhe Shqipëria nuk janë vendet e vetme që po e përpunojnë idenë për krijimin e një lige të përbashkët të futbollit.

Ide për krijimin e ligave rajonale, mes dy, tri apo më shumë shtetesh fqinje, ka edhe në pjesë tjera të Evropës.

Presidenti i shtëpisë së futbollit evropian, UEFA, Aleksander Ceferin, ka konfirmuar se disa shtete anëtare të UEFA-s janë të interesuara për krijimin e ligave të përbashkëta. Ai ka thënë se UEFA nuk është kundër ideve të tilla, por ka theksuar se këto ide duhet të shqyrtohen me kujdes, në mënyrë që të mos bëhen gabime, por të merren vendime të mira dhe në interes të futbollit.

“Ne në UEFA jemi duke menduar për ligat rajonale dhe mund të konfirmoj se për këto ide kemi biseduar me udhëheqës të federatave kombëtare, anëtare të UEFA-s”, ka deklaruar Ceferin, citon Express.

“Idetë e tilla dhe interesimi po rritet secilën herë e më shumë, sepse ekziston përshtypja se ligat e tilla e rrisin vlerën e klubeve, e rrisin vlerën e tregjeve, të ardhurat nga sponsorët, shitjen e të drejtave televizive, etj. Në parim, UEFA nuk ka asgjë kundër krijimit të ligave të tilla rajonale. Por, ekziston një problem se si të shkohet në gara evropiane nga ato liga. Pastaj, duhet të shqyrtohet me kujdes nëse ato liga i dëmtojnë kampionatet kombëtare. Pra, shqyrtohet si ide, por ende nuk ka asgjë konkrete. UEFA duhet ta zgjidhë me kujdes këtë çështje”, është shprehur Ceferin.

(r.m.)

Comment

*