Vdes poeti, shkrimtari e dramaturgu Musa Ramadani

Prishtinë, 10 mars 2020 – Poeti, shkrimtari e dramaturgu kosovar Musa Ramadani ka vdekur sot (e martë) në moshën 76-vjeçare.

Homazhe për Musa Ramadanin do të bëhen nesër (e mërkurë), prej orës 10:30, kurse mbledhja komemorative do të mbahet në orën 12:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Varrimi i tij do të bëhet në varrezat e qytetit në Prishtinë, në orën 15:00.

Musa Ramadani ka lindur më 21 maj të vitit 1943 në Gjilan në një familje zejtarësh, që kishte një furrë dhe dyqan tekstili në çarshinë e qytetit.

Shkollimin fillor e ka kryer në Prizren, Gjilan e Viti, shkollimin e mesëm në Gjilan, kurse shkollimin e lartë në Prizren. Nga viti 1965 ka punuar si gazetar dhe redaktor në gazetën “Rilindja”.

Musa Ramadani ka lënë një opus të gjerë krijues: poezi, tregime, romane, drama, recensione për teatër, tekste këngësh, etj. Ai është prezantuar në disa panorama letrare e antologji letrare në gjuhë tjera. Ka përkthyer 12 vepra letrare të autorëve të huaj.

Musa Ramadani ka qenë laureat i një sërë çmimesh për letërsi.

Opusi krijues i Musa Ramadanit: “Mëkatet e Adamit” (poezi), “Rilindja, 1969; “Thirravaje” (poezi), “Rilindja”, 1971; “Neurosis” (poezi), botim autorial, 1973; “ Romani pa kornizë”, “Bota e Re”, 1975; “Muzat nuk flejnë” (poezi), “Rilindja, 1976; “Fluroma” (tregime), “Rilindja”, 1978; “Zezona” (roman), “Rilindja”, 1978, “Faik Konica”(ribotim), 2003; “Fjala në skenë” (recensione për shfaqje teatrore), “Rilindja”,1080; “Alfabeti i neurozave” (poezi), “Flaka e Vëllaznimit”, 1983; “Ligatina” (roman), “Rilindja”, 1983; “Moisiu në unazën e Inflandit” (dramë), “Rilindja”, 1984; “Eugjenika e tri deteve” (poezi), “Rilindja”, 1986; “Satana ma vodhi gurin e urtisë” (tregime), “Rilindja”, 1987; “Nostalgji antike” (përzgjedhje e poezive) , “Rilindja, 1995; “Vrapuesja e Prizrenit” (roman), “Dukagjini”, 1997; “Antiprocesioni” (roman), “Buzuku”, 1997; “Inamor: 55” (roman), “Buzuku”, 2000; “ Mëkatet e Ha(E)vës, poezi, Pen/club, 2007, Prishtinë; “Premiera shqiptare” (Recensione për dramën, shfaqjet), “Spektri”, Shkup 1996; “Profeti nga Praga” (roman), Tiranë, 2017.

(r.m.)

Comment

*