Urime bashkëvuajtësi im!

Prof. Sami Repishti

Me gëzim mora lajmin se Këshilli Bashkiak i Qytetit Shkodër ka vendosë të deklarojë qytetarin shkodran, dhe bashkëvuejtës i im, Z. Ahmet Bushati “Qytetar Nderi” i qytetit të Teutës. Urimet e mia për këte akt që plotëson nji mungesë të ndieme për nji kohë të gjatë.
E kam njohun Ahmet Bushatin në vitet e rinisë së parë (Nana e ime vjen nga familja Bushati). Por e kam njohë ma mirë vetëm kur ai u arrestue si student aktivist antikomunist, u torturue mizorisht, dhe u denue me shtatë vjet burg të randë e punë të detyrueshme. Në burgun e Shkodrës ku ai u mbyll, me gjithë vështirsitë e Rregullores, jemi takue dhe natyrisht kemi bisedue për gjendjen tonë të randë si dhe kemi ushqye shpresën e nji dite lirimi për të gjithë. Ahmet Bushati më la përshtypjen e nji të riu entuziast por i matun dhe impresionoi të gjithë në burg me tregimin nga shokët e tij për torturat shnjerëzore që u përdorën kundër tij, dhe rezistencën e jashtëzakonshme që tregoi gjatë “hetuesisë” së Sigurimit të Shtetit.
Bashkë me ate, erdhën në burg edhe shumë studentë të “Liceut At Gjergj Fishta” të akuzuem për veprimtari kundër pushtetit, të rij të djegun për demokraci në vendin tonë. Ishte kjo rini që frymëzoi të gjithë, sepse dha të kuptojmë që rezistenca nuk ishte shue përjashta burgut dhe se parashikimet ishin optimiste: rinia shqiptare i rezistonte propagandës dhe praktikës së rregjimit të hunit e të litarit.
Ditët, javët e vitet kalojshin në këte atmosferë mbytëse dhe nën kercënimin e përherëshëm të vdekjes në torturë. Por edhe rezistenca e jonë bahej ma e fortë, ma koshiente sepse njohëm “anmikun” ma mirë, dhe ma kambëngulëse kundër egërsisë së policit. Njikohësisht, pjekunia që vjen me moshën krijoi nevojen e pakundërshtueshme me analizue jo vetëm gjendjen tonë, por edhe fatin tonë në burg, dhe sidomos në ditët kur dënimi i jonë plotësohej dhe pritej lirimi. Cilët jemi ne që dalim të gjallë nga burgu, dhe cili ashtë “roli” i jonë në nji shoqëni që eventualisht do të jetë e ndryshme nga ajo që na mbante të mbyllun në burgje?
Këtu më duhet të pohoj se ajo që gjetëm jashte burgut ishte e pandryshueme, dhe ajo që u krijue mbas ramjes së komunizmit akoma edhe ma deshpruese.
Në burgjet e errëta e kampet e punës së detyrueshme na kishim fillue me u ba të ndërgjegjshëm për pasojat e komunizmit: a do të ishim na në gjendje me rikrijue bashkësinë e vëllazënve e motrave shqiptare mbas nji katastrofe përmbytëse? A do të ishim na të ndërgjegjshëm, nesër në botën tonë pa burgje për rolin tonë të ri në shoqëninë që andrrojshim të lirë, pa frikën e persekutimit dhe pa kercënimin e urisë që sistemi shtetnor komunist kishte organizue në nji shoqëni të shtypun?
Vetë ideja që kujdesi i jonë përqendrohej në mendime të këtilla fisnike e larg konceptit të shtypjes e mjerimit që na kishte mbulue, na mbante gjallë, të fortë, kryenaltë e të vendosun. Edhe ma parë kam deklarue se “në burgjet e fashizmit dhe komunizmit, rinia shqiptare që u dogj gjatë atyne viteve heroike, po hidhte themelet e nji bashkësie vëllaznore të lirë, e të çlirueme nga mentaliteti i persekutimit nga nji shtet monster”. Ajo që na imponohej ato ditë ishte thanja e filozofit gjerman, F.Nietzsche, :”Ata që luftojnë kundër përbindshit, duhet të kenë kujdes të mos kthehen në përbindsha” Duhej ruejtë e forcue fryma njerëzore në mbrendinë tonë, të luftohej pa mëshirë çnjerëzimi i jonë…humbja e jonë e plotë dhe e pareparuesme.
