Vazhdon trendi i rënies së të hyrave në Telekomin e Kosovës

Prishtinë, 25 qershor 2018 – Të hyrat e Telekomit të Kosovës në tregun e telefonisë mobile kanë rënë edhe gjatë tremujorit të parë të këtij viti.

Sipas Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), i cili bën analizën periodike të këtij tregu, gjatë tremujorit të parë të këtij viti, të hyrat e ndërmarrjes publike kanë shënuar rënie prej 2 pikësh në përqindje, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas të dhënave të ARKEP-it, gjatë këtij tremujori, operatori i Telekomit, Vala, ka pasur 53 për qind të të gjitha të hyrave në tregun e telefonisë mobile në Kosovë, kurse në fund të vitit 2017 kishte 55 për qind.

Për dallim nga Telekomi, operatori i dytë, Ipko, është rritur për dy pikë të përqindjes dhe tani e ka 39 për qind të tregut.

Trendi i rënies së të hyrave të ndërmarrjes publike është si rezultat i gjendjes së rënduar financiare, në të cilën gjendet Telekomi i Kosovës.

Aktualisht, borxhet e Telekomit të Kosovës kapin shifrën e 60 milionë eurove. Pjesë e këtij borxhi janë edhe 26 milionë euro ndaj operatorit “Z-mobile”, pas vendimit të arbitrazhit.

Vetëm 4 muajt e parë të këtij viti, sipas Bordit të ndërmarrjes, Telekomi ka shënuar 4 milionë euro humbje. (r.m.)

Comment

*