Ulim kokën e reflektojmë mbi krimet e pafalshme…

Prof. Sami Repishti

Mid’hat Frashëri Rivarroset në Shqipëri

 

Sami Repishti

Ridgefield, CT.- Qoftë nga turpi për baltëzimin e emnit të Mid’hat Frashërit, qoftë nga respekti i thellë që kemi për fjalën, veprën dhe personalitetin e Mid’hat Frashërit, të gjithë duhet të “ulim kokën”. Sot, duhet të jeshë “stalinist” në Shqipëri, ose ndjekës i tij, me ofendue Mid’hat Frashërin. Nuk duhet të jeshë “ballist” në Shqipëri, ose ndjekës i tyne, me respektue Mid’hat Frashërin. Mjafton të jeshë shqiptar!
Jam shqiptar; nuk kam qenë “ballist”! Sot “ulë kokën” me respekt për këte figurë multidimensionale të historisë së popullit tonë: model i dashunisë për Shqipërinë; i zjarrit, që nuk u shue kurrë për arsim e përparim; i fjalëve të peshueme mirë që nuk u kursyen kurrë në mbrojtjen e vendit; i punës së pandërpreme dhe cilësore për ma shumë se gjashtë dekada; dhe për jetën e tij kushtue atdheut pa hezitim, pa kondita.
Nana Shqipëri e shpërbleu; i dhuroi përjetësinë!
Që në ditët e rinisë shkollore lexova pjesë nga “Kalendari Kombiar”. Fjalia e parë: “Të kemi dashuri njeri me tjetrin, të jemi të bashkuar të gjithë tok: të Krishterë dhe Myslimanë; të ndihim me sa mundet për çdo farë të shenjtëruar, të mos shajmë dhe përçmojmë gjuhën e mëmës sonë; po sa mundemi të levdërojmë e të lehtësojmë së gjithash etj.etj. Këto janë detyrat e një mëmëdhetari, që ngashëron mbrothësinë e gjuhës vet.” Ashtë kjo fryma që u hodh plot 121 vjet ma parë…. !
I lexuem në nji kohë kur Shqipëria posa ishte okupue nga agresioni fashist italian, 1939, dhe në nji vend ku zemrimi i krijuem nga pushtimi ushtarak kishte arrijtë kulmin, fjalët e Mid’hat Frashërit tingëllojshin në veshët e rinisë sonë jo vetëm si nji “thirrje për revoltë”, por edhe si direktivë e rrugës që duhej ndjekë. Autori, Mid’hat Frashëri, u ngrit në nji piedestal të nderit dhe fjala e tij mori karakterin e thirrjes së “fatit” për vendin tonë: Shqipëria e shqiptarëve!
Nuk e kam takue Mid’hat Frashërin, por mesazhi i tij ka tingëllue si kanga e orës së maleve tona, frymëzuese e luftës për liri, burizane e nji ushtrie që po formohej. Fjala e tij udhëtonte krah për krah me “fatin” e vendit tonë.
Për fatin (dhe fajin) tonë zhvillimi i këtij entuziasmi çlirimtar nuk zgjati shumë. Ideologji të hueja për patriotizmin shqiptar u zhvilluen shpejt e kërcnuese në shtëpitë tona, të qytetit e të fshatit. Gënjeshtrat e fjalës indoktrinuese të shoqënueme nga fryma e nji terrorizmi të institucionalizuem si në ish Bashkimin Sovjetik -e panjohun prej nesh,- përfshiu çdo kand të vendit tashma të traumatizuem, e përfundoi në mënyrë të paevitueshme në luftë vëlla-vrasëse, pa kuartier, por të studjueme simbas strategjisë staliniane : “të punojmë e të luftojmë pa hezitim, pa kondita, pa rezerva për Bashkimin Sovjetik! ” u ba urdhëni i ditës për lëvizjen e re. Përfundimet lëkundën mendjet e papërgatituna rinore, dhe forcuen grushtin e elementit terrorist.
Gënjeshtër e terror: nji përbamje toksike eksplozive efekti i së cilës na ndjek edhe sot, nuk u asgjasuen as edhe mbas shkërmoqjes së “komunizmit”: ata mbijetojnë në mendjet e smura e ndërgjegjet e randueme nga krimi i “diktaturës së proletariatit”, çmenduria madhore e shekullit 20.
Dje, fryma iluministe e Mid’hat Frashërit dhe pikësynimet e tij për nji “Shqipëri etnike, të lirë, të pavarur dhe demokratike…” u luftuen me egërsinë e fanatizmit ideologjik “enverist” me rrjedhime katastrofike.
Dje, u krijue nji atmosferë ku qytetarë të ndershëm dhe mendje të ndrituna u rrethuen nga legjone të çmenduna dhe ekstremistë.
Dje, shumica e frikësueme nga terrori i kuq solli dekadencën e turpshme për dekada me rradhë, dhe injorancën e së kaluemes sonë fisnike…..!
Sot, para nji katastrofe të këtillë, mjafton të jeshë shqiptar me nderue Mid’hat Frashërin…!

