Vargjet e poetit Frederik Reshpja tingëllojnë aktuale, sikur të ishin shkruar sot

Ndue Ukaj

Para 28 vitesh u rrëzua busti i tiranit gjakpirës Enver Hoxha, por Shqipëria vazhdon të jetë e mjerë dhe t’ i vuajë pasojat e rënda që la në psikologjinë shqiptare dergja komuniste. Dhe këtë element e tregon poezia e Frederik Rreshpjës, “Miting për Enver Hoxhën”, e shkruar vitin1982. Duke e lexuar atë sot, ia ndjenë tanë fuqinë profetike dhe forcën me të cilën Rreshpja paralajmëronte periudhën post hoxhiane.

Në fakt, Rreshpja ka shkruar shumë poezi politike, në të cilat e ka kritikuar regjimin despotik shqiptar dhe për këtë ka vuajtur, duke u burgosë dhe ekskomunikuar.

Në poezinë e tij, ai ka kritikuar liderët e degjeneruar dhe fals, me tru sa një zog dëbore, dhe, këtë e ka bërë me një gjuha poetike eksplicite; pa u fshehur pas figurave dhe domethënieve të vështira për të transmetuar mesazhe dhe ide politike.

Ai ka shkruar kundër lavdisë së pjerdhur të liderëve, prej së cilës pësojnë njerëzit e lirë, ata që mbesin pa Itakë, siç ishte poeti, i cili atë e kërkonte larg atdheut fizik ku jetonte – e kërkonte në qenësinë e poezisë- sepse atdheu për të dhe shqiptarët ishte shndërruar në ferr të vërtetë.

Në të vërtetë, poezia “Miting për Enver Hoxhën” është një poezi politike tejet domethënëse, që mund të lexohet në secilën kohë dhe në secilën shoqëri, ku ka turbulenca politike dhe ku turma injorante gjunjëzohen para liderëve, rrëzojnë një të vjetër dhe krijojnë një të ri.

Kur e lexojmë këtë poezi, në një ditë veçantë si kjo, që lidhet me rrëzimin e shtatores së tiranit, Enver Hoxha, shohim ç’fuqi ka arti për t’i transmetuar të vërtetat njerëzore dhe politike në gjuhë.

Vargjet e kësaj poezie kanë dramatcitet, dhimbje, trishtim, pikëllim dhe transmetojnë një mesazh për secilën kohë, për secilën stinë dhe për secilën shoqëri. Tingëllojnë aktuale, sikur të ishin shkruar sot. Dhe, kështu mund të tingëllojnë edhe nesër ose në vitin e largët 2050.

Porse, në anën tjetër, këto vargje, mund të shërbejnë për katharsis politik, në secilën shoqëri, sidomos në ato të brishtat, ku turmat bien para gjunjëve të liderëve, rrëzojnë një të vjetër për të krijuar një të ri.

Duke e kontekstualizuar poezinë e Reshpjes në realitetin e sotëm politik, shohim se ky fenomen tragjikomik na përcjellë si hija.

Mjerisht, Shqipëria dhe Kosova, edhe sot ballafaqohen me liderë të këqij. Të tillët, atdheun tonë e kanë shndërruar në një tokë dhimbjesh, klithmash dhe vajtimesh. E, si pasojë e këtyre liderëve, sot, të paktë janë ata shqiptarë, që me zemër dhe ndërgjegje i dëgjon të thonë: lumi unë për vendin tim. Në të kundërtën, gjatë gjithë ditës, në vende pune, kafe, rrugë, institucione, shkolla, institucione të larta të dijes dhe të religjionit, dëgjon njerëz tek ankohen, lëshojnë kukama, shprehin ankth, dëshpërim, paqartësi e pasiguri për vendin e tyre dhe mallkimin që e bartin mbi supe.

Image may contain: text

Comment

*