Ushtrimi i kompetencave diskrecionale në gjykimet e çështjeve nga USCIS-i – Më shumë refuzime dhë më shumë vonesa

Kieran Both

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

 

Ka patur ndryshime të reja drastike në manualin e rregullave dhe proçedurave të USCIS-it lidhur me ushtrimin e kompetencave diskrecionale gjatë proçesit të gjykimit të aplikimeve të ndryshme. Kjo nënkupton që nëse aplikanti i përmbush të gjithë kërkesat e tjera ligjore për të përfituar nga emigracioni, zyrtarit të emigracionit do t’i duhet të vendosë nëse faktorët që favorizojnë çështjen kanë më shumë peshë se ata që nuk e favorizojnë atë. Diskrecion pozitiv do të thotë që zyrtari beson që ia vlen që aplikimi në fjalë të shihet në një dritë të favorshme.

Për shumë nga kërkesat që i paraqiten emigracionit, siç janë aplikimet për rezidencë të përhershme (green card) dhe dokument pune, është përgjegjësia e vetë personit që ka paraqitur kërkesën që të tregojë që jo vetëm i përmbush kriteret për aprovimin e kërkesës, por dhe që e meriton që çështja e tij të shihet nën një dritë të favorshme nga zyrtari i emigracionit. Nëse faktorët që bëjnë që çështja të anojë drejt një drite më të favorshme janë më të fortë se faktorët jo të favorshëm, USCIS-i duhet të ushtrojë në mënyrë të favorshme autoritetin e tij diskrecional. Analiza diskrecionale është një komponent më vete në proçesin e shqyrtimit të kërkesave të paraqitura dhe ndodh zakonisht në fund të këtij proçesi, pra pasi zyrtari është bindur që aplikanti i ka përmbushur të gjitha kërkesat e tjera. Rregullorja e re ofron një listë të detajuar faktorësh diskrecionalë që zyrtarët e emigracionit duhet t’i kenë parasysh gjatë shqyrtimit të secilës prej çështjeve konkrete si dhe shpjegon mënyrën se si zyrtarët e emigracionit duhet t’i peshojnë këto faktorë në secilin rast.

Rregullorja e re do t’u kërkojë emigrantëve që të paraqesin një numër gjithnjë e më të madh dokumentash në mbështetje të kërkesës që kanë paraqitur. Shumë emigrantë do ta kenë të vështirë t’i përmbushin këto kërkesa gjë që do të çojë në refuzimin e aplikimeve që kanë paraqitur.

Deri tani, nëse një emigrant i përmbushte kërkesat për shumë nga aplikimet e USCIS-it, atij si rregull i aprovohej aplikimi, me përjashtim kur kishte faktor negativ. Sipas rregullores së re, qoftë kur rezultati përfundimtar është pozitiv qoftë kur është negativ, zyrtarëve u kërkohet që të paraqesin një analizë të detajuar si dhe të dokumentojnë me shkrim vendimin diskrecional të marrë për cilindo aplikim që ka qoftë dhe me të voglin faktor negativ. Zyrtarët nuk do të presupozojnë më që në mungesë të faktorëve të ndjeshëm negativë, aplikimi që përmbush kriteret e kërkuara duhet të shihet në mënyrë të favorshme. Me fjalë të tjera, proçesi i ri i ushtrimit të kompetencave diskrecionale e zhvendos analizën në favor të refuzimit të çështjeve.

Aplikantët do të kenë më pak kohë në mbledhjen e dokumentave provë, të cilat do t’i paraqiten për gjykim një personi anonim dhe nuk do të ketë një afat kohor të qartë për marrjen e përgjigjes si dhe mundësi që emigranti ta paraqesë çështjen personalisht.

Analiza diskrecionale për aplikimet për leje pune do të ndikojë ndjeshëm në aftësinë e aplikantit për të mbajtur veten ekonomikisht gjatë kohës që çështja e tij është në pritje për t’u marrë në shqyrtim nga USCIS-i. Personat që do të preken më shumë nga kjo gjë janë ata që kanë aplikuar për green card bazuar në bashkimin familjar, ata që kanë bërë kërkesë për Cancellation of Removal (kërkesë për ndryshim statusi nga person që duhet deportuar në rezident të përhershëm, gjithnjë kur egzistojnë kushtet për këtë gjë) ose ata të cilëve u është dhënë urdhri për deportim, por që nuk janë larguar.

Shumë aplikantë i kanë varur shpresat për mbijetesë ekonomike tek aprovimi i shpejtë i kërkesës për leje pune. Për shembull, aktualisht koha që duhet për shqyrtimin dhe gjykimin e një aplikimi për green card mund të zgjasë deri në tre vjet. Në mënyrë të ngjashme, do të ketë vonesa në gjykimin e aplikimeve për Cancellation of Removal ku llogaritet të jenë rreth një milionë aplikime të tilla që presin vendim nga gjykatat e emigracionit. Njerëzve mund t’u duhet të presin me vite për të marrë aprovimin e aplikimit për leje pune, gjë që do t’u shkaktonte shtrëngesa të mëdha ekonomike emigrantëve vetë, familjeve të tyre si dhe të afërmve të tyre me shtetësi amerikane apo green card të cilëve do t’u duhet që t’u ofrojnë mbështetje ekonomike këtyre aplikantëve sa kohë që aplikimet e tyre do të jenë pezull për një kohë akoma më të gjatë. Edhe pa këto vonesa, emigrantët janë përballur me kohëpritje të stërzgjatura dhe pirgje çështjesh të prapambetura.

U bëjmë thirrje lexuesve që të këshillohen me një profesionist në fushën e emigracionit lidhur me situatën e tyre konkrete. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju falenderojmë për komentet e vazhdueshme dhe do të përpiqemi t’i përgjigjemi pyetjeve tuaja në rubrikat e ardhshme. Adresa elektronike është [email protected]

Comment

*