 

******
“Tiranë, 14 Nentor 2018. Personaliteti i shquar i kulturës dhe letrave shqipe, Mid’hat Frashëri nga sot do të prehet në Atdhe. Pas mbërritjes së eshtrave nga SHBA si dhe homazheve në Akademinë e Shkencave, eshtrat e tij janë varrosur pranë vëllezërve Frashëri tek Liqeni Artificial, pasi ai ishte bir i Abdylit dhe i frashërllinjve të mëdhej, Samiut dhe Naimit. Për kthimin e eshtrave nga SHBA për në vendlindje të firmëtarit të pavarësisë dhe kryetarit të Kongresit të Manastirit, Këshilli i Ministrave akordoi fondin prej 3,239,400 lekë, për organizimin e procedurave të nevojshme ndërshtetrore…..”(DIELLI, November 2018, f.50)
Ky gjest fisnik në përmbajtje dhe dinjitoz në formë, na nderon të gjithëve. Për arsye të gjendjes së acarueme ishte e pritun që edhe në nji rast të këtill krejt të veçantë do të dilnin kritikat, me karakter politik për këte figurë qendrore të politikës e kulturës shqiptare.
Për KM E.Rama “…kthimi i eshtrave të tij ishte nji detyrim dhe borxh”. Sepse, spjegoi ai: “ Mid’hat Frashëri i dha Shqipërisë gjithçka kishte e mundi”. Ai qortoi të gjithë ata që e shohin si provokim “…bënë mirë të ulin kokën e të kujtohen se sa krime bënë ata që shkruan historinë e gjysmës tjetër të Lumo Skendos….(Ata) bënë mirë të ulin kokën….dhe kthimi i eshtravet tij, të shërbejë edhe si një reflektim. Mjaft kemi gjykuar në mungesë. Këtu janë eshtrat e nji burri të dënuar në mungesë jo nga një gjykatë por nga gjyqi i historisë së shkruar nga fitimtarët për të poshtruar të mundurit. Mjaft kemi shpifur, mjaft me shpërdorimin e atyre që nuk janë më….Mid’hat Frashëri ishte e mbetet një shembull, ndërsa koha pastroftë baltën që nisem ta pastrojmë sot….” (Fjala në ceremoninë shtetnore të përmortëshme të kthimit të eshtrave të personalitetit të shquar Mid’hat Frashëri, 14 .nentor. 2018)
Në nji prononcim të shkurtë për mediat, kryetari i opozitës, Lulëzim Basha, deklaroi:” Eshtë një nga ditët e rralla që qëndrojmë para nji arkmortori me nji sens krenarie, nderimi por edhe kënaqsie….Kënaqsi që eshtrat e këtij burri të madh dhe shkencëtari të një dimensioni europian do të prehen simbas amanetit të tij. Një shembull që duhet të ndiqet edhe për shumë të tjerë….” Nji sugjerim pozitiv!
Para ceremonisë së përmortëshme shtetnore në Tiranë, nji tjetër ceremoni fillestare u mbajt në “Kishën Zoja e Shkodrës” Salla “Nana Tereza” në Hartsdale.N.Y. jo larg vorrit të Mid’hat Frashërit, në Ferncliff. Ambasadorja shqiptare në Washington, Zonja Luli-Faber, e lindun, e rritun, dhe e arsimueme gjatë rregjimit komunist, pranoi haptazi, se: “Duke patur parasyshë kontributin e madh patriotik të këtij personaliteti unik të letrave dhe historisë së Shqipërisë, Kryeministri ka mirëpritur lutjen e Institutit të Studimeve “Lumo Skendo” në Tiranë për mundësinë e kthimit të eshtrave të Mid’hat Frashërit në Shqipëri; Sepse : Mid’hati ishte i të gjithëve”. Mirënjohje e vonueme, por e mirëseardhun. “….Asgjë nuk është rastësi, tha ajo.. Ai ishte vizionar dhe në vitet 20 u shpreh mos shikoni përreth; vetëm Amerika mund të na japë mbështetjen dhe shpëtimin e vertetë ……Kryetari i Komitetit Kombëtar ‘Shqipëria e Lirë’ eshtrat e Midh’hat Frashërit sot prehen para nesh, i rrethuar nga bashkëkombasit e tij….Ne, sot të gjithë, shërbejmë Mid’hat Frashërin duke qenë të bindur se kështu i shërbejmë edhe Shqipërisë. U prehsh në paqë Mid’hat Frashëri” përfundoi ajo.
Kjo frymë mirënjohje publike për të ndjerin Mid’hat Frashëri ashte sinjal pozitiv se gjakërat kanë fillue të ftohen dhe se arsyeja ka fillue të triumfojë në mes nesh….! Uroj që ky hap i parë të çmohet dhe të ushqehet deri në nivelin e dialogut të hapun, të mbështetun në fakte, me synimin e përgatitjes për breznitë e ardhme të nji paraqitje serioze e permanente të së kaluemes së zjarrët, por jo përherë të ndritun. Socialisti Pandeli Majko foli për “një të majtë reflektuese”(Panorama.8 dhetor)
