UEFA premton mbështetje për futbollin e femrave në Kosovë

Prishtinë, 30 nëntor 2016 – Federata evropiane e futbollit, UEFA, ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar futbollin e femrave në Kosovë.

Një delegacion i UEFA-s u takua me përfaqësues të FFK-së dhe me përfaqësues të futbollit të femrave, me të cilët diskutuan rreth projekteve dhe programeve të ndryshme përmes së cilave do të ndihmoheshin femrat që merren me këtë sport.

“UEFA është e gatshme ta mbështesë futbollin e femrave në Kosovë përmes projekteve dhe programeve të ndryshme, sikur që do t’u ndihmojmë edhe për hartimin e një strategjie zhvillimore për 4 vitet e ardhshme”, ka thënë Emily Shaë, menaxhere për zhvillimin e futbollit të femrave në UEFA.

Në anën tjetër, Vjollca Krasniqi, kryetare e komisionit për futbollin e femrave, ka njoftuar delegacionin e UEFA-s lidhur me zhvillimin e këtij sporti në Kosovë, njofton FFK përmes një komunikate për media.

“Tashmë në Kosovë ka një Ligë të femrave me 10 skuadra si dhe për intencat që nga viti tjetër të organizohet edhe Liga e grup-moshës U-16”, ka thënë ajo gjatë takimit.

Gjatë këtij është diskutuar edhe për nevojën për organizimin e seminareve që do të ndihmonte  në përgatitjen profesionale të trajnerëve-femra. /Insajderi.com/

Comment

*