Për fatin tonë të mirë, kaluem këte fazë kritike me suksesin ma të plotë: përbuzëm urrejtjen per “anmikun” kriminel- urrejtjen, këte smundje që vret të gjithë ata që e ushqejnë- dhe vendosëm besimin tonë në aftësitë tona me zbatue drejtësinë. Fatkeqsisht, optimizmi i jonë u trathëtue nga karrieristët e politikës së ditës….! E kaluemja e jonë u venit nga vitet e mos-veprimit për ndertimin e demokracisë, dhe vuejtjet tona i mbuloi harresa! Akoma sot, Shqipëria nuk ka pranue fajin publikisht; ajo jeton me ndërgjegje të randueme nga pesha e fajit të kryem. Kjo gjendje pa zgjidhje na frikëson. Në qoftë se refuzojmë me përballue përbindshin e së kaluemes, breznia e re do të pësojë rrjedhimet e paevitueshme. Sepse, në Shqipëni, komunizmi ka çveshë shqiptarin nga rrobet e trupit e të shpirtit!
Sot, mbas shumë vitesh aventure politike nga klasa të pa ndërgjegjëshme të partive politike, shumica e të cilave të daluna nga gjiu i PKSH/PPSH kriminele, na kujtohen ditët e vështira, dhe dyshimin tonë të justifikuem se, qytetarët shqiptarë do të dilshin nga shoqënia komuniste si qenie të sakatueme, dhe do të vazhdojshin me jetue nën peshën e frikës, frikës së madhe të kafshës që tërhiqet zvarrë, me dru e me litar, në kasaphanet e qyteteve tona….!
Në bankët e shkollës së mesme, kur Shqipënia nuk kishte akoma institucione të arsimit të naltë, gjatë viteve të pushtimit të huej, rinia studenteske e moshës së Ahmet Bushatit zgjodhi alternativen e nderit që kushtoi shumë vuejtje e gjak. E shgënjyeme nga eksperienca komuniste, kjo rini vazhdoi me ndjekë rrugën e vetme që mbetej: rrugën e nderit. Per Ahmet Bushatin dhe kolegët e tij, me kundërshtue “diktaturën e proletariatit”, me mbrojtë të drejtat e Kosovës e Çamërisë, me refuzue duertrokitjet për marrëzitë e diktatorit, nuk kanë qenë akte të thjeshta; ata kanë qenë gjeste të jashtëzakonëshme, detyrë morale, e korrekte politikisht për të gjithë. Edhe këte detyrë breznia e re-sidomos ajo studenteske- e kreu me nder e guxim. Pjesa ma aktive ku bante pjesë edhe Ahmet Bushati u përballue dhe u përlesh me “të keqen” që mbuloi vendin tonë; ajo rini, ende e parritun mirë, u hodh në zjarrin e nji lufte të pabarabartë që nuk mund të fitohej…..jo për fajin e tyne. Sot, breznitë e reja shqiptare kanë nji trashëgim të ndritun me ndjekë: me ndigjue zanin e ndërgjegjes dhe me ndjekë ate me pasionin e tyne rinor!
Sepse pasiviteti mundëson ushtrimin e dhunës kundër të pafajshmit. Heshtja nuk ashtë përgjigje; ashtë nji e keqe pasive. E kur kjo “e keqe” vret e copton, me heshtje na kryejmë aktin e vetëvrasjes sonë morale. Breznia e Ahmet Bushatit përbuzi heshtjen, përballoi fortunën, dhe u dogj në flakën e lirisë që aq shum kërkoi!
Historia na mëson se ata që harrojnë të kaluemen e errët janë të dënuem me e përsëritë. Në Shqipëninë tonë ky fenomen negativ ka triumfue: terrorin komunist e ka mbulue heshtja, dhe heshtja zakonisht vret ata që e përqafojnë. E kundërta ngjau në vendet e përparueme, me kulturë politike ma të zhvillueme, dhe me sensin e plotë të marshimit të historisë. Në ish Gjermaninë naziste ky problem u përballue direkt dhe pa kompromis me mobilizim të përgjithshëm, nji konditë kryesore që në Shqipëni na mungon. Gjermania ka krijue nji identitet politik të ri, tue shlye turpin e së kaluemes saj kriminale.
Këtu kemi para vetes ekperiencën shqiptare: falimentimin në çrranjosjen e efekteve të komunizmit në Shqipëni. Por me kalimin e kohës harresa përparon. Duhen akte që pengojnë fitoren e harresës Monumentët për viktimët, dhe Muzeumet për popullsinë e gjanë, së bashku me programe shkollore për të rinjtë tonë, janë hapat e parë.
Në Shkodrën tuej e timen, nji qendër e rezistencës demokratike, kjo inisiativë u ba pikësynimi i bashkëvuejtsit tim, Ahmet Bushati. Me punë të pa ndërpreme, me ballafaqim të të gjitha vështirësive që ndeshi në rrugën e tij, ky demokrat ia doli me përfundue themelimin e Muzeut të Dëshmisë dhe Memorjes që Shkodra sot posedon, nji pasqyrë e qartë e së kaluemes së errët komuniste. Vetëm për këte ndërmarrje, Ahmet Bushati meriton titullin “Qytetar Nderi”.
I dashtuni Ahmet! E gëzofsh mirënjohjen e qytetit të Shkodrës!

14 korrik 2018
Sami Repishti, Ph.D.

Comment

*