Me këte rast, u ndigjue edhe fjala e aktivistit dhe historianit Uran Butka, drejtor i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skendo”, Tiranë, nismëtar i kthimit të eshtrave të Mid’hat Frashërit në Atdhe. Ai theksoi nji aspekt të biografisë së Mid’hat Frashërit i lanun në heshtje – rolin e tij politik si themelues e drejtues i “Ballit Kombëtar” në Shqipëri, dhe i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë” në botën e jashtëme. Fara e hjedhun nga veprimtaria e këtyne dy organeve politike nuk u mbyt, deklaroi Z. Butka; “Vepra e Mid’hat Frashërit është pjesë e rëndësishme e luftës për pavarësi, për liri, për identitet e bashkim kombëtar, për shtet demokratik, për zhvillim kapitalist modern, për qytetari, kulturë dhe integrim përendimor nën mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Reagimet nga çdo anë ndaj kësaj inisiative, nuk munguen, dhe si zakonisht me ngjyra politike të papajtueshme: sepse sot, historia e fitimtarit baltuese dhe e gënjeshtërt po ballafaqohet me të vertetën, pak e përhapun por e dokumentueme.
Kundërshtimi i gjestit fisnik dhe plotësisht të merituem erdhi nga dy kuartiere, aleate në natyrën e tyne por të ndryshme në formë. I pari rrjedh nga “zjarri djegës partizan” elementë të zhytun thellë në përkrahjen pa kondita të “Neronit” në ditët kur “Roma” digjej flakë, dhe duertrokitës të nji sistemi politik që degradoi sistematikisht diskursin politik, mbyti çdo za e pikëpamje që e kundërshtoi, që tregoi nji mospërfillje të plotë për faktet, që demonizoi kundërshtarin tue e quejtë “armik i popullit”, e burgosi e torturoi dhe e pushkatoi.
Teorikisht, ai system trathëtoi “humanizmin marksist”, të çoroditun nga Lenini me “diktaturën e proletariatit” dhe të vramë mizorisht nga Stalini. Eksperienca staliniste në Shqipëri, ka qenë nji abces kanceroz në trupin social të shoqënisë sonë.
Për gjykimin e këtyne meturinave komuniste toksike, huazoi fjalët e Kryeministrit Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste: ”Mid’hat Frashëri nuk është dënuar nga asnjë gjykatë shqiptare e ngritur sipas parimeve themelore të së drejtës, për çka është akuzuar, gjykuar, vrarë e rivrarë dhe varrosur e rivarrosur në mungesë, me baltën e miljarda herë leximeve të nekrologjisë së tij politike, për shumë dekada…..Mid’hat Frashëri i cili nuk kryesoi dhe nuk mori pjesë në ndonji qeveri kolaboracionistësh të Tiranës së viteve ’40, nuk lëshoi si Pierre Laval (i Frances,SR) urata mbi fitoret e nazi-fashistëve dhe nuk u bë asnjiherë ideolog i braktisjes së aleateve në favor të fuqive të Boshtit, kishte edhe ai apo jo (?) disa merita, madje madhore në historinë e Shqipërisë…..Këte duhet ta dëgjojnë të gjithë ata të cilëve sytë, hundët, goja, veshët u janë taposur me baltë nga 70 vjet propaganda karikatureske për Mid’hat Frashërin….”, të gjitha “mendjet e smura”, që refuzojnë të ndigjojnë të vërtetën.
Rryma e dytë ashtë ajo e “historianëve” falso që përbuzin faktet dhe refuzojnë me thanë të vërteten, tue nxjerrë pjesë jashtë kontekstit të ngjarjeve të viteve ’40.; ata me ndërgjegjsim të plotë shtrembnojnë të vërteten sepse nuk përputhet me “tezën” e tyne mashtruese.
Mbas pushtimit të vendit nga fashistët italianë, 7 prill 1939, grupet komuniste ishin të hutueme fare. Grupi i Shkodrës hodhi tezën se “pushtimi italian kishte efekt pozitiv në zhvillimin e lëvizjes komuniste në Shqipëri. Italia do të industrializonte vendin tonë bujqësor, do të krijohej klasa punëtore dhe proletariati që nuk ekzistonte….dhe revolucioni! (sic!)
Pesë muej ma vonë, gusht 1939, u firmue Traktati i Mos-sulmimit në mes të nazistëve dhe Bashkimit Sovietik. Ky pakt coptoi Poloninë në mes dy shteteve grabitçare. Akti banditesk në vend që të demaskohej u përshëndet si bashkimi i “punës” kunder “kapitalit” franko-anglez. Nji vjet ma vonë, Gjermania sulmoi shtetet e Europës perëndimore dhe i pushtoi me egërsi të madhe. Bashkimi Sovjetik sulmoi Finlandën që rezistoi heroikisht dhe pushtoi pjesë të territorit fin. Asnji protestë kundër këtij akti banditesk që nuk u reparue asnjiherë.
