Vangjelo Grillo, mjekja që kalonte pengesat ndonëse pa mjete dhe pajisje

Portret i paautorizuar,kushtuar Intelektuales Himariote dhe Mjekes Pediatre,Dr.Vangjelo Grillo (Veizi),me rastin e kremtimit të Ditës së shënuar të Emrit të saj.

Në vend të prologut….

Nuk janë të pakta rastet,teksa vështirësohen realisht të gjenden dhe artikulohen fjalët e përshtatshme e të duhura, për të konfiguruar portretin e një Misionareje të heshtur,një heroine fjalëpak e punëshumë.Një Intelektualeje të mirëfilltë, ku cilido Spital apo klinikë, do dëshironte ta kishte si pjesëtare të stafit të vetë.
Mes nesh,jetojnë individë dhe njerëz zemërmëdhenj, si mjekë të përkushtuar dhe model,tepër humanë e krejt të papërsëritshëm, me shpirt të jashtëzakonshëm,me pasione dhe dëshira për të ofruar jetë,për t’i shërbyer me devocion vetë jetës.
Rrallë mund të hasësh në jetë individë dhe qenie kaq të përkushtuar dhe dashuruar me jetën njerëzore e veçanërisht me vogëlushat.Këtë mision e kryejnë më së miri bluzat e bardha,ose ndryshe Mjekët,ruajtësit e shëndetit tonë.

Figura të respektuara, misionarë të përbetuar,individë që humanizmin dhe fisnikërinë e kanë si pjesëz jetike të ekzistencializmit të tyre. Ndër mjeket e para,ndër gratë e spikatura e të shquara të cilat realisht janë simbole dhe monumente të gdhendura,që shndrrisin e vezullojnë,veçojmë Intelektualen brilante,Dr.Vangjelo Grillo (Veizi),të parën mjeke Himariote. Një ndër simbolet dhe themelueset e Pediatrisë shqiptare,një mjeke e spikatur për autoritetin,për etikën dhe profesionalizmin e rrallë,që gjithë jetën gjatë 32 viteve karrierë të suksesshme, ia kushtoi si një sfidë të këndshme fëmijëve.Duke u shërbyer me pasion e përkushtim, me mirëbërësinë dhe sakrificat e panumërta, në dritën e vlerave dhe të parimeve,misionit dhe shkencës humane, që ajo përzgjodhi të rrugëtonte në jetën e saj.

