Universiteti bën padi të re për tokën që i është dhënë kishës serbe

Prishtinë, 14 nëntor 2017 – Universiteti i Prishtinës ka vendosur të fillojë sërish procedurat për ta paditur Kishën Ortodokse Serbe për pronësinë e tokës në kampusin e këtij universiteti, ndonëse ky univeritet e humbi gjyqin me Kishën “Sveti Nikolla” (Shën Nikolla), raporton Kallxo.com.

Gjykata e Apelit në Prishtinë  javë më parë vendosi ta bëjë të plotëfuqishëm vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila e kishte konsideruar si të tërhequr padinë e Universitetit të Prishtinës lidhur me katër hektarë tokë të Kampusit Universitar që i janë bartur Kishës Ortodokse Serbe nga pushteti i instaluar nga Serbia, në vitet ‘90.

Sipas vendimi të gjykatës, padia është konsideruar e tërhequr për shkak se përfaqësuesit e UP-së nuk ishin paraqitur në seancën ku do duhej të shqyrtohej konteksti mbi tokën.

Esat Kelmendi, Sekretar i UP-së, ka thënë se universiteti nuk do të tërhiqet nga kërkesa për tokën që, sipas tij, i takon këtij institucioni.

“Zyra ligjore e UP-së është duke përgatitur dosjen me të gjitha provat relevante për ta ngritur padinë nga fillimi, e cila do të procedohet në gjykatën kompetente deri në fund të kësaj jave apo në fillim të javës tjetër. Besojmë  se autoritetet kompetente të drejtësisë kosovare, do ta vendosin drejtë këtë çështje në mënyrë që kjo pronë e uzurpuar kundërligjshëm  t’i kthehet në shfrytëzim UP-së  dhe studentëve të saj”, ka thënë Kelmendi.

Ai ka vlerësuar se Gjykata Themelore e Prishtinës ka marrë vendim të padrejtë kur e ka konsideruar të tërhequr padinë fillestare të UP-së.

“Aktvendimi i Gjykatës është jo i drejtë, sepse nuk e ka marrë për bazë arsyeshmërinë e pamundësisë së përfaqësuesit të UP-së për të marrë pjesë në seancën e parë pranë Gjykatës Themelore, e cila zakonisht është seancë përgatitore e në të cilën gjykata ka konstatuar se UP e ka tërhjequr padinë”, ka thënë Kelmendi.

Kontesti i tokës ku gjendet kisha e papërfunduar ka filluar qe një kohë të gjatë, ndërka kisha e ndërtuar në kohën e regjimit të Slobodan Millosheviqit ka qenë qendër e reagimeve studentore.

Kelmendi ka thënë po ashtu se UP-ja vazhdon ta konsiderojë të papranueshëm ndërtimin e objektit fetar brenda kampusit.

“UP asnjëherë nuk do të heqë dorë nga e drejta për të kërkuar anulimin e vendimeve diskriminuese të nxjerra nga regjimi Serb në kohën e okupimit të Kosovës, dhe në të drejtën për kthim në shfrytëzim të saj të pronës së uzurpuar kundërligjshëm nga ky regjim duke ndërtuar objekt pa leje me karakter fetar brenda kampusit të saj”, ka thënë Kelmendi. (r.m.)

Comment

*