Ulqini përballë viruseve

Naser Nika

Nga Naser Nika

Ulqinin, për fat të keq po e kaplojnë shumë viruse.

Ne nga diaspora me shumë shqetësim po përcjellim gjendjen në vendlindje, si atë shëndetsore, ekonomike dhe politike.

Isha në zgjedhjet e fundit në vendlindje dhe përkraha publikisht koalicionin “Bashk nji za”, jo pse ishin më të mirët dhe pa gabime, por nuk më pëlqeu mënyra dhe njëanshmëria e shumë personaliteteve publike që u munduan t’i diskretitojnë duke favorizuar koalicionin tjetër.

Sot, në këto ditë vjeshte Ulqini, e sidomos Ana e Malit, po përjetojnë ditë të vështira dhe tragjike. Po vishen me të zeza nga vdekjet e përditëshme që po shkakton kjo Pandemi. Por në vend që të mendojmë diçka të mirë mbas këtyre halleve, Partia Demokratike po e mbulon me një çarçaf të zi shpresën se për të mirë në spektrin politik dhe ekonomik. Shtroj pyetje publikisht:

Si mund të emërohet një njeri i korruptuar dhe i dënuar, drejtor i organizatës turistike?

A nuk mjaftoi me prishjen e simbolit të Ulqinit, me hotelin “Galeb” e nuk po i përmendim gjërat e tjera. Si ka mundësi një shkatërrues të emërohet në këtë post?

Besoj se zyrtarët, anëtarët dhe përkrahësit e PD-së këtë vendim do e tërheqin mbrapsht sepse është një vendim i gabuar.

Sa i përket gjendjes shëndetësore, uroj nga zemra që situata të përmirësohet, të mos dëgjojmë lajme të zeza dhe të dashur vëllezër e motra ndërgjegjësohuni. Mbani maska cilësore dhe mos kurseni në maska sepse aty është linja e parë e mbrojtjes. Lirohuni nga kompleksi se të jesh pozitiv me koronavirus është turp. Turp është të rrezikosh jetën e të tjerëve duke i qëndruar besnik mentalitetit tonë që duhet patjetër me “ba dyzen” kur martohesh. Turp është nëse rrezikon drejtpërdrejt, jo vetëm veten por edhe të tjerët. Turp është kur e di se ke simptoma dhe nuk mbyllesh në shtëpi. Turp kur mendon se nëse merret vesh se je i sëmurë kënaqet armiku. Harroni që sëmundjeve dhe fatkeqësive askush nuk i gëzohet sepse kanë frikë zotin pa marrë parasysh a janë besimtarë apo jo.

Comment

*