Në ndërkohë, Gjermania sulmoi vendet ballkanike dhe shkatërroi ish Jugosllavinë dhe Greqinë, ndërsa B.S. pushtoi tri republikat baltike dhe ia aneksoi Rusisë. Përsëri asnji protestë nga komunistët. Me shkatërrimin e Jugosllavisë, italianët hynë edhe në Kosovë . Nji ndër hapat e parë ishte arrestimi i elementit komunist jugosllav. Në mes tyne profesionisti revolucionar Miladin Popoviq, dhe “muzhiku” Dushan Mugosha, të cilët u internuen në nji kamp afër Peqinit. Me urdhër të ardhun nga PK Jugosllave, nji grup aktivistësh –komunistë dhe jo-komunistë shqiptarë, liruen “dy të internuemët” nga kampi. Janë këto dy elementë që vuen themelet e nji Partie Komuniste Shqiptare, caktuen Enver Hoxhën si sekretar të përgjithshëm, dhe morën drejtimin efektiv të Partisë së re.(7 nëntor 1941)
Me 22 qershor 1941, Gjermania naziste sulmoi Bashkimin Sovjetik pa paralajmërim. Ushtritë ruse u tërhoqën në kaos drejt Moskës me humbje të mëdha. Para rrezikut nazist, B.S. u lidh me nji aleancë jo-natyrale; për fatin e të gjithë njerëzimit doli me sukses falë koalicionit anglo-sovjeto-amerikan. Në B.S. hyni në lojë “gjeneral Dimni Rus” e mundësoi disfatën naziste.
Telegramet e mirënjohjes e falënderimit për rezistencën sovjetike nga KM Churchill dhe Presidenti F.D.Roosevelt janë, në fakt, modalitete që shpesh herë mbulojnë esencën e problemit nga sytë e popullit. Lufta Nac-Çlirimtare nuk u ba kurr që të bahemi “republika e shtatë” e Jugosllavisë. Mijëra të rij e të reja idealistë luftojshin për nji Shqipëri të lirë, nji popull të lirë, dhe demokraci, dhe u trathëtuen!
“Çlirimi” ka qenë nji zgjim frikësues, nji trathëti e maskueme. “Liria e Shqipërisë u usurpue” tha Mid’hat Frashëri, dhe “këtu unë jam dakord me të.” deklaroi KM Edi Rama. “Dhe nuk janë veteranët e Luftës Nac-Çlirimtare, por komunistët e pas-luftës që sot gjykojnë Mid’hat Frashërin, a thue se jemi të nesërmen e fitores së luftës, e jo plot 28 vjet nga data zyrtare e vdekjes së shpresës që solli fitorja e tyre (?) ka të bëjë jo me atë luftë por me krimet qe u bënë në emër të fitores saj!” (7.000 plus të pushkatuemë me gjyq e pa gjyq,, 26.000 plus të burgosun politikë, burra e gra; 50.000 plus familjarë, shumica pleq, gra e fëmij të internuem sepse baba-gjyshi i tyne ka qenë “reaksionar”!. Ish presidenti Ramiz Alia pohonte: ”Rendi i ri shoqëror u vendos me forcën e bajonetës! Ka pasur edhe gabime, por jo krime!”( Shpresa dhe Zhgënjime” f.12) Gënjeshtar patologjik!
Në BS u riorganizue KOMINTERN-i, organizatë komuniste për mobilizimin e popujve në ndihmë të BS. Filloi organizimi i grupeve komuniste sidomos në Europë. Në Shqipëri, gjithçka “komuniste”u ba nën drejtimin e instruktorëve jugosllavë. Çetat e armatosuna filluen aksionet kundër okupatorit në pranverën e vitit 1942: komunistë, ballistë, të pavarun. Për hir të organizimit, disiplinës dhe formimit ideologjik çetat komuniste fituen epërsinë. Me metodat e tyne ma shnjerëzore, tue përfshi terrorin e hapët, u krijue atmosfera e dhunës dhe frikës që vijoi deri në fund të vitit 1944, me largimin e nazistëve nga vendi i jonë. Komunistët shqiptarë refuzuen çdo bashkëpunim politik në vrapin e tyne me marrë në dorë pushtetin absolut politik të vendit. Kundërshtarët u detyruen me lanë Atdheun. Kështu bani edhe Mid’hat Frashëri. Dokumentacioni ekzistues konfirmon varësinë e plotë të komunistëve shqiptarë nga PK Jugosllave, që vazhdoi deri në qershor të vitit 1948, me prishjen e marrëdhanjeve shqiptaro-jugosllave.
(Në burgun e Burrelit, antifashisti i njohun Prof. Gjergj Kokoshi, ish ministër i arsimit në qeverinë e parë të E.Hoxhës, dhe deputet, përsëriste: ”E çliruem Shqipërinë, dhe ia dhuruem peshqesh Titos!”)

