Ugljanin: Minoritetet në Serbi trajtohen në mënyrë katastrofale

Novi Pazar (Serbi), 22 qershor 2017 – Kryetari i Këshillit Kombëtar Boshnjak, Sulejman Ugljanin, ka thënë se mënyra se si Qeveria në Serbi trajton pakicat është katastrofale dhe paraqet rrezik për pakicat, por edhe për të ardhmen e këtij vendi.

Në një takim me organizata joqeveritare dhe medie, në Novi Pazar, Ugljanin ka deklaruar se shembulli më i mirë për konstatimin e tij lidhur me të drejtat e pakicave në Serbi ëntë Kapitulli 23 i negociatave të Serbisë me Bashkimin Evropian.

Ugljanin ka thënë se ai dokument, ku përfshihet plani operativ, nuk po zbatohet dhe nuk përmenden askund pakicat në raportimet që bëhen në Bruksel.

Këshilli Kombëtar Boshnjak si dhe këshillat e pakicave tjera  në Serbi angazhohen për ndryshimin Ligjit për pakicat, në mënyrë që pakicave t’i sigurohen më shumë të drejta.

Ugljanin ka thënë se Qeveria e Serbisë nuk ka shprehur fare mirëkuptim për kërkesat e komuniteteve pakicë.

“As për këtë nismë nuk ka mirëkuptim në Qeverinë e Serbisë. Në serbi ka forca politike që as nuk pranojnë se në Serbi nuk ka pakica”, ka thënë kryetari i Këshillit Kombëtar Boshnjak, Sulejman Ugljanin. (r.m.)

Comment

*