Vazhdon saga e programit DACA – Presion i vazhdueshëm mbi “Ëndërrimtarët”

Kieran Both

Çështje të Emigracionit: Për ju, Avokati Kieran Both ([email protected])

 

Shtëpia e Bardhë njoftoi që do të fillojë të minimizojë gradualisht mbrojtjet ligjore ndaj qindra mijëra emigrantëve të programit DACA (Deferred Action of Childhood Arrivals). Administrata e Trump-it njoftoi që do të hidhte poshtë aplikimet fillestare për DACA si dhe do të reduktonte periudhën e mbrojtjes ligjore për ata që kërkojnë ripërtëritjen e aplikimeve për DACA, nga dy vjet në një vit. Në një memorandum të datës 28 korrik, 2020, personi që ushtron aktualisht detyrën e drejtorit të Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), Chad F. Wolf, shpalli rregulloren aktuale mbi këtë çështje, e cila hyn në fuqi menjëherë.

DHS-ja:

  • Do të hedhë poshtë të gjitha kërkesat për status të DACA-s si dhe aplikimet shoqëruese për dokumentat e lejes së punës si dhe do të rimbursojë tarifat përkatëse të paguara për këtë qëllim nga aplikantët, por pa ua hequr përfundimisht të drejtën këtyre të fundit për të ribërë kërkesë, nëse në një të ardhme DHS-ja do të vendosë të pranojë kërkesa fillestare për status të DACA-s.
  • Do të shqyrtojë të gjitha kërkesat për ripërtëritje të statusit DACA si dhe aplikimet shoqëruese për leje pune, qoftë ato që janë në pritje për gjykim qoftë ato që do të paraqiten nga personat që përfitojnë aktualisht nga ky program.
  • Pas lëshimit të memorandumit në fjalë, do të kufizojë në një vit periudhën e mbrojtjes ligjore që garanton DACA (dhe si pasojë dhe autorizimin për të punuar që shoqëron statusin DACA).
  • Nuk do t’ua anulojë statusin dhe lejen për të punuar atyre që përfitojnë aktualisht nga ky status bazuar thjesht në direktivat e këtij memorandumi për sa kohë që statusit dhe lejes përkatëse të punës nuk i ka kaluar afati.
  • Në mungesë të rrethanave të jashtëzakonshme, do të hedhë poshtë aplikimet I-131 për advance parole (leje udhëtimi)- qoftë ato që janë paraqitur tashmë dhe janë në pritje për gjykim, qoftë ato që do të paraqiten në të ardhmen nga personat që përfitojnë aktualisht nga statusi i DACA-s – si dhe do t’ua rimbursojë tarifat përkatëse të paguara.
  • Nuk do të anulojë lejen e udhëtimit (advance parole) të marrë në kuadrin e programit DACA bazuar thjesht në direktivat e këtij memorandumi sa kohë që advance parole-ës në fjalë nuk i ka kaluar afati.
  • Do të ushtrojë të drejtën e autoritetit diskrecional (pra do të ketë liri të plotë veprimi) për të hedhur poshtë apo anuluar statusin e DACA-s në çdo moment, në qoftë se zyrtarët e emigracionit vendosin që hedhja poshtë apo anulimi do të ishte me vend.
  • Do të vazhdojë t’i përmbahet politikës së shkëmbimit të informacionit.

 

Rregullorja e USCIS-it për vizitorët gjatë pandemisë:

Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së SHBA-së nxorri rregulloren që po paraqesim më poshtë për zyrat që janë hapur:

Për të mbrojtur punonjësit dhe publikun nga ekspozimi ndaj koronavirusit (Covid- 19), USCIS u kërkon të gjithë aplikantëve, peticionerëve dhe vizitorëve nga mosha dy vjeç e lart që gjatë kohës që gjenden në zyrat e USCIS-it, të mbulojnë fytyrën me maska mbrojtëse. Kjo masë vlen deri në një njoftim të ri. Mund t’ju kërkohet që ta hiqni për shumë pak maskën mbrojtëse sa për të verifikuar identitetin ose kur duhet të dilni në fotografi. USCIS-i gëzon të drejtën që t’u ndalojë hyrjen personave që nuk kanë mbuluar fytyrën me maska mbrojtëse. Ju lutemi të ndiqni udhëzimet e paraqitura në njoftimin për takim si dhe ato që kanë të bëjnë me takimin që ju është caktuar në datën dhe orën e caktuar. Maskat mbrojtëse nuk zëvendësojnë mbajtjen e distancës fizike. Ndiqni shenjat apo udhëzimet lidhur me mbajtjen e kësaj distance qoftë gjatë kontrollit qoftë brenda ambjenteve të USCIS-it. Me qëllim kufizimin e numrit të personave në sallat e pritjes, aplikantët që kanë takim duhet të jenë të shoqëruar vetëm nga:

Një avokat, përkthyesi (në disa raste, përkthyesit duhet të jenë në gadishmëri në lidhje telefonike); njëri nga prindërit apo kujdestari ligjor, në rast se aplikanti që do të intervistohet është i mitur; anëtarët e ngushtë të familjes të listuar si vartës në aplikimin konkret apo njoftimin për intervistë; si dhe personi që ndihmon individin me aftësi të kufizuara. Në kohën që flasim, USCIS-i nuk lejon të ftuar gjatë ceremonive të natyralizimit. Në këto ceremoni duhet të marrin pjesë vetëm personat të cilëve u është caktuar takimi për ceremoninë e natyralizimit si dhe personi ndihmës në rastin e individëve me aftësi të kufizuara. Gjatë ceremonive të natyralizimit kërkohet mbajtja e maskës mbrojtëse, madje edhe në rastet kur ceremonia zhvillohet jashtë hapësirës së USCIS-it.

Nëse ndjeheni i sëmurë, mos hajdeni në zyrë. Ndiqni udhëzimet në njoftimin që ju ka ardhur për takim lidhur me çfarë duhet të bëni për të caktuar një takim tjetër kur të ndjeheni mirë me shëndet. Nuk do të ndëshkoheni nëse bëni kërkesë për ndryshim të datës së takimit, nëse jeni i sëmurë. Nëse keni simptomat e COVID-19-ës, nuk do t’ju lejohet hyrja në zyrat e USCIS-it.

Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju falenderojmë për komentet dhe pyetjet tuaja të vazhdueshme dhe do të përpiqemi t’u përgjigjemi në të ardhmen sa më shumë prej tyre që të jetë e mundur. Ju ftojmë të na dërgoni pyetjet tuaja nё adresёn tonё elektronike 

[email protected]

Comment

*