 

******
I frikësuem nga nji skenar i këtill, vizionari Mid’hat Frashëri pranoi qendrimin “le të mos nxitojmë, të mos shkatërrojmë vendin, të presim e të shohim!” në luftë kundër nazistëve. Logjikisht i drejtë, por në rrethana të atyne ditëve mund të gjykohet “politikisht i gabuem”. Në situata të vështira ngjet që merren vendime për momentin të gabueme, por që me zhvillimin e ngjarjeve të mavonëshme tregohet se kanë qenë korrekte. Në fjalorin e filozofisë së etikës ekziston nji shprehje e përshtatshme për këte situatë: “conceptionalism” – nji terminologji që përdoret sot në përcaktimin e nji qendrimi ku të gjitha aksionet tona janë të drejta ose të gabueme simbas vlerës ose kundërvlerës që vjen si rrjedhojë e aktit tonë. Nji qendrim i këtill lexohet në kujtimet e ML britanik Julian Amery në librin e tij “Sons of the Eagle”. Këtu japim citatet ma të përshtatëshme për ilustrim:
“….Mid’hat Beu…ishte nji republikan me bindje të forta dhe iu përkushtue librarisë së tij. Ai ishte i formuem me kulturën europiane dhe ate të Lindjes së Mesme…nji konservativ romantik, i përfshimë nga zjarri patriotik. Ai ishte i paisun, megjithate, me nji gjykim të ftohët por të ndritun, e biseda e tij ishte tërheqse dhe fitoi admirimin tonë.
Na e akuzuem troç Ballin Kombëtar për “bashkëpunim’ me gjermanët dhe e kercënuem se do të denoncojmë lëvizjen dhe udhëheqsit e saj si armiq të Aleatëve në se ata nuk braktisin menjiherë luftimet kundër partizanëve. Mid’hat Frashëri ishte shumë i ndershëm për të mos u shtirur dhe u përgjegj: ’tash është tepër vonë. Një revolucion po përhapet në Shqipërinë e Jugut në të cilin komunistët janë të organizuem në Lëvizjen Nacional-Çlirimtare me qellim të çthurin rendin social të mbrojtun nga Balli Kombëtar…Ballistët kanë qenë besnikë ndaj Aleatëve (Mukaj,1943 SR)por mbas kapitullimit italian, Enver Hoxha sulmoi Ballistët sepse nuk donte të ndante me rivalët çmimin e pushtetit politik. Lufta civile nuk ka lidhje me Çlirimin Kombëtar të cilin e kishin ndjekur të dy palët qyshë në fillim…’
Partizanët, sidoqoftë, e kanë tregue veten të pamëshirëshëm për çmimin e luftës që paguente popullsia civile dhe të fortë me armë që morën nga britanikët. Ata kanë ba trysni të fortë ndaj Ballistëve, dhe këta të fundit, sikur e kanë pasur të pamundur nji luftë në dy fronte kishin qenë të detyruur t’i pezullojnë sulmet e tyne ndaj gjermanëve të mbrojnë veten nga partizanët…Ishte për të ardhun keq që kjo luftë civile kishte marrë përparësi, ndaj zhvillimeve tjera, por ky ishte realiteti. Gjermanët tashma ishin të mundun dhe shqiptarët mund të bejnë pak me shpejtue apo vonue shkatërrimin e tyne. Pasoja e luftës civile, sidoqoftë ishte ende në dyshim dhe kishte prekë çdo aspekt të jetës së përditëshme të çdo shqiptari. Ai nuk mund t’i fajsonte vertet ata udhëheqës Ballistë të cilët për aksione të veçanta kishin pranue ndihmën nga ushtria gjermane. Ata nuk e kishin bërë këte gjë nga dashuria për gjermanët, apo nga përllogaritja e një fitorje të Gjermanisë….”
