Vazhdon greva e mësimdhënësve, qeveria bisedon me sindikatën

Prishtinë, 14 janar 2019 – Të gjitha institucionet e arsimit në Kosovë kanë hyrë në grevë. Punonjësit e arsimit, në të gjitha nivelet, nga ai parashkollor deri te ai universitar po kërkojnë rritje të pagave.

Kjo rritje, sipas tyre, mund të realizohet përmes koeficientit të pagave, që pritet të rregullohet me Ligjin për pagat i cili aktualisht, në formën e projektligjit, është në procedurë të miratimit.

Si pasojë e grevës, procesi mësimor është ndërprerë në të gjitha nivelet, duke filluar nga institucionet parashkollore e deri tek institucionet e arsimit universitar.

Këshilli Qendror Grevist i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë kërkon që të ngriten koeficientet e parapara në Projektligjin e pagave për punonjësit e arsimit dhe kulturës/ Ai kërkon për mësimdhënësit koeficient të barabartë me kategoritë tjera të shërbyesve publikë ose ngritje të koeficientit për punonjësit e arsimit për së paku 30 për qind.

Koeficienti i mësimdhënësve të arsimit fillor dhe të mesëm aktualisht, sipas SBASHK-ut, është 2 deri në 2.3 me pagë mesatare nga 420 deri në 440 euro, kurse kërkohet që ky koeficient të rritet në 2.6 respektivisht 3, që i bie paga të arrijë në rreth 650 euro.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se pa realizimin e këtyre kërkesave, greva nuk do të ndërpritet. Sipas tij, projektligji për pagat është diskriminues për të punësuarit në arsim, ku nga 11 koeficientet e mundshëm arsimi është vendosur në koeficientin e parafundit.

Jasharaj tha se ky rangim i ka degraduar mësimdhënësit.

“Ndërprerja e grevës nuk varet nga SBASHK-u. Sindikata ka pritur mjaft, greva do të zgjasë deri në momentin kur institucionet e Kosovës t’i përfundojnë detyrat e tyre dhe t’i realizojnë kërkesat e mësimdhënësve, për të cilat vet kanë thënë se janë legjitime dhe të drejta”, tha Jasharaj.

Projektligji për pagat aktualisht është duke u shqyrtuar në Komisionin për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në Kuvendin e Kosovës dhe me procedurë të shpejtë pritet të kalojë për miratim në njërën nga seancat e para të Kuvendit.

Në përpjekje për ndërprerjen e grevës, zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj dhe ministri i Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Kulturës, Shyqiri Bytyqi, kanë mbajtur të hënën një takim me përfaqësues të SBASHK-ut.

Këshilltari politik i ministrit Bytyqi, Valmir Gashi, tha për Radion Evropa e Lirë se zyrtarët e qeverisë kanë premtuar se do të përpiqen të gjejnë zgjidhje për këtë çështje, por nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete.

“Ne si ministri jemi kundër grevës, pasi për momentin nuk është zgjidhje dhe dëmton procesin e mësimor, konkretisht nxënësit. Edhe në të kaluarën ka pasur greva dhe zëvendësimi i orëve të humbura ka qenë jo i duhur”, tha Gashi.

Edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës kërkon që greva të ndërpritet. Ymret Reshitaj, kryetar i këtij Këshilli, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se i përkrahin kërkesat e mësimdhënëseve, por ka shtuar se zgjidhja mund të kërkohet përmes dialogut dhe jo përmes grevave.

“Ne kërkojmë nga sindikata që ta përdorë dialogun social, sepse ai është e drejtë dhe vlerë civilizuese. Dhe mendojmë se duhet kohë dhe durim që të bëhet zgjidhja për kërkesën për rritjen e koeficientit të pagave. Në këtë rast, përmes ndërprerjes së procesit mësimor, humbësit më të mëdhenj janë nxënësit”, tha Reshitaj.

Të hënën në institucionet para universitare të Kosovës është dashur të nisë gjysmë vjetori i dytë, pas pushimit dimëror dyjavor.

Sipas të dhënave zyrtare, Kosova i ka rreth 370 mijë nxënës të institucioneve të arsimit parauniversitar dhe 110 mijë studentë. Ndërkaq numri mësimdhënësve në nivel vendi llogaritet të jetë rreth 23 mijë.

(Nadie Ahmeti, REL)

Comment

*