Rrugëtimi jetësor dhe profesional

Dr. Vangjelo Grillo,erdhi në jetë më 14 Dhjetor të vitit 1933,në Himarë, në një familje të thjeshtë,por me vlera dhe tradita atdhetare.Vitet e brishta të fëmijërisë dhe arsimimit fillestar të 7 vjeçares i kalon në vendlindjen e saj në Himarë. Arsimin e mesëm,e kryen në Politeknikumin Mjekësor në Tiranë, të cilën e përfundon me nota të shkëlqyera.Në vijimësi ajo starton dhe ndjek studimet e larta për mjekësi,në Tiranë,duke i përfunduar dhe u Diplomuar si Mjeke,në vitin 1957.Një vajzë shembullore,tepër e zellshme dhe këmbëngulëse edhe si nxënëse po ashtu edhe si studente, me ambicie për rezultate të larta e cilësore.
Pas diplomimit,Dr.Vangjelo Veizi,në vitin 1958,fillimisht emërohet si mjeke në Himarë,në spitalin e kësaj treve, mandej edhe si Drejtuese e tij,ku shërben dhe kontribuon dinamikisht, deri në 1961. Si një e re ambicioze, me vlera dhe virtyte të spikatura, me një vizion për punë dhe veprimtari, me vullnet dhe guxim për shërbim dhe flijim, në të mirën dhe në dobi të jetës dhe të vetë njeriut,ajo fokusohet si misionare e shëndetit.aI përkushtohet një modeli të punës sistematike,sa të mundishme e po me aq plot sakrifica,duke krijuar kësisoj një prestigj dhe emër dinjitoz në gjithë Trevën e Himarës.Për rrjedhojë,brenda një periudhe të shkurtër kohore,ajo fiton simpatinë e gjithë pacientëve,ndonëse duhet pranuar fakti,se operonte dhe punonte në kushte tepër të vështira. Gjithësesi,për rishtarët në hapat fillestare të karrierës së tyre profesionale,lipsej natyrisht shumë përpjekje, shumë punë,një këmbëngulje sistematike, që të mund të fitonte,përvojën, respektin dhe reputacionin.Në ato hapat e para si mjeke në atë periudhë kohore,Dr. Vangjeloja, ishte e vetmja mjeke në gjithë spitalin dhe trevën e Himarës. Për rrjedhojë për hir të shenjtërisë së betimit të saj,tek Urdhri i Hipokratit,Dr. Vangjelose,jo pak here,iu desh të përballej dhe angazhohej,me të gjitha llojet e sëmundjeve që shfaqeshin.Si një njeri tepër i urtë, shumë e thjeshtë, fjalë-ëmbël në çdo rast eventual ajo dëshmoi formimin e saj, gadishmërinë paraprake, ashtu sikundër edhe u shqua,si një mjeke shumë e përqëndruar dhe e vëmendshme, në çdo vizitë mjekësore apo në vizita familjare,për të ofruar ndihmesën në raste emergjente.Duke kontribuar jashtëzakonisht në përkujdesin dhe ruajtjen e shëndetit të himariotëve të thjeshtë,pa përjashtim të të gjitha grupmoshave.Madje paralelisht duke mbuluar në aspektin gjeografik, një hapësirë shtrirjeje më të madhe,përtej kufijve të Himarës,në vijimësinë e bregdetit të Sarandës, Kuçit dhe gjithë reparteve ushtarake që ndodheshin në atë shtrirje të trevës.
Dr.Vangjelo Veizi, qysh në hapat fillestare të rrugëtimit të saj Misionar në Himarë,u fokusua dhe kontribuoi me një përkushtim dhe seriozitet tepër admirues,duke shëruar dhe parandaluar sëmundjen e Melitencës,si një sëmundje problematike e shqtësuese në atë periudhë kohore për trevën e Bregdetit.Ashtu sikundër zhvilloi një punë intensive tepër impresionuese, duke pasur rezultate të dukshme në luftimin dhe parandalimin e tifos apo hepatitit si edhe kundër helmimeve me lëndë me përmbajtje fosforoorganike.
Dr. Vangjeloja, duke sfiduar barrierat e kohës, si një shembull i vetëmohimit,eci dhe shkeli në çdo cep dhe skaj të trevës së Himarës,duke qënë pranë gjithë atyre që e kishin të domosdoshme ndihmën e shpejtë dhe ndërhyrjen e specializuar të saj.Njëherazi, në një periudhë kohore ai ajo e dekadës së viteve 60-të,kur specialitetet mjekësore ishin pothuajse joekzistente, mjeku duhej të dinte gjithçka, madje shpesh here konsultohej edhe për probleme veterinare. Dr.Vangjeloja me mundin dhe përgjegjësinë që e karakterizonte, me shkathtësinë dhe papërtueshmërinë e saj,fitoi një emër të mirë gjithandej,në aspektin e përcaktimit të diagnozave eventuale,në shërbim të menjëhershëm të pacientëve në nevojë.
Gjithësesi,duhet pasur parasysh, se përpos punës së saj të ndërgjegjshme dhe shembullore,gjithçka ishte në rrethana dhe kushte jashtëzakonisht të vështira e të paperceptueshme.Sepse realisht një mjeke e re dhe krejt e papërvojë,përballej me sfida të jashtëzakonshme, pa pasur kushte dhe mundësi minimale,duke mos ekzistuar asnjë lloj laboratori,asnjë lloj mjeti transporti, asnjë aparaturë ekzaminimi radiologjik.Ashtu sikundër as edhe një mjek koleg tjetër pranë saj, për mundësi eventuale konsultimi,për shkëmbim mendimesh apo opinionesh.Të gjitha këto barriera dhe pengesa, Dr. Vangjeloja,mundi t’i kapërcente me shumë sukses,falë thellimit dhe studimit shkencor, që ajo kryente për çdo rast që përballej dhe kërkonte mendimin e specializuar të saj,madje edhe literaturës së huaj pasur parasysh faktin që ajo zotëronte gjuhët si greqisht,italisht,frëngjisht,rusisht etj.
Në këtë kontekst,duhet përmendur fakti, se një ndihmesë të jashtëzakonshme luajti edhe bashkëpunimi me personelin ndihmës mjekësor të spitalit në Himarë, veçanërisht me infermierin e talentuar Kozma Nesturi,(më vonë u nderua dhe laurua si Hero i Punës Socialiste), duke përfituar nga përvoja e gjatë e tij,ashtu sikundër dhe horizonti që ai posedonte, duke qenë sa më pranë njerëzve që përballeshin me probleme dhe halle njerëzore.
Njëherazi Dr.Vangjeloja,krijoi një bashkëpunim tepër ambicioz dhe perfekt, me figura dhe personalitete të fushës së mjekësisë në qytetin e Vlorës,me mjekë të shquar si Irfan Pustina, Pavli Flloko,Kostandin Kauri,Isuf Hysenbegasi ashtu sikundër njëherazi edhe me Profesorët e shquar të pediatrisë në Tiranë, si Prof.Selaudin Bekteshin dhe Prof. Hamdi Sulçebegun.Me punën e saj këmbëngulëse dhe përkushtuese,me horizontin e gjerë kulturor dhe profesional që e karakterizonte,me fokusimin e saj prioritar,duke përfituar edhe nga përvoja e një sërë mjekëve të spikatur të asaj periudhe,ajo mundi të fitonte respektin e zemrat jo vetëm të pacientëve dhe familjarëve të tyre,por thuajse të gjithë trevës së Himarës.