“Nga çdo njiqind armë që britanikët u dërgonin partizanëve, nandëdhjetë zbrazeshin kundër shqiptarëve….Në se Enver Hoxha do të braktiste përpjekjet për të krye revolucionin socialist nën petkun e rezistencës patriotike, atëherë Ballistët me kënaqsi do të luftonin kundër gjermanëve. Ballistët janë miq të britanikëve, ndërsa partizanët janë vetëm agjentë të Rusisë” deklaroi Mid’hat Frashëri.
J. Amery shton:” Ne i hodhëm poshtë me forcë argumentët e tia, duke mos dhënë asnji shenj simpatie që mund të trimronte formimin e nji fronti anti-komunist. Megjithate, ne do të pranonim në veten tonë se kishte shumë të verteta në atë që tha ai. Në revolucione ‘nuk mund të keshë pa-anësi!”,,,”Në kohën e revolucionit, ai që nuk ashtë me mue, ashtë kundër meje!” (S. Buçpapaj.Mid’hat Frashëri, prania fizike. DIELLI, 20 dhjetor 2018)
Të metat, gabimet dhe krimet e Enver Hoxhës dhe të sistemit tij nuk u spjeguen nga intelektualët serioz shqiptarë, me shumë pak përjashtime. Edhe kur u trajtuen nga intelektualë jo-komunistë, mendimet e tyne nuk u pranuen nga kuadrot e formueme gjatë rregjimit diktatorial. Akoma sot duket sikur nuk lejohemi me mendue ndryshe nga versionet zyrtare për këte Shqipëri qe na dogji zemrën me problemet e saj, e që na dekurajon me aktet e udhëheqjes saj.
“Bartës i ndershmërisë intelektuale në pohimin e së vërtetave të veta pavarësisht çmimit që ato kanë” (E.Rama), sot Mid’hat Frashëri, ky burrë shteti, na këshillon se duhet nji dozë ndershmënie frashëriane nga ana e kuadrova të rregjimit komunist, me pohue të vërteten.
“Në nëntor 1944, Mid’hat Frashëri në Shkodër, në shtëpinë e Rrojve u drejtohet të pranishëmve duke thënë: ‘Marr përgjegjsinë t’ju deklaroj se e çbëjmë organizatën e Ballit Kombëtar. Ajo e kreu misionin e vet historik. Ne humbëm luftën, por jo shpresën. Cili kuadër komunist ka guximin moral me denoncue haptazi egërsinë kriminale të regjimit komunist në Shqipëri?” Ata të pakët që folën, u vranë!
Unë mendoj se kjo mungesë guximi civil ashtë shkaku i ndasive tona sot që nuk lejon dialogun serioz, dhe eventualisht pajtimin tonë kombëtar.

Ceremonia e zhvarrimit te eshtrave te patriotit shqiptar Mid’hat Frasherit, ne varrezat e Long Island te New York, ne SHBA. Ai do te prehet ne Tirane prane varreve te vellezerve Frasheri, ne kodrat e liqenit artificial. Foto Dritan Haxhia/r/n/r/nExhumation ceremony of albanian patriot Mid’hat Frasheri, at the Long Island cemetery in New York, USA. Photos Dritan Haxhia

Comment

*