Vdes Kofi Annan, ish-sekretar i përgjithshëm i OKB-së

Gjenevë, 18 gusht 2018 – Kofi Annan, afrikani i parë me ngjyrë që është emëruar Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, ka vdekur në moshën 80 vjeçare, në Zvicër, kanë njoftuar ndihmësit e tij.

Annan ka vdekur paqësisht të shtunën, pas një sëmundjeje të shkurtër, ka bërë të ditur fondacioni që e mban emrin e tij.

Kofi Annan ka qenë dy mandate sekretar i përgjithshem i OKB-së, nga viti 1997 deri në vitin 2006.

Më vonë ai ka shërbyer si i dërguar special i OKB-së për Siri, ku ka udhëhequr përpjekjet për të gjetur një zgjidhje paqësore për konfliktin në këtë shtet.

Diplomati me orgjinë nga Gana, ka jetuar në Gjenevë për shumë vjet para vdekjes së tij.

Më 2001, ai është nderuar me Çmimin Nobel për Paqe, për ndihmën që ka dhënë në ringjalljen e trupit ndërkombëtar gjatë periudhës që ka përkuar me luftën në Irak dhe me pandeminë me HIV/Aids.

Sidoqoftë ai nuk është kyrsyer nga kritikat. Shumë persona e kanë fajësuar atë për dështim të OKB-së për të mënjanuar gjonocidin në Ruandë në vitet e 1990-ta, kur ai ka qenë në krye të operacioneve të organizatës.

Më vonë, pas pushtimit të Irakut nga Shtetet e Bashkuara, ai dhe djali i tij janë akuzuar për përfshirje në skandalin e “naftës për ushqim”, gjë që më pas nxiti thirrje për dorëheqje, mirëpo në fund ai është shfajësuar.

Në një intervistë dhënë BBC-së, për të shënuar ditëlindjen e tij të 80-të, në muajin prill, Annan, i ka pranuar mangësitë e OKB-së, duke thënë se kjo organizatë mund të përmirësohet, mirëpo ka theksuar se nëse ajo nuk do të ekzisonte do të duhej të krijohej”.

“Unë jam një optimist kryeneç, kam lindur optimist dhe do të vazhdoj të jem optimist”, ka thënë ai.

Shefi aktual i OKB-së, Antonio Guterres, e ka vlerësuar punën e Annanit, të cilin e ka quajtur “forcë drejtuese të së mirës”.

“Në shumë mënyra, Kofi Annan ka qenë vetë OKB-ja. Ai e ka udhëhequr organizatën në mijëvjeçarin e ri, me dinjitet dhe vendosmëri të pakrahasueshme”, ka thënë Guterres, në një deklaratë pas vdekjes së Annanit. (r.m.)

Comment

*