Vdes papritur Ambasadori i Rusisë, në OKB, Vitali Churkin

Ruben Avxhiu

Ambasadori i Rusisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Vitaly Churkin ka vdekur papritur sot në New York, pas një sulmi fatal në zemër.
Policia mbërriti në konsullatën ruse në East 67th Street, sot në mëngjez në orën 9:30 AM ku ambasadori ndodhej pa ndjenja pasi i kishte pushuar zemra.
U shpall i vdekur në Spitalin Presbiterian Njujorkez. Policia tha se vdekja kishte qenë natyrale.
Lajmi ka shokuar kolegët e tij në Këshillin e Sigurimit dhe në OKB, me të cilët Churkin është përplasur jo pak herë për çështje si Ukraina, Kosova, Siria etj, por që edhe ka krijuar marrëdhënie të gjata.
Churkin ishte një nga ambasadorët më jetëgjatë në postin e tij. Përfaqësonte Rusinë që nga viti 2006.
Diplomati rus ka qenë pjesë e diplomatëve rusë të angazhuar në Ballkan për të ndaluar paqen në Bosnje në vitet 1990.
Ndonëse i qetë dhe i kujdesshëm në komunikimet e tij, Churkin ishte kthyer në vitet e fundit, në një simbol të politikës gjithnjë e më agresive e cinike të Vladimir Putinit. Ai ka penguar ndërhyrjen ndërkombëtare duke lejuar gjakderdhjen në Siri, ka penguar anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe ka ka vepruar si apologjist për cënimin e integritetit territorial të Ukrainës.
Për të gjitha këto ai ka merituar shpesh kritika të ashpra nga kolegë e vëzhgues të OKB-së, përfshi edhe autorin e këtij lajmi.
Sot, ambasadorët e tjerë kanë lënë mënjanë përplasjet për të shprehur me emocion lamtumirën ndaj tij.
“Një ambasador i shkëlqyer që i shpërbeu vendit dhe popullit të tij. Pushoftë në paqe”, shkroi Ambasadori i Hollandës, Karel van Oosterom.
“Vitaly ishte një kundërshtar formidabël, por gjithmonë një mik. Ngushëllimet nga zemra për gruan Irina, familjen e tij dhe misionit rus në OKB”, shkroi ish Ambasadorja amerikane në OKB, Susan Rice.
Në të njëjtën frymë me kolegët e saj ka qenë edhe postimi në Tuitër nga Ambasadorja e Shqipërisë, Besiana Kadare: “E shokuar dhe e trishtuar nga lajmi i vdekjes së papritur të ambasadorit rus në OKB, Vitaly Churkin. Pushoftë në paqe!”

Comment

*