Uragani Irma godet Floridën me shira dhe erëra të fuqishme

Uragani Irma preku brigjet e Floridës, në ishujt Key West, pasi u fuqizua përsëri në një stuhi të shkallës së 4, por më pas përsëri u ul në shkallën e 3-të, me erëra me shpejtësinë rreth 130 kilometra në orë.

35 milionë njerëz u paralajmëruan nga autoritetet për rrezikun e uraganit, ngaqë priten shkatërrime në disa zona të shtetit jugor amerikan.

Metereologët thonë se Irma është stuhia më e fuqishme në 100 vitet e fundit.

Pas largimit nga Key West, uragani lëvizi drejt brigjeve perëndimore të Floridës, duke prekur zonat më të populluara në Naples, Fort Myers dhe drejt qytetit Tampa.

Guvernatori i Floridës, Rick Scott, e cilësoi Irmën si “një stuhi katastrofike që ky shtet kurrë nuk e ka parë më parë”. Ai u tha të shtunën në mbrëmje banorëve se i gjithë shteti është në gjendjen e emergjencës, duke u bërë atyre thirrje të largohen drejt zonave të evakuimit.
Guvernatori Scott përsëriti thirrjen për infermierët dhe punonjësit e emergjencave që të ofrojnë ndihmën e tyre vullnetare, shumë të nevojshme pas stuhisë.

Më tepër se 75 mijë njerëz e dëgjuan këshillën e guvernatorit dhe shkuan në rreth 400 qendra strehimi. Mbi 1 milion banesa dhe biznese u njoftuar se nuk kanë energji elektrike.

Ngaqë uragani e ndryshoi drejtimin nga perëndimi, banorët e qytetit të Tampës ishin të fundit që shkuan nëpër strehime, pasi më parë mendohej se stuhia atje nuk do të ndjehej shumë. (VOA)

Comment

*