VALLJA APO DHIMBJA E MADHE

Nga Sinan KAMBERAJ

 

28 Nēntor është sot –

Festë – Ditë e Flamurit

Gëzim e Dhimbje

gaz e lot

si çdo mot

 

Fustanella himariote palë-palë

tundet shkundet valë e valë –

Nga Sopoti bie aromë – borzilok

gjeth’ i njomë i trëndelinës

dridhet sonte –

në New York

 

Ç’u mbush mali …

thotë Nëneja

plot me rrush e krushq beqarë

Dardharja hijerëndë –

zonjë e thinjur në Boston

Me nj’ato hire ptinceshe

pret në radhë

 

Ësht’ arbëreshja moreanja

është kopilja e De Radës –

çamja është tri herë e therur

Përgjatë shekullit –

pis të zi

Hajde more Osman Taka hajde

Si s’të bëka syri vër –

para togut t’pushkaimit

ç’qenke more

sevdalli

 

Bubullon Shkëmb’ i Kavajës

dhe nga Durrësi vjen jehona

prej Kalasë

Këmbëkryq ulur në shallvare –

dikush ç’e kish ndez’ çibukun

n’gaca zjarri t’nj’asaj shtëpie –

t’fukarasë

 

Thethi thekshëm seç thërret

majë krahu kujë epike –

vaje burrash t’fisëm t’Motit

Eho nga kohë homerike

 

Vring’llojnë shpatat e Rugovës

përmbi re – si rrufe

ku të kam o Ker Sadria

Jakup Ferri vallë ku je

 

Dhe Nositi merr e jep

ta mbajë gjallë Zogzën e vet –

të plagosur mu në ije

vallja në New York tundet

posi Lundr’ e Poradecit

seç hepohet e anohet –

po nuk bie

 

Ah moj Dardania ime

si të lash

si të lash

e më s’të pash

 

Është Valle e Madhe kjo

a është Dhimbje shekullore

dhimbje është nuk është jo

krajane as kuksiane

as shkodrane

as strugane

tropojane e mirditore

 

Valle me nishan mbi vetull –

plis i bardhë i Dukagjinit

është këngë çikash kanagjeqi

lart në maje t’Boletinit

 

Është llapjane këmishë me ojna

derdhur rruzash drenicare

xhufkë është e kuqe flakë –

varë n’maje t’opingës labe

 

Është johonë e Male’ t’Hotit

të Sharrit e të Tomorrit

Është e Tokës me shtaë plagë

llahtarishëm që kullon

Dashuri është – varri ynë

që me shekuj brez mbas brezi –

as na mban as na lëshon’

——-

New York,

28 Nëntor 1992

 

Comment

*