Të cilët edhe në vijimësinë e ditëve të sotme,duhet theksuar, se e kujtojnë me mirënjohje e nderim krejt të veçantë.

Madje edhe duke e pasur si një shtyllë mbështetëse,si njeriun e tyre të afërt, duke kërkuar ndihmesë apo sugjerimin e saj, në halle dhe problematika që ata përballen.

Falë kontributit fisnik dhe solidaritetit të kësaj mjekeje të jashtëzakonshme, në vitin 1961,Dr. Vangjelo Veizi, e përkrahur dhe mbështetur nga Profesorë dhe titullarë si Prof.Selaudin Bekteshi, Prof. Hamdi Sulçebegu,Ciril Pistoli dhe Drini Ohri, emërohet në Spitalin Pediatrik të Tiranës,si Mjeke Pediatre.

Aty tanimë Dr. Vangjeloja,u përball dhe u ndesh me një mjedis tepër të ngrohtë e mikpritës,me një dashamirësi të jashtëzakonshme, nga ish shoqet e saj të Fakultetit, mjeket si Hrisavgji Reka,Bukurie Maci,dhe mjekët e njohur si Prof.Thoma Kristo,Fina Bitri,Zyhra Hajrullai,Bafturi Mati,Teuta Jovani,Kimete Nikshiqi,Dhurata Nishani.
Për disa vite rradhazi, Dr.Vangjeloja, me rreptësinë dhe seriozitetin e etikës mjekësore,si besnike e betimit të Hipokratit, iu përkushtua detyrave dhe përgjegjësive të saj mjekësore,duke u angazhuar dinamikisht dhe punuar thuajse në të gjitha departamentet respektive të këtij spitali, duke filluar nga vogëlushët 1-vjeçar e deri tek 14-vjeçarët, e duke u angazhuar me kurimin dhe mjekimin e një sërë sëmundjeve të ndryshme e të panumërta jo infektive.

