Vdes aktori i njohur kosovar, Adem Mikullovci

Prishtinë, 15 shtator 2020 – Aktori i njohur kosovar, Adem Mikullovci, ka vdekur të martën, pas mesnatës.

Lajmin e ka publikuar bashkëshortja e të ndjerit, Lumnije Mikullovci.

“Sonte pas mesnatës në ora 00:20 ndërroi jetë më i dashuri jonë Adem Mikullovci!”, ka njoftuar ajo nëpërmjet rrjetit social Faceboook.

Ajo ka njoftuar se varrimi i të ndjerit do të bëhet në varrezat e qytetit, në Prishtinë, në orën 16:00.

Para Teatrit Kombëtar të Kosovës, në Prishtinë, është vendosur fotografia e Adem Mikullvcit, ku do të bëjnë homazhe qytetarët që e vlerësuan dhe e deshën si artist opullor dhe si njeri të dashur e modest.

Adem Mikullovci ka lindur në vitin 1939 në Vushtrri. Ai ka qenë ndër aktorët e brezit të parë të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Në teatër ka luajtur role të karaktereve nga më të ndryshmet, ndërsa ka shkëlqyer sidomos në komedi dhe në burleska.

Ai ka luajtur edhe më shumë filma dhe në drama televizive të realizuara nga Televizioni i Prishtinës.

Pas dëbimit të aktorëve shqiptarë nga Teatri Kombëtar i Kosovës, Adem Mikullovci ka realizuar një sërë projektesh filmike, si skenarist, regjisor dhe aktor. Këto realizime shumë popullore shquheshin për pasqyrimin e realitetit kosovar të viteve ’90, me tone të lehta humori e satire.

Adem Mikullovci ka qenë delegat i Kuvendit të Kosovës që e kishte miratuar Deklaratën Kushtetuese, më 2 korrikut 1990, dhe Kushtetutës së Kosovës, të miratuar më 7 shtator të po këtij viti.

Në zgjedhjet e parafundit parlamentare, Adem Mikullovci ishte zgjedhur deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës.

(r.m.)

Comment

*