Vdes aktorja e njohur kosovare, Leze Qena

Prishtinë, 25 mars 2020 – Sot në Prishtinë, pas një sëmundjeje të rëndë, ka vdekur aktorja e njohur kosovare, Leze Qena.

Aktorja 85 vjeçare, ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku ishte shtruar për trajtim mjekësor.

Zëdhënësi i Qendrës Klinike, Shpend Fazliu, ka konfirmuar lajmin për vdekjen e aktores Leze Qena. Ai ka treguar se e ndjera ishte nën përkujdesjen intensive të mjekëve dhe të personelit.

Leze Qena ka lindur në Prizren, më 1 mars të vitit 1935. Shkollën fillore dhe të mesme I ka kryer në Prizren, ndërsa shkollimin e lartë në Prishtinë.

Karrierën e gjatë e të pasur të aktores e ka filluar qysh heret, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në Prishtinë. Gjatë karrierës së saj ka luajtur qindra role në teatër, në film dhe në television.

Leze Qena do të mbetet ndër aktoret më të dashura të publikut. Ajo do të mbetet në kujtesë për realizimin e karaktereve të vajzave naïve, grave të padjallëzuara, zonjave të fisme dhe të grave lakmiçare.

Që në fillim të karrierës së saj si aktore, ajo ra në dashuri dhe u martua me aktorin Xhevat Qena.

Ata kishin një histori shumë të bukur dashurie, një histoiri të ngadhnjimit të dashurisë mbi paragjykimet.

(r.m.)

Comment

*