Vaksina e re e “Novavax” efektive ndaj mbi 89%

Londër, 29 janar 2021 – Një vaksinë e re kundër koronavirusit ka treguar se është 89.3 për qind efektive, në testimet në shkallë të gjerë, në Mbretërinë e Bashkuar.

Vaksina e kompanisë “Novavax” është e para që tregon se është efektive kundër një varianti të ri të koronavirusit, të zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar, raporton BBC.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se ky është një lajm i mirë dhe shtoi se rregullatorët shëndetësorë të Mbretërisë së Bashkuar do ta vlerësojnë vaksinën.

Mbretëria e Bashkuar ka siguruar 60 milionë doza të vaksinës”Novavax”. Qeveria britanike tha se ato pritet të dorëzohen në gjysmën e dytë të vitit, nëse miratohen për përdorim nga Agjencia Rregullative e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore.

Deri më tash, Mbretëria e Bashkuar i ka miartuar tri vaksina të koronavirusit për përdorim urgjent: Pfizer/BioNTech, Moderna dhe Oxford/AstraZeneca.

Ndryshe nga “Pfizer/BioNTech” dhe “Moderna”, “Novavax” mund të ruhet në temperaturë të rregullt të frigoriferit.

Vaksinimi në Mbretërinë e Bashkuar ka nisur më 8 dhjetor të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Qeverisë, mbi 7.4 milionë njerëz kanë marrë deri më tash dozat e para të vaksinave.

Mbretëria e Bashkuar është vendi më i prekur në Evropë nga koronavirusi dhe ndër më të prekurit në botë.

Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, mbi 3.7 milionë njerëz janë infektuar atje dhe mbi 102,000 kanë vdekur.

(REL)

Comment

*