Vaksina e dytë: Moderna njofton 94.5% mbrojtje prej COVID-it

Synon të prodhojë 20 milionë vaksina deri në fund të vitit dhe 500 milionë deri në një miliard në 2021

 

Ruben Avxhiu

Drejtuesit e kompanisë Moderna në SHBA kanë deklaruar se testimet e versionit të tyre të vaksinës kanë shënuar një sukses të jashtëzakonshëm, me 94.5% të pacientëve vullnetarë imunë prej sëmundjes.
Moderna deklaroi sot se synon të prodhojë 20 milionë vaksina deri në fund të vitit dhe 500 milionë deri në një miliard në 2021.
Kjo është kompania e dytë që njofton sukses në testimet e vaksinës, pas Pfizer/bioTech pak ditë më parë që premtoi 90% siguri imunizimi në bazë të rezultateve të saj.
Burimet shkencore komentuan që suksesi i testimeve nga Moderna përforcon lajmin nga Pfizer, sepse dëshmon se nivele kaq të larta sigurie janë të realizueshme.
Mendohet se shumë shpejt do të ketë edhe 3-4 vaksina të tjera konkurrente në treg.
Pfizer synon të prodhojë deri në 50 milionë vaksina këtë vit dhe rreth 1,3 miliardë në 2021.
Qeveria amerikane u ka dhënë të dyjave nga 2 miliardë dollar që të prodhojnë secila nga 100 milionë vaksina për qytetarët amerikanë. Sipas vendimit të Administratës Trump vaksinimi do të jetë falas për të gjithë.
Të dy kompanitë duhet të presin edhe pak përpara se të kërkojnë lejen nga FDA, agjensia federale e cila duhet të aprovojë sigurinë e vaksinave. Zakonisht FDA kërkon që vaksinat të jenë testuar për dy vjet me radhë për të siguruar nëse vërtet ofrojnë imunitet afatgjatë dhe për të parë në detaje efektet e mundshme anësore.
Mirëpo, në një kohë kur më shumë se 1,000 amerikanë po vdesin çdo ditë, spitalet kanë frikë nga mbingarkesa në zonat më të goditura, dhe me ekonominë e rrënuar nga izolimi paralizues, administrata ka pranuar zbutjen e kushteve.
Moderna ka pasur sukses edhe në qendrueshmërinë e vaksinave jashtë frigoriferëve industrialë. Vaksina e saj mund të ruhet për një muaj në friforifer të zakonshëm, duke lehtësuar jashtëzakonisht transportin dhe shpërndarjen masive të saj.

Comment

*