E vlerësuar për sensin e thellë të zbatimit të kompetencave dhe detyrës së saj misionare, të rrënjosur thellë në dashurinë e saj për ato qeniet njerëzore tepër të mitura, pranë dhe në dispozicion të të cilëve Dr.Vangjeloja ishte ditë e natë,në vitin 1966, ajo emërohet në Pavionin e 6-të, në të cilin trajtoheshin dhe shtroheshin mosha e fëmijëve me probleme dhe sëmundje infektive (aerogene), duke përjashtur natyrisht sëmundjet e hepatitit dhe dizanterisë,duke pasur si Përgjegjëse të Departamentit, Dr.Hena Dino.

Ky pavion me afro 60 shtretër,ishte në atë periudhë kohore,me një sëmundshmëri tepër të lartë,me ngarkesa dhe tensione,me fëmijë të sëmurë në shkallë të rënduara e të sforcuara si meningit, sepsis meningokoksike, pertusi me bronkopneumoni, insuficiencë respiratore, encefalopatira, tetanoze, polineurite, difteri,me ndërlikime të theksuara kardiake dhe nervore, me urgjenca tepër të vështira etj.

Natyrisht që këto sfida,përpos të tjerash kërkonin përgatitje dhe një performancë të jashtëzakonshme,trajnime specifike të kualifikuara,terapi intensive,përkushtim e devotshmëri, studim sistematik të vazhdueshëm.

Prej angazhimit të Dr.Vangjelosë,përtej kufijve të orarit zyrtar, duke qëndruar në krye të detyrës,si një humaniste e zjarrtë,por edhe të kontributit të gjithë personelit ndihmës të pavionit,u mundësua arritja e një sërë sukseseve duke thyer tabu e duke ndikur në shërimin e fëmijëve me episode të rënda.

