Universiteti i Prishtinës abonohet në 2.582 revista shkencore

Prishtinë, 12 janar 2016 – Personeli akademik i Universitetit të Prishtinës nuk do të mund të arsyetohet se ka publikuar hulumtime shkencore në revista të rreme, në pamundësi të qasjes në revista shkencore me renome ndërkombëtare.

Profesorët, por edhe studentët e niveleve pasdiplomike që duan të bëjnë hulumtime shkencore me kredibilitet ndërkombëtar, prej fillimit të këtij muaji do të mund të hulumtojnë për punime shkencore në 2.582 revista të fushave të ndryshme, përmes formës elektronike, pasi që UP-ja ka blerë të drejtën e abonimit në to.

Qasja në këto revista shkencore Universitetit të Prishtinë i ka kushtuar 20 mijë euro.

Drejtues të Universitetit kanë thënë se ky është çmim i përgjysmuar dhe i negociuar, pasi që kostoja e abonimit në këto revista ndërkombëtare shkencore është edhe një herë më i lartë se sa kaq.

Prorektori për shkencë në UP, Fetah Podvorica, ka thënë për gazetën “Koha Ditore” se marrëveshja për shfrytëzimin e këtyre shërbimeve është arritur me 50 për qind të çmimit real, pas një negocimi disamujor nga ana e menaxhmentit të Universitetit. (r.m.)

Comment

*