Ulen kostot e ndërtimit, por jo çmimet

Kostot e ndërtimit pësuan rënie në tremujorin e parë të vitit krahasuar me fundin e 2018, raporton Instituti i Statistikave. Nga ana tjetër ndryshimi vjetor i kostove të ndërtimit është pothuajse i papërfillshëm me një rritje prej vetëm 0,4%.

  Por edhe pse çmimet e materialeve të ndërtimit, kostot e fuqisë punëtore dhe shpenzimet e tjera që përdoren për ndërtimin e banesave nuk kanë lëvizur, çmimet e apartamenteve janë neë rritje konstante raportojnë Banka e Shqipërisë dhe agjencitë imobilare.

Sipas këtyre të fundit në 5 vite çmimet e apartamenteve u rriten nga 30-40%. Kurse Banka e Shqipërisë është më e përmbajtur dhe thotë që çmimet e shtëpive në 5 vite janë rritur me rreth 15%. Për tu nënvizuar është se banka qendrore merr në konsideratë vetëm shifrat e raportuara në transaksionet zyrtare.

Rritja e çmimeve për shtëpitë vjen edhe në një kohë kur vendi është përfshirë në një bum lejesh ndërtimi të cilat kanë rritur ofertat për apartamente ndërtimi.

Por as oferta e lartë dhe as kostot e përmbajtura nuk po ndikojnë në uljen e çmimeve të banesave.

Indeksi i Kushtimit në Ndërtim mat ecurinë e çmimeve të materialeve të ndërtimit, të fuqisë punëtore dhe të shpenzimeve të tjera kapitale që përdoren në ndërtimin e një banese tip (8 – 10kate).

Por kjo gjë duket se ndikon pak në çmimet e apartamenteve të banimit të cilat janë në rritje konstante.

Shtimi i lejeve të ndërtimit ka rritur ofertën për apartamente të reja në Tiranë, ndërkohë që sipas agjencive imobilare paralelisht janë rritur edhe çmimet e shitjes së banesave me 30-40% krahasuar me 5 vite më parë.

  Top Channel

Comment

*