Vajza e Dritëro Agollit: Takimi im i përmallshëm me Kadarenë, mikun e ngushtë të babait

Dhurata Hamzai

-Ismail Kadare i thotë i emocionuar Elona Agollit: Ky takim do të ishte lajm. Pasi unë kam qenë shumë mik i afërt me Dritëroin dhe madje shumë herët, që në Gjirokastër, mik i ngushtë…

 

Dhurata Hamzai

Ribotuar nga Shqiptarja.com (https://shqiptarja.com/lajm/vajza-e-dritero-agollit-takimi-im-i-permallshem-me-kadarene-mikun-e-ngushte-te-babait)

Të jashtëzakonshme kanë qenë emocionet e Elona Agollit, vajzës së shkrimtarit Dritëro Agolli, sot paradite, në një takim me shkrimtarin Ismail Kadare.
Pas lamtumirës së dy prindërve të saj të dashur, Dritëro e Sadije Agolli ( që u larguan nga jeta njëri pas tjetrit, në harkun kohor të dy vjetëve të fundit) Elona po iu kthehet kujtimeve, duke u takuar me miqtë më të mirë të dy shkrimtarëve në amshim.
Por takimi me Ismail Kadarenë ka qenë nga më të veçantë për vajzën e Dritëroit. Për koincidencë në këtë takim të ngrohtë, ajo ka parë një flutur, për shfaqjen e së cilës, i pëlqen të besojë se “përcjell mesazhet e dashurisë dhe rrekej të hapte portat e alkimisë së shpirtrave”

Elona dhe Kadareja, siç duken qartë në fotot ku janë takuar, janë të dy të pushtuar nga emocionet. Elonës i kujtohet fëmijëria, kur ajo i thoshte shkrimtarit të njohur të asaj kohe me familjaritet xhaxhi “Ismail”. I kujtohet fqinjësia e mirë dhe takimet e mbrëmjeve me të atin, kur dy shkrimtartë më të mëdhenj të kohës ndanin shqetësimet profesionale dhe hallet e jetës tyre.
Të gjitha gjërat e bukura, që kanë ruajtur kaq gjatë miqësinë mes shkrimtarëve në kohët e vështira të diktaturës nuk shuhen nga kujtesa e vajzës së Dritëroit. E përmallur dhe plot dashuri, Elona Agolli i dedikon këtij takimi me shkrimtarin e madh Ismail Kadarenë këto fjalë:

“Pak pas mesditës, në kafenenë mes gjelbërimit, aty ku vite më parë babai im ishte takuar me mikun e tij të vjetër , Ismail Kadare , do të ulesha edhe unë, përballë tij, e mallëngjyer dhe jo me pak emocione .
“Zoti Kadare po ju priste, si rrallëherë ndodh me dikë .”- përsëriste botuesi dhe miku ynë, Bujar Hudhri .
U ula pranë , duke vëzhguar sytë e buzëqeshur, qëndrimin plot siguri , siguri që përcjell madhështia, gjeste e mimikë që transmetonin përmallim , pasi pranë tij qëndronte vajza e mikut , ( miqësi që të paktë e kanë kuptuar në ngjyra, thellësi e dimension);

“ Ky do të ishte lajm -,theu heshtjen me plotësinë e zërit të tij . Pasi unë kam qenë shumë mik i afërt me Dritëroin dhe madje shumë herët, që në Gjirokastër, mik i ngushtë…Atë çfarë unë ndaja me të , nuk e ndaja me askënd. Është punë tjetër çfarë serviret në skenarë të sajuar.”
Vijonte rrjedhshëm biseda dhe vetja herë më kthehej në fëmijë kur xhaxhi Ismailin e dëgjonim dhe e shihnim me kureshtje, pasi ai ishte figura magjike dhe mistike, dhe herë adoleshente kur dhurata e një këmishe të hollë, ngjyrë gjaku, më nxiste në rrugëtimin e vrasjemendjes të përse-ve dhe simbolikës së asaj dhurate .


U fol për shumëçka rreth asaj tavoline; për Gorkin dhe letërsinë e realizmit socialist, për figurën e diktatorëve në anët e tyre mizore por dhe të vanitetit, vanitet që disa herë i lejonte të bënin edhe të mira; për Fishtën me hamendësimin “ a do të dinte në gjallje të tij kundërshtitë e krijuara falë veprës së tij “, për Lasgushin dhe librat e kujtimeve mbi të, për zhanrin e memorieve dhe sa i përhapur është në letërsinë e vendeve të ish -Lindjes ; hera – herës biseda ngjyrosej edhe nga ironia( sa e ngjashme me atë të babait tim ! ) .
Qëndruam gjatë dhe u fol gjatë , por “ e padukshmja “, ajo çfarë shpirti përcillte , shprehej në dritën dhe përmallimin e hijshëm të syve.
Një flutur e murrme vringthi bëri një gjysmë rreth mbi tavolinën ku qëndronin gotat tona. Ndoshta vetëm unë e vura re , ndoshta veçse mua më ndjek në dhomat e trurit tim “engjëllushja” flutur. Isha unë aty , ajo , bija , që përcjell mesazhet e shpirtit dhe rrekej të hapte portat e alkimisë së shpirtrave.

Comment

*