Falë përpjekjeve titanike rezultative, falë ndihmesës dhe mbështetjes njerëzore,në vitin 1967, Dr.Vangjeloja e vlerësuar për rezultatet dhe performancën e saj,emërohet si Përgjegjëse e këtij Pavioni,të cilin e drejtoi me sukses dhe efektivitet deri në vitin 1978.Pikërisht në këtë kohë befasisht,ajo transferohet padrejtësisht dhe krejt pa asnjë shkak, si mjeke në spitalin infektiv të qytetit të Elbasanit.Edhe tanimë në këtë qytet,Dr. Vangjeloja,ndonëse në kushte të reja dhe krejt të panjohura,mundi të realizonte një punë të përkryer diagnostikuese dhe mjekuese.Duke përjetuar çdo ditë ankthin për shëndetin e fëmijëve,ajo qëndronte natë e ditë në spital,pranë pacientëve, duke mos u lënë përgjegjësinë mjekëve roje,duke i ndjekur dhe i pasur vet nën kontroll,derisa të kapërcenin fazën kritike në të cilën ndodheshin.
Dr. Vangjeloja,si një emisare, shqetësimi i së cilës ishte vetëm i sëmuri dhe përkushtimi shkencor për rehabilitimin e tij,duke pasur si destinacion të vetëm të saj,punën e vazhdueshme efektive,në vitin 1970 emërohet si Pedagoge, ku filloi si lektore e njëherazi si e ngarkuar të mbikqyrë dhe drejtojë praktikat mësimore të studentëve.
Duke qenë po aq pasionante edhe në misionin e saj si lektore dhe mësimdhënëse,paralelisht me punën në spital, për disa vite, Dr. Vangjeloja, inicioi dhe drejtoi me sukses edhe kurset pasuniversitare të mjekëve që specializoheshin në pediatri.Ashtu sikundër,ajo ishte e angazhuar dinamikisht, në përgatitjen e pediatrëve infeksionistë,me periudha trajnimi kualifikuese 1 vjeçare si edhe cikle 3 mujore.Përpos tyre, një impenjim madhor dhe angazhim maksimal për të, ishte edhe kontributi sistematik në përgatitjen e aradhës së mjekëve të përgjithshëm,të cilët punonin në qendrat shëndëtsore të rretheve, në trajnime me specializime 10 mujore në fushën e pediatrisë.Angazhimet e Dr. Vangjelosë përfshihen edhe në kontributdhenien e saj në aspektin shkencor,duke u angazhuar me veprimtari të mirëfilltë,duke referuar në një sërë sesionesh shkencore të mbështetura tek pediatria,jo vetëm në Tiranë, por ashtu sikundër edhe në Korçë apo Elbasan.
Në këtë kontekst,falë backgraundit të saj, falë profesionalizmit edhe objektivitetit, duke mishëruar konceptet e qytetarisë akademike dhe active,Dr. Vangjeloja,ofron një ndihmesë të spikatur,duke botuar një sërë punimesh shkencore në revista apo buletine mjekësore me tematika respektive si «Pertusi me ndërlikime në aparatin e frymëmarrjes dhe atë të sistemit nervor» ,studimin «Μbi 208 raste me meningit si edhe sepsis», «Difteria toksike dhe ndërlikimet e saj në aparatin kardiovaskular dhe në sistemin nervor»,«Salmonezat»,«Dy raste me tifo abdominale dhe ndërlikim peritonitis»,«Një rast me leptospirozë ikterohemoragjike»,«Klinika mbi dizanterinë në moshat e fëmijës së gjirit»,«Klinika dhe trajtimi i meningiteve»,«Klinika e poliomielitit tek fëmijët e Elbasanit»,«Meningitet tek latanti në Spitalin e Elbasanit».
Ashtu sikundër,Dr. Vangjeloja,si vizionare,ka udhëhequr me sukses edhe tema diplomash të studentëve e paralelisht ka qenë në rolin e oponentes, në mbrojtjen e titujve dhe disertacioneve nga ana e mjekëve pediatër.Përpos tyre,me dëshirë dhe vullnet të jashtëzakonshëm,ajo ka kryer recensat e disa botimeve shkencore dhe teksteve Universitare të Pediatrisë. Për disa vite rradhazi,DR.Vangjeloja,ka qenë Anëtare Komisionit të lartë të Pediatrisë,Konsulente pranë Ministrisë së Shëndetësisë,për gjithë fëmijët e Shqipërisë me problematikë sëmundjet infektive.Edhe pas rikthimit nga Elbasani,rishtaz u caktua si Konsulente e gjithë reparteve infektive të pediatrisë të spitaleve të vendit,dhe për të qenë sa më pranë konsultave të domosdoshme,ajo ka udhëtuar e shkelur në të gjitha anët e vendit,në përbërje të ekipeve që krijonte Ministria e Shëndetësisë për raste të ndryshme të epidemive në atë periudhë kohore,duke ofruar një ndihmesë të konsiderueshme në të gjitha spitalet e repartet infektive të rretheve të ndryshme.Me të njëjtin pasion e përkushtim, me të njëjtin temporitëm jetësor,me të njëjtin impuls pozitiv,me të njëjtën buzëqeshje të pakrahasueshme, me të njëjtën sinqeritet e dinjitet, me të njëjtën mirësi, urtësi e mençuri, Dr.Vangjeloja vijoi të kontribuonte dhe spikaste, duke i shërbyer filozofisë Hipokratike në mënyrë rigoroze dhe pa kushte,deri në fundvitin 1989,teksa me kërkesën e saj,ajo doli në pension.

Epilog….

Intelektualja brilante,Dr.Vangjeloja,si njëra prej Koloseve të Pediatrisë Shqiptare,që për 32 vite rradhazi ofroi një kontribut të paçmueshëm,me praninë e përkujdesin human dhe shkencor, u rritën breza e breza,kujtohet me respekt e adhurim edhe në ditët e sotme.Nderohet dhe vlerësohet me dashamirësi kjo mjeke e aftë,e devotshme,e sjellshme,e papërtuar,si tepër fisnike dhe krejt e palodhur.
Sepse përmes Misionit të saj Humanitar,si mjeke Pediatre, me një performancë të shkëlqyer,e fokusuar dhe me dashuri për profesionin e saj, në rrugëtimin e saj të sukseshëm profesional apo jetësor,ajo nuk kërkoi pasurim, por shpirti i saj, u pasurua nga dashuria e pakufi e vogëlueshëve pacientë të saj.
Dr.Vangjelo Grillo (Veizi),si simbol i Madhështisë së heroizmit, të sakrificave , si një emisare Humaniste dhe dritëpërçuese, posedonte një përgatitje të lartë,në aspektin e njohurive teorike dhe praktike e një përvojë të jashtëzakonshme.Falë aftësive të rralla komunikuese,me studentët dhe pacientët,me stilin e saj praktik dhe bashkëkohor në mësimdhënie, ashtu sikundër ishte përherë tepër aktive dhe komunikuese me të gjithë.
Si një ithtare e humanizmit dhe mishëruese e solidaritetit, Dr.Vangjelo Grillo (Veizi),ishte një përpos se mjeke edhe një zonjë e rrallë,fisnike,tepër dashmirëse,që dinte të bënte për vete,e të injektonte dashuri për profesionin e mjekut. Posedonte një intuitë të rrallë klinike dhe dëshmonte një përkujdesje të jashtëzakonshme për fëmijët.Një pedagoge dhe misionare madhore,e sakrificës, inteligjente,me një humor të veçantë,që nuk kursehej të ndihmonte e ofronte përvojën e sukssesshme tek kolegët më të rinj.
Nuk mund të anashkalohet fakti,duke nënvizuar,se pranë Dr.Vangjelo Grillo (Veizi),me dinjitet dhe mirësi,qëndronte bashkëshorti i saj,Mjeshtri i Madh, shkrimtari i shquar i letërsisë për Fëmijë, modesti Odise Grillo,duke pasur një familje të shkëlqyeshme,së bashku me të dy bijtë e saj, Kostën dhe Anin.
Me vlerësim të thellë dhe mirënjohje të jashtëzakonshme,për Himarioten brilante,Mjeken pediatre Dr.Vangjelo Grillo (Veizi), e cila meriton respektin e mirënjohje si një mjeke që i kushtoi rininë e gjithë jetën e saj, misionit Hyjnor të Hipokratit,shërimit e rehabilitimit të jetës njerëzore.E cila i përket një plejade të paarritshme me kontributdhënie pa asnjë shpërblim apo interes përfitimi.Kënaqësia saj,ishte kur shëronte e kuronte jetën njerëzore.
Gjithë jeta dhe vepra vigane e Heroinës Himariote, Dr.Vangjelo Grillo (Veizi),është pa asnjë mëdyshje,një monument i përkryer mirësie dhe humanizmi,një mirëbërjeje shembullore që respektohet,vlerësohet në mendjen dhe zemrën tona si bashkëkohës,dhe si një shembull i mirë dhe i papërsëritshëm i humanizmit pa kufi, si edhe i bujarisë dhe fisnikërisë.

Pirro FOTIADHI

25.03.2020

Burime bibliografike :

Dr.Flamur Tartari,Gjurmë të mjekësisë shqiptare Nr 6

*Marrë nga “Himara Himarjotëve”, titulli i origjanalit “Dr. VANGJELO GRILLO (VEIZI) – SIMBOLI I HUMANIZMIT, PASIONIT,PËRKUSHTIMIT DHE DASHURISË PËR FËMIJËT”.

Comment

*